Ministria e Financave manipulon pagesat e bëra për kontratat e koncesioneve. Në këtë përfundim ka dalë Kontrolli i Lartë i Shtetit nga një auditim i zhvilluar gjatë vitit të shkuar në MF. Sipas të dhënave të publikuara ministria, të tjera shifra janë paraqitur për tenderët në raportin e buxhetit vjetor të vitit 2021 dhe të tjera shifra në raportet e buxhetit për vitet 2022 dhe 2023.
“Nga auditimi konstatohet se në raportin “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2021”, shpenzimet faktike të vitit 2021 janë raportuar në vlerën 11,517,745 mijë lekë ose 115 miliardë lekë të vjetra. Ndërsa në raportet e viteve 2022 dhe 2023 pagesat faktike të vitit 2021 janë ndryshuar, duke u reflektuar në vlerën 11,433,679 mijë lekë. Kjo ka ardhur si rezultat i të dhënave të ndryshuara mbi pagesat nga Autoriteti Kontraktor”, ka evidentuar KLSH.
Këto gjetje përfshin kohën që kur në krye të këtij institucioni ishte Delina Ibrahimi.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre alarmin se, ndryshimi i të dhënave të raporteve të miratuara, paraqet risk të shtuar mbi saktësinë e raportimeve vjetore, vlerat e të cilave duhet të jenë të konfirmuara përpara miratimit dhe publikimit të raportit të zbatimit të buxhetit vjetor.
Janë rritur fondet për Florenc Gjikurinë, Janis Karathanon, Shkëlqim Fushën
Ndërkaq konstatohet se për gjatë vitit 2023 kanë pësuar rritje pagese 5 kontratat koncesionare, por bie në sy si me rritjen më të lartë;
- kontrata “Përmirësim, Ndërtim, Operim, Mirëmbajtje e Rrugës Porti i Jahteve – By Pass Orikum-Dukat (Ura e Shën Elizës)”, me një rritje pagese prej 223.5%, të cilën e kanë në dorë firma mjaftë e njohur për vjedhje fondesh Gjikuria” shpk e Florenc Gjikurisë .
- kontrata “Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore”, me një rritje pagese prej 6.6%, nga e cila përfiton firma e Janis Karathano
- kontrata “Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës, për projektimin, financimin, ndërtimin, mobilimin, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin e pesë objekteve arsimore në zonën Tirana 1 dhe për 4 objektet arsimore në zonën Tirana 4”, me një rritje pagese prej 76.7%. Nga kjo përfitojnë Alba Konstruksionshpk & Fushashpk & Ed Konstruksioni shpk & A&E Engineeringshpk & Son Engineering and Construcion shpk dhe Erzeni/N
Pra përveç rritjes që shteti i bëri zyrtarisht që në fund të vitit 2022 kur u miratua buxheti për vitin 2023, në vitin që lamë pas në mënyrë fiktive janë bërë rritje të tjera shpenzimesh.
Në këto detaje të evidentuara KLSH sqaron se gjithë këto janë risk dhe borxh që i ngarkohet qytetarëve.
Këto tre koncesione nuk raportojnë për përmirësim të shërbimeve as nuk iu kërkon kush llogari, por në mënyrë të fshehur po rriten shpenzimet ndaj tyre, pra rritet borxhi për qytetarët.
“Rritja e shpenzimeve për kontratat koncesionare/PPP nga viti në vit përbën një risk fiskal për buxhetin, për më tepër që në mungesë të treguesve të matshëm të performancës së tyre bën të diskutueshme dhe arritjen në kohë të objektivave të tyre me eficiencë, ekonomicitet dhe efektivitet. Gjithashtu duke qenë se këto kontrata koncesionare/PPP janë me mbështetje buxhetore dhe koncesionari nuk ka përgjegjësi apo angazhim financiar, këto shpenzime nga ana e buxhetit të shtetit janë një borxh i fshehur për vitet në vijim”, sqaron KLSH.
Si po fshihen të dhënat për koncesionin ‘Rruga e Arbrit’
Sipas KLSH, pavarësisht se ligjërisht janë forcuar mundësit e Ministrisë së Financave për të monitoruar çdo shërbim dhe shpenzim të koncesionarëve, ajo nuk e ka bërë atë. Vërehet një mungesë e theksuar kontrolli dhe raportim të të dhënash sidomos gjatë vitit 2023, kur në krye të Ministrisë së Financave deri në shtator ishte Delina Ibrahimaj dhe pas saj deri në korrik të vit 2024 ishte Ervin Mete, të dy këta mbajnë përgjegjësi.
“Ky raport paraqet ecurinë e kontratave koncesionare të vitit 2023, por nuk jep detaje të mjaftueshme. Konkretisht: koncesione të tilla si Rruga e Kombit, Aeroporti i Rinasit, Rruga e Arbrit e të tjera, mbartin përshkrime të llojit: “janë në fazë ndërtimi”, apo “punimet vazhdojnë”, por nuk përcaktohet ecuria e investimeve të dakordësuara dhe në asnjë rast nuk paraqiten të dhëna, nëse kontraktori ka shkelur kushtet kontraktuale. Pra, evidentohet mungesë transparence në të dhënat lidhur me ecurinë e tyre, si rrjedhojë dhe me pasoja në monitorim”, theksohet në raportin e KLSH.
Asnjë raportim apo rekomandim të qartë, me të dhëna konkrete nuk ka patur në lidhje me koncesionin “Rruga e Arbrit”, që është fituar nga firma Gjoka Konstruksion me pronar Rrok Gjokën.
Kujtojmë se edhe ën vitin 2019 është raportuar se kjo kompani dorëzon raporte të rreme për ecurinë e punimeve. Situata vazhdon e njëjtë përderisa Ministria e Financave iu kalon fondet por nuk iu kërkon llogari.
“Konkretisht nga MF nuk paraqitet shuma e investuar deri më tani nga kompania koncesionare dhe as nëse kjo shumë është më e vogël apo më e madhe nga sa është rënë dakord në kontratë. Mungesa e mbledhjes dhe raportimit të të dhënave të ecurisë dhe performancës financiare dhe jofinanciare të kontratave koncesionare/PPP tregon se nuk është arritur të sigurohet që risqet kryesore fiskalë nga këto kontrata janë identifikuar dhe raportuar në mënyrë sistematike. Po kështu, akumulimi i detyrimeve nga viti i kaluar dhe krijimi i detyrimeve të reja, është tregues i mungesës së monitorimit të plotë duke qenë se këto risqe janë materializuar në efekte monetare”, thekson audituesi.
Ndërsa theksohet se e njëjta problematikë paraqitet edhe me Inceneratorin e Tiranës, i cili deri më sot nuk ka kryer siç duhet funksionin e tij dhe kjo është mëse e qartë.
Por Ministria fsheh investimet e hedhura për të dhe nuk raporton punën e bërë deri në fund të vitit 2023
Duke krijuar kështu një boshllëk të madh në raportimet financiare që krijon hapësira për abuzim fondesh dhe këtu bëhet fjalë për dhjetëra miliona euro.
Discussion about this post