Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç bëri të ditur se me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar bisedë të “hapur dhe të vështirë”.
Vuçiç shkroi në Instagram se Kallas foli për domosdoshmërinë e dialogut me Kosovën, “zgjidhjen e rastit të Banjskës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.
“Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, tha Vuçiç.
Takimet e shefes së re të diplomacisë së BE-së me krerët e Kosovës dhe Serbisë, mbahen disa ditë pas një shpërthimi në një kanal të ujit në Zubin Potok të Kosovës.
Kosova ka fajësuar Serbinë për shpërthimin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do të hetojë këtë rast. Kallas, që nisi mandatin e saj pesëvjeçar më 1 dhjetor, do të ndërmjetësojë procesin e dialogut, që ka nisur më 2011.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Beogradi është i gatshëm të bashkëpunojë në kryerjen e një hetimi me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe institucionet sa i përket shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok të Kosovës.
“Nëse [shpërthimi] është kryer nga ndokush që është i kombësisë serbe, dhe ai është në territorin nën të cilin ka kontroll efektiv Serbia, ai do të ndalohet dhe arrestohet në sekondë. Deri më tani, nuk kemi informacione të tilla”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.
Ai tha se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe në disa mënyra edhe me institucionet në Prishtinë, pa vënë në rrezik sovranitetin dhe pavarësinë e Serbisë.
Vuçiç tha se më pak e rëndësishmja është se kush është autori, dhe më e rëndësishmja është se kush qëndron pas shpërthimit, duke hedhur poshtë mundësinë që prapa kësaj të jetë Rusia.
Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
gijotina.com/
Discussion about this post