Thirrjes së sotme të kreut të Grupit Parlamentar Demokrat, Gazment Bardhit, që e kërkonte me ngulm në sallën e Kuvendit për të dhënë llogari mbi paratë që shteti shqiptar duhet t’i paguajë Françesko Becchettit, kryeministri Edi Rama iu përgjigj në distancë.
Përballë tij kreu i qeverisë thotë se do të dalë vetëm pasi SPAK të ketë vendosur nëse akuzat e Gazment Bardhit për vëllain e kryeministrit Olsi Ramën, janë të vërteta ose jo.
Unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare. Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazment Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmentit”
Pikëpyetjes nëse shteti shqiptar ka nisur ekzekutimin e pagesës për biznesmenin italian Becchettin, Rama i dha përgjigje shteruese duke thënë se asnjë para nuk është paguar për atë që e quan kriminel të dënuar.
A janë vallë kaq injorantë këta sherrxhinj e gënjeshtarë pa din e as iman, sa të mos e dinë që kur nga ky shtet dalin lekë, për çdo detyrim për diçka apo ndaj dikujt, ka dokumente shtetërorë ku shkruhet shlyerja e detyrimit apo janë vallë kaq të poshtër, sa megjithëse e dinë që në këtë rast nuk ekziston asnjë dokument i tillë, vazhdojnë me avazin e kësaj shpifjeje të vjetër, për të ngritur akuza dhe helmuar popullin për zgjedhjet e reja?! Nuk e di, me shumë gjasë janë të dyja bashkë.
Fakti që s’e luan topi është, se deri në këtë çast që flasim, ai kriminel i dënuar 17 vjet nga gjykata për tërë të zezat, nuk ka marrë akoma asnjë kokërr leku nga shteti shqiptar dhe nuk ka asnjë dokument shtetëror që të provojë të kundërtën!”
Edhe Becchetin e paralajmëroi se betejën me shtetin shqiptar nuk e ka fituar përfundimisht, në kushtet kur Shqipëria është angazhuar për të faktuar me prova se Beketi ka manipuluar Arbitrazhin.
Ai ka hyrë tanimë në ca hesape të reja e të vështira shumë me shtetin shqiptar, që e ka denoncuar në prokuroritë e në gjykatat e disa shteteve, për korruptim flagrant të gjykatës së arbitrazhit, ku korrupsioni dhe manipulimi i procesit kundër Shqipërisë është provuar me letra, me zëra e me figura kriminelësh ndërkombëtarë me këmishë dhe kravatë!
Rama thotë se për shpifjet e tyre, opozita do ta marrë përgjigjen në 2025, kur siç thotë, populli shqiptar, brenda po edhe jashtë kufijve do të vendosë se kush duhet të qeverisë dhe kush duhet të rrijë në opozitë.
Nga ana e tij deputeti i PD-së, Gazment Bardhi në një reagim pasditen e sotme tha se kryeministri po i bënte shantazh SPAK.
‘Në përgjigje të interesit të medias lidhur me një qëndrim të Edi Ramës sot ndaj meje, ju bëj me dije sa më poshtë:
Nuk kam reaguar ndaj qëndrimit të Edi Ramës, sepse qartësisht qëndrimi i tij gjoja më drejtohej mua, por në të vërtetë ishte një mesazh i qartë dhe i pastër shantazhi ndaj SPAK që të mbyll hetimet ndaj Olsi Ramës dhe Dosjes “Xibraka”, sepse vijimi i hetimeve dhe zbulimi deri në fund i të vërtetës, i rrezikon Edi Ramës karrigen e Kryeministrit, sepse ai do të detyrohej të largohej nga politika!
Mesazhi i pastër kriminal e shantazhues ndaj SPAK nuk mund të përcillet kurrë duke bërë gjoja replikë publike me mua dhe as nuk mund të fshihet duke u përfshirë unë në një replikë pa sens e jashtë kohe, të sajuar nga hiçi dhe me shkaqe të inskenuara.
A nuk ishte po ky Edi Rama që hyri me sy, por doli me faqe të zezë, përpara disa muajve kur ishte në interpelancë për mbetjet toksike me denoncuesin e Olsit, pra me mua, me të njëjtin? Pse atëherë mendonte se kishte edhe sy edhe faqe për të ardhur në interpelancë, ndërsa sot ka humbur sytë dhe faqen?
Asokohe nuk ishte “kusht mbi Kushtetutën” as vëllai Ols dhe as përfundimi i hetimeve ndaj vëllait Ols nga SPAK. Vallë çfarë ndryshoi sot? Pse u kujtua beftë për vëlla Olsin dhe SPAK-un? Pse u kujtua që i rrezikohet pushteti nëse vijojnë hetimet e zbulohet e vërteta që u tentua të varrosej në 2018? Çfarë e pickoi sot Edi Ramën për këtë çështje? Pse ka frikë Edi Rama nga hetimi, dhe kërkon mbylljen e shpejtë të çështjes, përpara se të humbi zgjedhjet e Majit 2025?
E di që Edi Rama nuk e ka për gjë të grisë Kushtetutën dhe Ligjin për pushtetin e tij personal. E di shumë mirë që do të gjejë çdo justifikim për të mos u përballur në Parlament me krimin e vjedhjes që u ka bërë shqiptarëve. E di shumë mirë që edhe mesazhet politike i jep sipas stilit mafioz. E di që po bën çmos të shantazhojë edhe SPAK-un që t’i mbyllë hetimet për Olsin dhe kokainën e Xibrakës. Ajo që s’kisha parashikuar ishte që të fshihej pas të vëllait të vogël për të mos ardhur në Parlament.
Të keqpërdorësh familjen për të mos dhënë llogari para shqiptarëve, do të thotë të jesh në pozicion shumë të sikletshëm. Dhe e kuptoj që fshihet pas Olsit! Sa më shumë zbardhen kodet pin në SKY/ECC, por shumë shpejt edhe këto të rejat në MATRIX, aq më shumë do të fshihet Edi Rama!
Le të fshihet në rrjetet sociale sa të dojë, të bëjë teatër sa të dojë, të inskenojë reagime nga hiçi për të përcjellë mesazhe publike kriminale për SPAK sa të dojë, e sigurojë se, me SPAK apo pa SPAK, largimin nga politika do ta ketë me turp, të shpejtë, dhe ashtu siç e meriton një frikacak që i fshihet Kuvendit, një bashkëpunëtor i bandave që ka torturuar, vjedhur e varfëruar bashkëqytetarët e tij.’, reagon Bardhi në Facebook.
gijotina.com/
Discussion about this post