Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelaxh Mziu këtë të mërkurë u shfaq pranë kreydemokratit Lulzim Basha, në takimin me qytetarët dibranë që ky i fundit zhvilloi. Në fjalën e tij Mziu u shpreh se strategjia e PD-së gjatë fushatës dhe platforma që ajo paraqiti për qytetarët ishte mjaft efikase, ndaj humbja e zgjedhjeve sipas tij nuk erdhi nga mungesa e një programi të forcës politike që ai i përket. Sipas deputetit të PD-së në Dibër, humbja e zgjedhjeve ishte produkt i asaj që ai i referohet si masakër elektorale, e cila u përdor nga kryeministri Rama, të cilin e cilësoi si e keqja më e madhe e Shqipërisë përgjatë këtyre 30 viteve.
“Platforma Basha e 25 Prillit, prishi mendjen jo vetëm të demokratëve, jo vetëm të njerëzve pa parti, por edhe të socialistëve. E kishim shumë të lehtë fushatën. Jam i sigurt që do kishim marrë një rezultat dhe më të mirë. Ne se morëm rezultatin që meritonin në Shqipëri se maskarada elektorale që përdori Edi Rama ishte më e keqja e këtyre 30 viteve. Nuk la asnjë instrument ligjor apo antiligjor, para krimi, droge apo korrupsioni pa përdorur. Nuk la kriminelë, nuk la madje as faktorë të tjerë të brendshëm apo të jashtëm, por që ishin pjesë e skeçës që tjetërsuan votës”.
Ai gjithashtu shtoi se PD-ja vijon të jetë në opozitë për shkak së Rama është një kryeministër kriminel që ka shndërruar vendin në një geto, ndaj marrja fund e Ramës mund të bëhet vetëm nga kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha.
“Këtë mund ta realizojë vetëm platforma Basha që mbeti pa u realizuar për shkak të maskaradës elektorale të Ramës” u shpreh ai.
Discussion about this post