Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë ndërmarrë një aksion të përbashkët për goditjen e grupeve të trafikimit të armëve dhe kontrabandës. Operacioni i gjerë policor është zhvilluar në të dyja vendet, duke shënuar një goditje të rëndësishme ndaj aktiviteteve të paligjshme.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë aksionit janë sekuestruar 60 armë zjarri, ndërsa janë arrestuar 16 persona të dyshuar për përfshirje në këtë rrjet kriminal. Nga të arrestuarit, 6 janë ndaluar në Shqipëri, ndërsa 10 të tjerë në Kosovë.
Personat e arrestuar në Shqipëri janë Euxhenio Manushi, Endri Papa, Aurel Manreka, Gersi Llozha, Kleo Mucalliu dhe Tonin Shkambi.
Autoritetet e të dyja vendeve kanë theksuar rëndësinë e këtij operacioni të përbashkët, duke e cilësuar atë si një hap domethënës në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve.
Në vijim për operacionin pritet dhe një konferencë e përbashkët për shtyp me përfaqësues nga policia e Shqipërisë dhe e Kosovës.
Njoftimi i plotë i prokurorisë së Kosovës:
Shkatërrohet grupi kriminal i trafikut të armëve Kosovë-Shqipëri, Prokuroria e Tiranës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës lëshojnë 14 urdhër arreste, sekuestrohen armë e municione
Prishtinë, 12 dhjetor 2024 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas mbi nëntë muaj hetime, shkatërruan një grup kriminal të trafikut të armëve, aktiv në të dy shtetet.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, më 10 dhjetor 2024, Policia e Kosovës ka zhvilluar në teren një plan operativ, me ç’rast janë kryer urdhërkontrollë në nëntë (9) lokacione pronë e të dyshuarve.
Gjatë urdhërkontrollit në këto lokacione, përfshirë zbatimin e urdhëresave për masat e veçanta teknike të hetimit, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar: Njëzet e nëntë (29) pistoleta dhe tri (3) armë të gjata të modeleve të ndryshme të konfiskuar,; Dymijë e gjashtëqind e tridhjetë e pesë (2635) fishek /municion të modelit të ndryshëm; Dy automjete dhe pajisje tjera.
Tetë (08) persona të dyshuar janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, gjashtë prej tyre shtetas kosovarë, ndërsa dy prej të cilëve shtetas të Republikës së Shqipërisë.
Personat e arrestuar janë: V.O., K.K., S.H., Sh.J., A.H., Z.A., A.D., B.A.
Në koordinim me PSRK-në dhe me Policinë e Kosovës më datën 11.11.2024 nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në funksion të këtij procedimi u zhvillua operacioni për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për 6 persona dhe kontrolli i banesave për 7 vende. Gjatë këtij operacioni u ndaluan për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkëpunim dhe “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 278/5/ dhe 278/a/2 i K.Penal të 6 personave: E.M. E.P. A.M. G. Ll. K.M. dhe T.Sh.
Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fisheke të llojeve të ndryshme. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash e 10 aparate celulare.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast njofton opinionin publik se në prill të këtij viti, kishte pranuar informacione lidhur me dyshimet se disa persona shtetas të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, janë duke u marrë me import, eksport, furnizim, transportim, ndërmjetësim dhe shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse.
Pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK kishte autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave.
Nga hetimet e zhvilluara përmes masave të veçanta të hetimit janë dokumentuar raste të shitjes së armëve të zjarrit kryesisht pistoleta ‘Zoraki” të trafikuara nga Kosova drejt Shqipërisë.
Në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Policinë dhe Prokurorinë kompetente të Republikës së Shqipërisë, hetimet janë zhvilluar në të dyja shtetet, ndërsa me datë 28.06.2024 është nënshkruar Marrëveshje për Themelimin e Ekipit të Përbashkët Hetimor, mbështetur nga Projekti i EUROJUST për vendet e Ballkanit Perëndimor. Hetimet po ashtu janë mbështetur dhe nga EUROPOL.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe shkëmbimeve të informacioneve grupet hetimore të përbashkëta kanë zhvilluar disa takime operacionale në funksion të këtij procedimi.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të vendosë për veprime të tjera, në koordinim me autoritetet kompetente të Republikës së Shqipërisë, varësisht nga raportet të cilat do të rezultojnë nga këto bastisje.
Lexo edhe:
U arrestua për kokainë, djali i artistit i përfshirë dhe në trafikun e armëve
Discussion about this post