Mbetjet e rrezikshme të spitaleve u kushtojnë dyfish qytetarëve, tek shëndeti dhe tek xhepi. Afro 5.2 miliardë lekë janë shpenzuar brenda katër vjetëve, ndërkohë që ka shpërdorime me tenderat dhe kontrata të pazbatuara, duke i lënë mbetjet në ambientet e spitaleve.
Raporti i auditimit të performancës i publikuar në fund të vitit 2024, citon të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë për 39 spitale publike, ku rezulton se, gjatë 4 viteve buxhetorë së bashku për evadimin e mbetjeve spitalore të rrezikshme me operatorë ekonomikë janë shpenzuar rreth 517,632,900 lekë ose rreth 129,408,225 lekë/vit. Janë vitet kur këtë institucion e drejtonte Ogerta Manastirliu, e cila u zëvendësua nga Albana Koçiu në shtator 2023. Të dyja e meritojnë çmimin “Njeriu i vitit” për korrupsion.
Nga të dhënat e paraqitura të përpunuara nga grupi i auditimit rezulton se, peshën kryesore në prodhimin e mbetjeve më sipër e zënë 3 spitale me rreth 52.5% të totalit dhe konkretisht: QSUT “Nënë Tereza” 27.5%, Spital “Shefqet Ndroqi” 13.24%, Spitali Traumës 11.75%
Ndërsa Spitali Rajonal Vlorë zë 4.27%, Spitali Rajonal Durrës 4.25%, Spitali Rajonal Korçë 2.59% dhe Spitali Rajonal Shkodër 0.29%.
“Nga auditimit në Spitalin Rajonal Shkodër rezultoi se, dokumentacioni i përdorur për trajtimet në autoklavën e spitalit nuk ishte i plotë ndaj dhe treguesit për këtë institucion merren me rezervë”, thekson KLSH
Tenderat abuzivë të mbetjeve spitalore
Në katër spitalet rajonale objekt auditimi gjatë periudhës vitet 2020-2023, kanë kryer procedura prokurimi për evadimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore. Spitali Rajonal Shkodër dhe Korçë duke qenë se kryejnë vetë trajtimin e mbetjeve me autoklavë kanë kontraktuar operator ekonomikë për trajtimin dhe asgjësim vetëm të pjesës që ka nevojë për incenerim. Ndërkohë Spitalet Rajonale Durrës dhe Vlorë e kanë trajtuar të gjithë gamën e mbetjeve të rrezikshme nëpërmjet operatorëve ekonomikë.
Thuajse në të gjitha procedurat e zhvilluara fondi limit i shpallur është hartuar bazuar në kontratën e mëparshme të lidhur nga institucioni. Ndërkohë që kjo është vetëm një nga format që autoriteti kontraktor mund të zgjedhë për hartimin e fondit limit. Kontratat në katër spitalet paraqesin ndryshime të rëndësishme në çmimet e aplikuara edhe nga të njëjtit operator ekonomik të cilët për të njëjtin objekt prokurimi kanë ofertuar dhe lidhur kontrata me çmime të ndryshme. “Disponimi i këtyre çmimeve nga grupet e caktuara për hartimin e fondit limit mund të sillte vlera më të balancuara, konkurrencë më të drejtë mes operatorëve, siguri më të lartë për trajtimin e duhur të mbetjeve dhe reduktim të kostove nga ana e spitaleve”, thekson raporti.
Një parregullsi tjetër që lë hapësirë për abuzim është matja e sasive të mbetjeve. Nëse i referohemi praktikave të ndjekura në kontratat e lidhura nga spitalet me OE për evadimin e mbetjeve jo të rrezikshme u vërejtën të paktën 3 mënyra të ndryshme veprimi ku janë përdorur si njësi matëse të mbeturinave m3, ditë pastrimi, Ton, etj.
Nga ana tjetër, që është përgjegjësi e ministres, për procesin e evadimit të mbetjeve spitalore nuk ka ende një akt ligjor, nënligjor, rregullator apo udhëzues për mënyrën e llogaritjes së kostos për njësi për menaxhimin e mbetjeve spitalore nga spitalet rajonale.
Cila e pastron zonën, spitali apo bashkia?
Spitalet Rajonale Shkodër, Durrës, Korçë dhe Vlorë për vitet 2020-2023 procesin e evadimit të mbetjeve urbane e kanë kryer me operatorë ekonomik privatë të kontraktuar, megjithëse ky është një shërbim që mund të përmbushej nga bashkitë përkatëse.
Pavarësisht se tre nga këto spitale nuk kanë kryer pagesa për njësitë e vetëqeverisjes vendore ka paqartësi nëse bashkitë i kanë kontabilizuar në mënyrë të njëanshme këto detyrime. Të katër spitalet pozicionohen në brendësi të zonave urbane të qytetit dhe shërbimi i pastrimit të bashkisë në të gjitha rastet ishte vetëm disa metra larg. Në këtë mënyrë stafi i spitalit është angazhuar në një veprimtari e cila nuk ka krijuar siguri shtesë për mjedisin krahasuar me shërbimin e bashkisë apo të ketë sjellë kosto të reduktuara për spitalet. Ndërkohë, Spitali Rajonal Vlorë në fund të vitit 2023 ka kërkuar dhe marrë përgjigje konfirmuese nga bashkia për tërheqjen e mbetjeve urbane të prodhuara nga shërbimi i kontraktuar për qytetin.
Miliarda lekë paskan shkuar kot
Ndërkohë marrja në dorëzim e shërbimin, sipas raportit, nuk garanton tërheqjen e mbeturinave çdo ditë dhe depozitimin e tyre direkt në lendfill. Kjo shihej qartë nga transfertat e plotësuara, procesverbalet e mbajtura apo fletët e peshës së lendfillit të cilat ishin në sasi disa fish më të larta se sasitë ditore.
Problem mbeten ambientet e ruajtjes dhe magazinimit të mbetjeve në spitale. Këto janë mjaft të rëndësishme për ruajtjen në kushte optimale të mbetjeve për parandalimin e rreziqeve që ato mund të shfaqin. Nga vëzhgimet e kryera në terren në 4 spitalet objekt auditimi rezultoi se: Spitali Rajonal Vlorë dispononte ambiente ruajtje të posaçme në secilin pavijon për mbetjet dhe po kështu për ambalazhet dhe dhomat e frigoriferëve. Ndërkohë ambienti i magazinimit paraqitej i papërshtatshëm dhe gjatë viteve të fundit nuk ka patur investime për këtë qëllim. Në Spitalin Rajonal Durrës nuk disponoheshin ambiente të veçuara për ruajtjen në pavijon të mbetjeve në të gjitha rastet. Ambientet e ruajtjes së mbetjeve në dhomën frigoriferike ishin përgjithësisht të mira. Ruajtja e mbetjeve tyre në vend të veçantë pasi ambalazhet mbushen, paraqet nevojën për përmirësim.
Në Spitalin Rajonal Shkodër Ambienti për përpunimin me autoklavë ndodhej shumë afër spitalit dhe nuk paraqiste kushte të përshtatshme për ruajtjen e mbetjeve deri në përpunimin e tyre. Në hyrje të këtij ambienti ndodheshin edhe koshat e mbetjeve urbane të spitalit. Ndërkohë ambienti ku ndodhej frigoriferi gjendej jashtë ambienteve të spitalit çka krijon risk gjatë transportimit të mbetjeve në të. Infrastruktura e përdorshme në këtë spital kryesisht për ambientin e frigoriferëve si dhe atyre të ruajtjes së përkohshme në pavijon paraqet nevojë të menjëhershme për përmirësim.
Në spitalin Rajonal Korçë autoklava gjendet e instaluar në të njëjtin ambient me kaldajën e spitalit ku temperaturat rriten ndjeshëm, krijohen problematika në përhapjen e infeksioneve në ajër. Po në të njëjtin ambient ndodhet dhe frigoriferi i mbetjeve. “Sa i përket ambienteve të ruajtjes së mbetjeve dhe ambalazheve në pavijone ato paraqesin nevojën për përmirësim”, raporton KLSH.
Mashtrime në tenderat e spitaleve për mbetjet
Problemi është më i rëndë se sa konstaton KLSJ në auditimin e vet. Prokuroria e Tiranës ka arrestuar në qershor të këtij viti, pronarin e kompanisë V.A.L.E Recycling për veprën penale ‘Falsifikim i dokumenteve’. Sipas Prokurorisë së Tiranës, rezulton e provuar se personi nën hetim Ervis Miri ka marrë pjesë në mbi 200 procedura tenderi për asgjësim mbetjesh spitalore, prej vitit 2016 e në vijim, duke dorëzuar dokumentacion të rremë, pasi në të vërtetë nuk i asgjësonte mbetjet sepse nuk kishte pajisjet përkatëse.
Personi në hetim pretendonte se kishte kapacitete për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore duke i kthyer ato nga të dëmshme në të padëmshme por nga hetimi rezultoi se i mungonin pajisjet për ta realizuar një gjë të tillë.
Deri në këtë fazë të hetimeve, rezultoi e provuar se Elvis Miri në bashkëpunimin me shtetasin E.Sh, kanë përpiluar akte të rreme prej vitit 2015 e në vijim, duke pasqyruar në kërkesat e tyre drejtuar AKM-së, nëpërmjet QKB-së, si dhe raporteve të vetmonitorimit peridike, në funksion të Lejes së Tipit B, një pajisje të tipit Econos Tsc 150, e cila në fakt është instaluar pas muajit Janar të vitit 2024.
Personi juridik është inspektuar nga punonjësit shtetëror I.B, dhe K.A, por është mbuluar nga këta të fundit për mungesën e pajisjes Econos Tsc 150. Po kështu, edhe inspektorët shtetërorë J.Sh, E.P, A.M, N.D, A.K, B.L, kanë mbuluar veprimtarinë reale të personit juridik, duke mos raportuar pika shkarkimi në ajër dhe tokë të pajisjes Mangazini, të identifikuar nga Ing G.T, në historik, si dhe duke mos raportuar se në vend të ushtrimit të aktivitetit, gjendet i instaluar vetëm një incerenator.
Rezulton e provuar se pajisja Econos TSC 150, e kqyrur nga oficerët e policisë gjyqësore, është importuar, në datën 22.01.2024, nga personi juridik ndryshe nga sa ka deklaruar personin nën hetim Elvis Miri se pajisjen Econs TSC 150 e ka importuar dhe instaluar në vitin 2016.
Në këto kushte ngrihen dyshime se me mungesën e pajisjes Econos Tsc 150, dhe mungesën e një prej incenenatoreve, personi juridik, të mos ketë pasur aftësi të përmbushë objektin e kontratave të lidhura me palë të treta për trajtimin e mbetjeve spitalore.
Hetimet vijojnë në drejtim të veprimeve dhe mosveprimeve të enteve publike si dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm, ekspertimeve kontabël, në raport me pasojat që mund të kenë ardhur mbi ndikimin në mjedis, ndër vite. kapitali ka mësuar se prokuroria ka dhënë ndërkohë masën e detyrim paraqitjes për 10 inspektorë mjedisi në Lezhë dhe në qendër të cilët sipas organit të akuzës kanë mbuluar shkeljet e kompanisë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post