Pas Vlorës, gripi i shpendëve, i njohur edhe si influenca aviare, është shfaqur edhe në Paskuqan.
Ministria e Bujqësisë konfirmoi këtë të mërkurë se nëntipi i influencës aviare H5N1, është konstatuar në shpendët e oborrit të një familje. Shpendët, sipas të njëjtave burime, janë asgjësuar sipas procedurave sanitaro-veterinare, si dhe është kryer dezinfektimi rigoroz i mjediseve dhe mjeteve të kontaktit me shpendët.
Deri më tani, nuk konfirmohen persona te infektuar nga gripi i shpendëve.
Rasti në Zall-Herr
Para ndërrimit të viteve, një vatër u konstatua në Cekrez-Morinë të Zall-Herrit.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi se janë marrë të gjitha masat për kontrollin dhe monitorimin e fermave të ndodhura në zonat e mbrojtjes (3 kilometra) dhe atë të mbikëqyrjes (10 kilometra) nga vatra e shpërthimit të sëmundjes, prej datës së konfirmimit të infeksionit 28.12.2024 në fshatin Cekrez-Morinë, njësia administrative Zall-Herr.
Rasti në Paskuqan
Sipas MBZHR-së, sektori veterinar i Qarkut Tiranë ka kontrolluar me anë të 11 grupeve të kontrollit ditor, njësitë administrative dhe fshatrat e vendosura nën mbikëqyrjen veterinare, duke bërë të mundur identifikimin e menjëhershëm të një rasti të ri në Paskuqan, në datën 06.01.2025. Ferma e oborrit familjar me 10 krerë shpendë është kontrolluar pa vonesë dhe janë marrë masat për analizimin laboratorik me metodën konfermatore RT-PCR, e cila ka konfirmuar praninë e virusit të Influencës Aviare të nëntipit H5N1. “Është kryer eliminimi dhe asgjësimi i sigurt i shpendëve të fermës sipas procedurave sanitaro-veterinare, si dhe është kryer dezinfektimi rigoroz i mjediseve dhe mjeteve të kontaktit me shpendët”, tha ministria.
Rasti në Vlorë
Më herët, analizat laboratorike konfirmuan praninë e H5N1 në shpendët e gjetura në zonën e “Plazhit të Vjetër” në Vlorë.
“Sektori veterinar i Qarkut Vlorë menjëherë pas konfirmimit të rezultatit pozitiv nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për sëmundjen e Influencës Aviare, të nëntipit H5N1 në shpendë të egër të ngordhur në zonën bregdetit të Plazhit të Vjetër të Vlorës, në datën 05.01.2025, ka marrë të gjitha masat për kontrollin dhe monitorimin e situatës. Çdo ditë 7 grupe pune janë në terren për monitorimin e situatës dhe gjurmimin e hershëm të infeksionit, kanë vijuar kontrolle përgjatë vijës bregdetare, duke përfshirë zonën nga Tuneli i Ujit të Ftohtë deri në Zvërnec, përveç Lagunës së Nartës; Lagunës së Novoselës; Plazhit të Vjetër; Orikumit; Lagunës së Butrintit; Lagunës së Karavastasë dhe Semanit”, tha ministria.
“Si rezultat i intensifikimit të monitorimit, po në datë 05.01.2025 ora 20:00, Drejtoria Rajonale e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Vlorë ka njoftuar për 5 shpendë të tjerë egër dhe të ngordhur, të gjendur në bregdetin e Plazhit të vjetër, të cilët mendohen se janë sjellë nga vala dhe mund të kenë ngordhur disa ditë më parë. Tri karkasa tepër të dëmtuara u groposën menjëherë sipas procedurave të përcaktuara, ndërsa dy karkasa u dërguan në datën 06.01.2025 për analiza në Laboratorin e Referencës – ISUV, të cilat rezultuan pozitive me Influencë Aviare, nëntipi H5N1”, sqarphet më tej në njoftim.
Nuk ka persona të infektuar
Të njëjtat burime shtuan se Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, përveç intensifikimit të kontrolleve ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me autoritetet vendore të Zonave të Mbrojtura, Pushtetit Vendor, Policisë së Shtetit dhe Njësive të Kujdesit Shëndetësor, për informacion dhe monitorim të ndërsjellët.
Gripi i shpendëve transmetohet nga shpendët tek njerëzit në raste të rralla, sipas ekspertëve, kur njeriu bie në kontakt të ngushtë me shpendët e infektuar, ose me sipërfaqe të ndotura nga feçet apo sekrecionet e tyre.
Megjithatë, zyrtarisht konfirmohet se në vendin tonë nuk ka asnjë person të prekur.
“Instituti i Shëndetit Publik ka kryer kontrollin dhe marrjen e kampioneve nga njerëz në vatrat dhe zonat e kontaktit, të cilat deri tani kanë rezultuar negative”, konfirmon MBZHR.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural shton se ka mbledhur në mënyrë ditore Qendrën Kombëtare të Krizës me përfaqësues nga Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, për një koordinim të procesit në rrugë ndërinstitucionale.
Ndërkohë janë në fuqi urdhrat e menjëhershëm të ministrit, për ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në territorin e: Njësisë Administrative Vlorë; Njësisë Administrative Qendër; Shushicë; Orikum; Kotë; Paskuqan; Dajt; Tiranë; Farkë; Bërxull; Vaqarr; Kashar; Kamëz; Zall-Herr; Zall-Bastar.
***
Pyetje të Shpeshta rreth Influencës Aviare – Informacioni i përgatitur nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë
P1: Çfarë është Influenca Aviare?
P: Influenca Aviare (IA) është një sëmundje virale me ngjitshmëri të lartë, që prek një sërë speciesh të shpendëve shtëpiake, si dhe zogjve që mbahen si kafshë shtëpiake dhe atyre të egër në sistemin e frymëmarrjes, tretës dhe/ose atë nervor. Ajo shkaktohet nga Virusi i Influencës i Tipit A. Influenca Aviare njihet ndryshe dhe si “Gripi i Shpendëve”.
P2: Çfarë nënkuptohet me influencë aviare me patogjenicitet të ulët dhe të lartë?
P: Ekzistojnë një sërë shtamesh të viruseve të IA-së që mund të klasifikohen në dy kategori sipas shkallës së sëmundjes që shkaktojnë te shpendët: me patogjenicitet të ulët (LPAI), që zakonisht shkaktojnë pak ose aspak shenja klinike te zogjtë, dhe me patogjenicitet të lartë (HPAI), që mund të shkaktojnë shenja të rënda klinike dhe përqindje të lartë vdekshmërie te zogjtë.
P3: Cilat janë shenjat e infektimit me influencë aviare te zogjtë?
P: Shenjat kryesore klinike të HPAI-së te zogjtë përfshijnë:
- Depresion/letargji
- humbje të oreksit dhe etje të shtuar
- ënjtje të kokës
- çngjyrosje në ngjyrë blu të xhufkës së kokës, lafshës, qafës dhe grykës
- vështirësi në frymëmarrje, si mbajtja hapur e sqepit, kollitja, teshtima, gurgullima, rale
- diarre
- reduktim/pamundësi e prodhimit të vezëve
- Vdekje e papritur.
Zakonisht, influenca aviare me patogjenicitet të ulët (LPAI) është më pak serioze. Ajo mund të shkaktojë probleme me frymëmarrjen, depresion dhe reduktim të prodhimtarisë. Megjithatë, zogjtë e prekur nuk shfaqin gjithmonë shenja të qarta infeksioni.
P4: Si përhapet influenca aviare?
P: Të gjitha viruset e influencës aviare mund të transmetohen ndërmjet zogjve nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore nga zogjtë e infektuar, si glasat, ose nëpërmjet ushqimit, ujit, pajisjeve dhe veshjeve të kontaminuara të njerëzve. Viruset mund të transmetohen edhe ndërmjet vendeve të ndryshme si pasojë e lëvizjes së zogjve të gjallë, njerëzve (mjetet dhe veshjet e punes) dhe nga pajisjet, ushqimet dhe kafazet e kontaminuara.
P5: A mund të përhapet influenca aviare nëpërmjet ajrit?
P: Jo, IA-ja nuk është një sëmundje që përhapet nëpërmjet ajrit. Sikurse u theksua më lart, duhet të ndodhë kontakt i drejtpërdrejtë me zogjtë e prekur ose materialet e kontaminuara në mënyrë që sëmundja të përhapet te zogjtë.
P6: A mund të transmetohet influenca aviare nga zogjtë e prekur te njeriu?
P: Mundësia e transmetimit të Influencës aviare në njerëz është e rrallë. Zakonisht, nevojitet kontakt shumë i ngushtë ndërmjet personit dhe zogjve të infektuar.
P7: A mund të transmetohet influenca aviare te njeriu nëpërmjet ushqimit?
P: Nuk ka asnjë dëshmi që influenca aviare mund të transmetohet te njeriu nëpërmjet konsumit të ushqimeve të gatuara në mënyrën e duhur.
P8: A është i sigurt konsumimi i mishit të shpendëve?
Po. Deri më sot, nuk ka të dhëna epidemiologjike që sugjerojnë se sëmundja mund të transmetohet te njerëzit nëpërmjet ushqimit të gatuar në mënyrën e duhur (edhe nëse ka ndodhur kontaminim nga virusi përpara gatimit).
Shpendët dhe produktet e shpendëve mund të përgatiten dhe konsumohen si zakonisht, për sa kohë që trajtohen në mënyrë higjienike kur janë të gjalla, dhe gatuhen plotësisht përpara konsumit.
Temperaturat normale të gatimit prej 70°C e lart e çaktivizojnë virusin, ndaj, konsumi i mishit të shpendëve i gatuar siç duhet nuk përbën risk për infektim. Mishi i shpendëve duhet të gatuhet plotësisht, në mënyrë që të arrijë një temperaturë prej të paktën 70°C në të gjitha pjesët, duke siguruar që të jetë plotësisht i nxehtë deri në brendësi, të mos ketë pjesë të gjalla në ngjyrë rozë dhe deri sa lëngjet të bëhen të tejdukshme.
Duhet të respektohen praktikat normale të higjienës lidhur me trajtimin e mishit të gjallë të shpendëve. Duart, enët dhe sipërfaqet duhet të pastrohen plotësisht pas kontaktit me produktet e gjalla të shpendëve; si dhe duhet që ushqimi i gjallë të jetë i veçuar në mënyrë të përshtatshme nga ushqimet e gatuara ose gati për t’u ngrënë.
Ka pasur raportime të disa rasteve te njeriu, që me gjasë lidhen me konsumin e përbërësve të gjallë të shpendëve (p.sh. gatimet e gjalla me bazë gjaku). Prandaj, duhet të theksohet se konsumi i çfarëdo përbërësi të gjallë të shpendëve duhet të konsiderohet si praktikë me risk të lartë dhe të mos inkurajohet. Ky është një mesazh me rëndësi jo vetëm për influencën aviare, por gjithashtu për të parandaluar një sërë sëmundjesh të tjera që transmetohen nëpërmjet produkteve të gjalla ose të pagatuara plotësisht të shpendëve.
P9: A janë vezët të sigurta për t’u konsumuar?
Konsumatorët, furnizuesit dhe prodhuesit e ushqimeve duhet t’i përdorin dhe konsumojnë vezët si normalisht, duke ndjekur praktikat e mira të higjienës. Duhet të përdorni sapun dhe ujë të ngrohtë për të larë duart pasi keni prekur vezë të gjalla, si dhe për të pastruar sipërfaqet dhe enët që kanë pasur kontakt me vezët e gjalla. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këshillon që, vezët të gatuhen deri sa e verdha dhe e bardha të jenë plotësisht të ngurta.
Sikurse për mishin e shpendëve, nuk ka asnjë dëshmi që virusi i influencës aviare transmetohet te njeriu nëpërmjet konsumit të mishit të shpendëve apo vezëve të gatuara siç duhet. Për sa u përket njerëzve, risku vjen si pasojë e kontaktit të ngushtë me zogjtë që janë të sëmurë, jo nga konsumi i mishit të shpendëve apo i vezëve.
P10: Cilat janë praktikat e mira të rekomanduara të higjienës që duhet të ndjek gjatë trajtimit/përgatitjes së mishit të shpendëve ose vezëve?
Praktikat e mira normale të higjienës rekomandohen për të reduktuar ekspozimin ndaj virusit dhe për të reduktuar përhapjen nëpërmjet ushqimit:
- Lani duart me ujë të ngrohtë dhe sapun pasi të keni prekur vezë ose mish të gjallë shpendësh
- Pastroni enët dhe sipërfaqet që kanë pasur kontakt me vezët ose me mishin e gjallë të shpendëve duke përdorur sapun dhe ujë të ngrohtë
Veçoni vezët ose mishin e gjallë të shpendëve nga ushqimet që nuk do të gatuhen plotësisht përpara konsumit, në mënyrë që të shmangni përhapjen e kontaminimit:
- Përdorni sipërfaqe prerjeje, thika dhe enë të veçanta për ushqimet gati për t’u ngrënë dhe vezët e mishin e gjallë të shpendëve (përveçse kur pastrohen siç duhet ndërmjet përdorimeve, me sapun dhe ujë të ngrohtë)
- Ruajeni mishin e gjallë të shpendëve në enë të mbyllura, në raftin e fundit të frigoriferit, në mënyrë që lëngjet të mos pikojnë mbi ushqimin gati për t’u ngrënë
P11: A janë zogjtë e egër të rrezikuar?
P: Shpendët shtegtarë të ujit, veçanërisht rosat e egra, janë një rezervuar natyror i virusit të influencës aviare. Zogjtë e egër mund ta mbartin virusin e IA-së nga njëra zonë në tjetrën nëpërmjet procesit të shtegtimit, ndaj përbëjnë një faktor risku me rëndësi, që duhet të merret në konsideratë në përhapjen e influencës aviare.
P12: Kujt i takon përgjegjësia për të kontrolluar influencën aviare në Shqipëri?
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është përgjegjëse për hartimin e politikave dhe AKVMB-ja është përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe kontrollin e influencës aviare te zogjtë dhe gjitarët e tjerë jonjerëzore.
P13: Si duhet të veproj nëse shoh kafshë/shpend të ngordhur?
Kontaktoni Veterinerin e Shërbimit Veterinar (AKVMB) për ta njoftuar për çdo rast që shihni Kafshë/shpendë të sëmurë/oborresh, zbukurimi e të egra.
P14. A më mbron vaksina e gripit të njeriut nga influenca aviare?
P: Jo, vaksina e gripit ju mbron vetëm nga infektimi me shtame të virusit të gripit të njeriut, që përfshihen në vaksinën e gripit të njeriut.
Discussion about this post