Blendi Gonxhe është formalisht ministër i Kulturës dhe Ekonomisë, por de facto është ‘ministër i tenderave të republikës”. Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) që është në varësinë e tij, tenderon fondet e të gjitha institucioneve qeveritare. Shumica e këtyre tenderave janë shpërdorime që nuk kanë lidhje me jetën e qytetarëve, por pasurojnë zyrtarët dhe bizneset që favorizohen në këto tendera.
Një tender i tillë u anulua para disa ditëve. Objekti i prokurimit: “Shërbime, materiale promocioni për Agjencinë Për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. Fondi limit është 16145866 lekë, ndërsa po t’i shtojmë TVSH, vlera e projektit arrin në 194 milionë lekë.
OBP e Gonxhes e ka anuluar tenderin me një njoftim në Agjencinë e Prokurimeve Publike, ku jep si arsye mosparaqitjen e asnjë oferte të përshtatshme.
Por e vërteta është ndryshe. Pazari i Blendi Gonxhes për llogari të një institucioni tjetër është lënë në mes për momentin për arsye se një nga operatorët ka denoncuar parregullsitë e procedurës së prokurimit. Në këto kushte, KPP ka urdhëruar anulimin deri në përfundim të shqyrtimit të çështjes.
Tenderi u hap më 5 nëntor 2024 dhe data e fundit e dorëzimit të ofertave ishte më 5 dhjetor. Denoncimi në KPP u krye nga kompania OPTIMA COMMUNICATION më 9 janar 2025 dhe u protokollua nga Komisioni i Prokurimeve Publike një ditë më pas.
Do të presim në ditët në vijim për vendimin e KPP, por rëndësi ka që ka dalë një pengesë ose një vonesë në kryerjen e këtij tenderi që harxhon paratë e taksapaguesve për projekte të kota pa asnjë vlerë.
Ç’është kjo agjenci që harxhon afro 200 milionë lekë?
Keni dëgjuar ju se ç’është një agjenci për… Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore?! Ne gjetëm pak informacion për agjencinë dhe kjo do ta bëjë më të kuptueshme për lexuesin se kush fshihet pas këtij tenderi.
Kur Arbjan Mazniku u emërua ministër i Pushtetit Vendor dukej si një peshk pa ujë, nëse e krahasonim me Bashkinë e Tiranës, ku ishte nënkryetar dhe kishte në dorë projekte e tendera pa fund!
Dhe kush kërkon gjen. Aty nga viti 2016 ishte krijuar një tip këshilli për pushtetin vendor: Këshilli Konsultativ i Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore. Ky përbehej nga një tufë zëvendësministrash dhe drejtohej nga Ministri i Brendshëm. Nuk dihet nëse është mbledhur ndonjëherë, por duket një organizëm i pakuptimtë, sepse për këtë punë janë prefektët dhe ministri përkatës.
“Kuptimin” këtij këshilli ia jep Arbjan Mazniku, që prej shtatorit 2023 mban postin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. Ky i propozon kryeministrit Rama të shtojë një fjali në shkresën e vjetër dhe del “vendimi i ri” për këtë organizëm ku shtohej krijimi i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Kjo ndodhi më 4 prill 2024 dhe me shpejtësi, Mazniku organizoi krijimin e Agjencisë që i ka zyrat tek ish Hoteli i Ushtarakëve në Tiranë.
Drejtor i përgjithshëm është emëruar Ermal Elezi, i cili vinte bashkia Tiranë, ku ishte administrator që udhëhoqi ngritjen e tregut publik të shumicës në Tiranë.
Pra OBP po e bën këtë tender për nevojat e Arbjan Maznikut!
Ngjashmëria e Maznikut me Beqajn
Koha e krijimit të agjencisë përkon me akordimin e projekteve “6+1” të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Më parë për këto projekte përgjigjej institucioni që drejtonte Ilir Beqaj i cili drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, e njohur edhe si State Agency for Strategic Programming and Aid Coordination, (SASPAC), në varësi të Kryeministrit.
Pas arrestimit dhe diskreditimit të Beqajt prej skandalit të harxhimit të fondit 500 mijë euro të BE-së për dreka dhe darka në lokalin e tij “Gzona”, duhej një agjenci e re pa “biografi tw keqe” për të thithur projektet. Kështu hyri në lojë Mazniku. Duke qenë se agjencia nuk ka CV, këto 200 milionë lekë justifikohen me prodhimin e propagandës “për punën mbështetëse për vetëqeverisjen lokale”.
Në dokumentet e këtij tenderi. Agjencia kërkonte kryerjen e videove rreth 2-3 minuta, me cilësi shumë të mirë.
“Teksti i shkruar duhet të jetë i pranishëm si subtitle dhe të përfshijë informacionin kyç në shqip dhe në anglisht, kur është e nevojshme, madje duhet edhe një ekip profesionist me përvojë në regjistrimin e videos. Kërkohen 5 video prezantuese, për promovimin e aktiviteteve të realizuara nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, ku të evidentohen asistenca dhe mbështetja e institucionit kundrejt bashkive” thuhej në dokumente.
Kërkohej një kompani që t’u bënte edhe mbledhjet. “Kërkohet një organizator për 10 mbledhje të Këshillit Konsultativ, ku 6 takime në Tiranë dhe 4 takime në qytete të tjera me distancë 20-80 km dhe 2 takime në qytete të tjera me distancë 81-280 km nga Tirana. Kërkohet rezervim salle për 1/2 ditë, me kapacitet 60 – 80 persona. Foni për sallën, projektor ose ekran të madh qendror. Kafe, çaj, ujë, biskota, kek për pjesëmarrësit. Kërkohen të zhvillohen edhe 10 evente në Tiranë” shkruhej në dokumente.
Lista vijonte edhe me kërkesën për transportin e 30 personave jashtë Tirane në distancë 150-200 km larg. “Akomodim në hotel për 40 persona, 2 ditë qëndrim dhe 1 natë fjetje. Ushqim për pjesëmarrësit për 4 vakte (drekë, darkë, mëngjes, drekë). Rezervim salle 2 ditë”, thuhet në një nga kërkesat.
Ngjashmwria tjetwr mes Beqajt dhe Maznikut, wshtw se edhe ky i fundit ka njw lokal qw e pwrdor pwr festat e bashkisw. Shpenzimet e bashkisë së Tiranës në një restorant në pronësi familjare të ish-nënkryetarit të bashkisë, aktualisht Ministër i Shtetit për Qeverisjen Vendore, Arbjan Mazniku dhe lidhjet e këtij investimi me një tender të kompanisë publike, Tirana DC (në varësi të bashkisë) kanë ngritur pikëpyetje për konflikt interesi.
Natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor 2023, një grup zyrtarësh u mblodhën për të trokitur gotat tek “The Home” – një restorant komod i frymëzuar nga bistrot pariziene në zemër të Pazarit të Ri në Tiranë, raportoi BIRN.
Darka përbëhej nga 55 persona dhe u pagua nga Bashkia e Tiranës me një faturë prej 236 mijë lekësh në total.
The Home është në pronësinë familjare të Arbjan Maznikut dhe Endri Fugës; i pari mban postin e ministrit të Shtetit për Qeverisjen Vendore dhe i dyti këshilltari i kryeministrit Edi Rama dhe drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim. Në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, kompania është regjistruar në pronësinë e bashkëshorteve të tyre, Marinela Lika me 50% të aksioneve dhe Besa Fuga me 50%.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post