Në fjalën e tij në tryezën e organizuar nga Partia Demokratike mbi çështjet e sigurisë dhe rendit , lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha theksoi se si policia e shtetit, ky institucion dikur i ndërtuar mbi parime të forta bashkëpunimi ndërkombëtar dhe përkushtim ndaj ligjit, është degraduar nën drejtimin e qeverisë aktuale nga Edi Rama.
Duke nisur me Saimir Tahirin, të cilin e quajti “gangsterin e parë” që hapi dyert për një epokë kriminalizimi, Berisha akuzoi gjithë pasardhësit e tij si pjesë të kësaj spiraleje korruptive. Ministri i Brendshëm aktual dhe drejtori i policisë u përshkruan si figura të inkriminuara, të lidhura me banda dhe të përfshira në veprime korruptive e kriminale.
Ai shtoi se kryeministri Edi Rama në raport me krimin, në historinë kombëtare mund të krahasohet vetëm me Mehmet Shehun dhe Enver Hoxhën, që sipas tij, rrethoheshin nga vrasës dhe kriminelë.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju, për të gjithë anëtarët e Policisë së Shtetit, që u larguan nga krimi që erdhi në pushtet nga kjo polici, për shkak të kontributit të çmuar që ata dhanë në luftën kundër kriminalitetit, në sigurimin e jetës dhe veprimtarive të qytetarëve shqiptarë.
Dua të përshëndes me këtë rast edhe të gjithë ata anëtarë të Policisë së Shtetit që janë sot në detyrë, por që kanë arritur mes vështirësive të jashtëzakonshme të qëndrojnë të papërkulur, para krimit dhe lidhjeve të tmerrshme të tij. Ti siguroj se ata kanë dhe do të kenë, vlerësimin më të madh.
Edi Rama betejën e tij, për krijimin e narkoshtetit e nisi kundra jush, kundra Policisë së Shtetit. Për këtë qëllim ai vendosi në krye të ministrisë së Rendit, një gangster, një trafikant, një ordiner siç ishte Saimir Tahiri, i cili ishte edhe politikani i parë shqiptarë që do të blinte skafin e trafiqeve, personal.
Me vendosjen e një eksponenti të krimit në krye të Ministrisë së Rendit, Rama dhe mëkëmbësi i tij filluan operacionin e spastrimit të policisë nga qindra oficerë të guximshëm, trima që i bënë vendit shërbime të jashtëzakonshme, duke asgjësuar dhe vendosur para ligjit mbi 206 grupe dhe organizata kriminale më të rrezikshme në Shqipëri dhe në rajon.
Ndërkohë pasi bën këtë spastrim të radhëve të policisë, ata rekrutuan malavitën me të cilën erdhën në pushtet dhe nisën haptas, publikisht, zyrtarisht e narkoshtetit me kanabizimin e të gjithë Shqipërisë.
Ata rikthyen në detyra, të gjithë ish-trafikantët, ish-oficerët e inkriminuar të larguar nga detyra jo vetëm nga qeveria e PD, por e vërteta të larguar nga detyra edhe nga qeveritë socialiste para saj.
Njëri pas tjetrit, ministrat që erdhën pas gangsterit të parë dhe trafikantit Tahiri, ishin jo më pak trafikant dhe delikuent se sa ai, nga i pari tek i fundit. Ata janë të njohur për publikun.
Por ç’mund të them unë për këtë të fundit?
Ky është ministri me tre mbiemra dhe disa vila. Ky ka qenë një gjobëvënës i neveritshëm në Policinë Rrugore, dhe në çdo detyrë ka funksionuar si delinkuent i vërtetë.
Drejtori aktual Proda, bashkëpunëtor i ngushtë i bandave më të rrezikshme të Shqipërisë, atyre në Elbasan, edhe sot e kësaj dite telefonin e ka në duart e prokurorisë, sepse komunikimet e tij kriminale, tashmë janë të njohura, por natyrisht Skapi i partisë e ka me regji edhe akuzën, ndaj dhe ajo përdoret. Telefoni i sekuestruar i tij nga drejtësia, përdoret për ta marrë peng atë për ta përdorur dhe keqpërdorur në radhë të parë, kundër misionit të Policisë së Shtetit dhe pastaj në funksion të partisë shtet.
Vitet 2014-2024 ishin dhjetëvjeçari i zi për Policinë e Shtetit, 10-vjeçari në të cilin edhe për shtetin shqiptar, 10-vjeçar në të cilin shteti dhe krimi, krimi dhe shteti u shkrinë në një sipërmarrje të përbashkët, siç dëshmojnë rezolutat tashmë të organizatave më të fuqishme ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë.
Dhe e vërteta më dramatike, më tragjike është, kjo sipërmarrje e përbashkët krim-pushtet, pushtet-krim.
Discussion about this post