Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët ka folur për shëndetësinë në Shqipëri. Berisha tha se, fatkeqësisht shëndetësia në vendin tonë, është kthyer në vitet ’60 të shekullit të kaluar.
‘Shqiptarët jetojnë 7 vite më pak dhe paguajnë 3 herë më shumë se gjermanët’, theksoi kryetari i PD-së, gjatë fjalës së tij.
Deklarata
Shërbimi shëndetësor i shqiptarëve ka njohur një degradim katastrofal dhe në disa tregues themelorë është rikthyer në vitet ’60.
Së pari, në qoftë se ky shërbim ka si qëllim kryesor luftën kundër sëmundjeve, zgjatjen e jetës dhe zhvillimin e shëndetit dhe promovimin e tij, sot qytetarët shqiptarë jetojnë 7 vite më pak se qytetarët e BE.
Së dyti, në njërin prej treguesve më themelorë të sistemit shëndetësor, por edhe të sistemit shoqëror në shoqëri, që është vdekshmëria foshnjore, Shqipëria është 3 herë më keq se Mali i Zi, se duhet të krahasohemi me rajonin, dhe dy herë më keq se vendet e tjera të rajonit, po të mos shkuar në vendet anëtare të BE.
Së treti, dhe aty ku Shqipëria ka zbritur në nivelin e viteve 1960, janë numri i mjekëve dhe infermierëve për frymë. Sot shqiptarët kanë 2.5 herë më pak mjekë dhe infermierë se qytetarët e BE. Në qoftë se në vitin 2013, qytetarët shqiptarë kishin një mjek për 600 banorë, sot qytetarët shqiptarë janë rrokullisur dhe kanë një mjek për 1100 banorë.
Shqiptarët vdesin sot nga sëmundjet e zemrës 1.8 herë më shumë se sa qytetarët e BE.
Ata vdesin nga sëmundjet malinje, dy herë më shumë se qytetarët e BE, për shkak të keqtrajtimit të këtyre sëmundjeve siç jeni njohur ju.
Shqiptarët kanë sot dy herë më pak spitale dhe shtretër spitalorë se vendet e tjera të rajonit dhe të BE.
Shqiptarët, të cilëve iu premtua shëndetësi falas, paguajnë sot për kujdesin e tyre shëndetësor, 5 herë më shumë se gjermanët, 3 herë më shumë se italianët. Paguajnë nga xhepi i tyre 60 përqind të shpenzimeve që nevojiten për sistemin shëndetësor.
Këto tregues dëshmojnë për një rrokullisje të madhe, një degradim të shpejtë dhe të rrufeshëm të sistemit shëndetësor.
Shqipëria që në vitin 2012-2013, renditej në një nga vendet me eksesin më të mirë në shërbimin shëndetësor, sot është vendi i eksesit të munguar dhe pabarazisë më të madhe të shërbimit shëndetësor.
Problematika të tjera të mëdha janë cilësia e dobët e shërbimit shëndetësor. Ka një mungesë të madhe, të ndjeshme, të standardeve të funksionimit të shërbimit shëndetësor, qoftë në sektorin publik, po edhe në atë privat.
Efikasiteti i punës së këtij shërbimi është shumë i ulët. Është zhvilluar këto vite një mafie e tmerrshme midis sektorit publik dhe privat, i cili ka vetëm një qëllim, grabitjen më të madhe të mundshme të pacientëve në Shqipëri.
Oferta për të është mediokër ose krejtësisht jocilësore.
Centralizimi në sistemin publik ka ekuivalent vetëm Korenë e Veriut.
Financimi është qesharak dhe i papërfillshëm.
Shqipëria financon shëndetësinë 2-3 herë më pak se vendet e rajonit.
Fola për burimet njerëzore, që kanë një eksod masiv, për shkak të rrogave të papranueshme.
Mungesë e plotë e dixhitalizimit. Mjekët shqiptarë janë të vetmit në Europë e shumë më gjerë, që mbushin kartela me dorë. kartela dixhitale që në vitin 2013 ishte e përfunduar gjithçka, u arkivua dhe vazhdohet me kartelën manuale me letër.
Sistemi i shkëmbimit të informacionit shëndetësor, i cili u nis me një kredi të qeverisë austriake prej 14 milionë euro, nuk sosi kurrë dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Discussion about this post