Nga njëra anë hetohet për paratë e korrupsionit në KESH, nga zyra e kryetari i të bashkisë Shkodër, Benet Beci, vazhdon të firmosë tendera abuzivë. Së fundmi, kryetari ka autorizuar dhënien e 1 miliard lekëve biznesmenit Pjetër Trashaj për “mirëmbajtjen e lulishteve”.
A është ky një koncesion i pashpallur?
Tenderi për mirëmbajtjen e lulishteve është një koncesion i pashpallur me të cilin po favorizohet biznesmeni Trashaj. Ky shërbim bëhet nga vetë bashkia me anën e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, e cila bashkë me drejtorin kishte të paktën 63 punonjës. Çfarë do të bëhet me këtë drejtori? Referuar faqes zyrtare të Bashkisë Shkodër, në organigramë ndodhet akoma Ndërmarrja e Shërbimeve Publike. (dokumenti i mëposhtëm).
Por në urdhrin e firmosur nga Bebet Beci me lëndë “Struktura Organizative 2025”, kjo ndërmarrje është zhdukur nga harta dhe rezulton si sektor në varësi të Burimeve Njerëzore, me 13 punonjës.
Kjo është kompetencë e kryetari dhe e këshillit bashkiak, por çuditemi se si një shërbim jetik që bashkia e siguron për qytetarët, ta kalojë tek privati. Para së gjithash, a janë dakord qytetarët me këtë koncesion të pashpallur? Janë mbi 1 miliardë lekë që i jepen një kompanie private për 3 vjet, që do të paguhen nga paratë e taksapaguesve!
Sipas kontratës, shërbimi i mirëmbajtjes së lulishteve të Shkodrës i kalon kësaj kompanie. Dhe për 3 vjet, me kaq lekë do të mbillen vetëm 40 pemë të reja dhe 100 shkurre dekorative.
Tenderi me “Flamur të kuq”
Do të ishte mirë që SPAK kur heton një zyrtar, të marrë masë sigurimi edhe heqjen e të drejtës për të bërë tendera.
Duke qenë se kryetari ka në mendje vetëm pazarin me firmën e favorizuar, tenderi është krejtësisht fiktiv. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, ky është përshkrimi për tenderin. Open Data Albania e ka vlerësuar tenderin me “Flamur të kuq” për të treguar riskun e korrupsionit.
Objekti i tenderit është “Mirëmbajtje e sipërfaqeve të gjelbra dhe ujore”. Ndërsa burimi i financimit është Buxheti i Bashkisë Shkodër sipas VKB nr. 55, dt. 29.12.2024 për miratimin e buxhetit të vitit 2024 dhe programit buxhetor afatmesëm përfundimtar 2024 – 2026 të Bashkisë së Shkodrës”.
Kështu, më 19 nëntor 2024 është njoftuar hapja e tenderit me fond limit 106 247 112,00 lekë. Në mirëmbajtjen e lulishteve janë klasifikuar 41,451 m2 ku përfshihen kopshtet dhe parqet urbane me sipërfaqe më të madhe se 5000 m2. Po ashtu futen në këtë objekt edhe 26,684 m2 zona të gjelbra të lagjeve, rreth rrotullime dhe parqe lojërash.
Mirëmbajtja e sipërfaqeve ujore përfshin shatërvanët dhe sipërfaqja ujore në plazhin e Velipojës që do të pastrohet 4 herë gjatë sezonit.
Është interesante se në tre vjet kompania private do të mbjellë vetëm 40 copë drurë dekorativ (në lulishte dhe gjelbërim rrugor). Në këtë zë janë parashikuar të mbillen 100 copë shkurre dekorative në vit.
Dhe të gjitha këto punë, operatori ekonomik ofertues do t’i bëjë me 25 punonjës!
Data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte më 20 dhjetor 2024 dhe shfaqën interes tre subjekte private.
Operatori ekonomik “A l b G a r d e n”; bashkimi i operatorëve ekonomik “Gjelbërimi 2000” sh.p.k dhe operatori ekonomik “AXIS GROUP”; si dhe operatori ekonomik “MALVIN” sh.p.k..
“ALBGARDEN” SHPK ka bërë ofertën më të lartë 100 867 170,00 lekë pa TVSH. Ndërsa bashkimi “Gjelbërimi 2000” sh.p.k dhe “AXIS GROUP” ofruan ta bëjnë këtë punë me 98,816,877 lekë pa TVSH. Një ofertë akoma më ekonomike ishte propozuar nga operatori ekonomik “MALVIN” sh.p.k. Vlera e ofertës ekonomike ishte 95,493,930 lekë pa tvsh.
Komisioni i bashkisë skualifikoi bashkimin e operatorëve se nuk kishte një dokument. “Mungon Tabela 1 për punonjësit”, argumenton komisioni. Ndërsa “Malvin”, sipas komisionit, aktualisht po realizon një kontratë të njëjtë për “Shërbimin e mirëmbajtjes së sipërfaqeve të gjelbra dhe varrezave në qytetin e Lezhës”.
Në këto kushte, kur bie konkurrenca, në respekt të frymës së ligjit mbi prokurimet, masa e duhur do të ishte anulimi i tenderit. Por porosia e Becit duhet të ketë qenë vazhdimi me një pjesëmarrës. Në këto kushte, më 21 janar 2025 është lidhur kontrata me kompaninë e Pjetër Trashajt.
Trashaj me dy kunguj në një sqetull
Ka fakte që tregojnë se komisioni i Becit nuk i ka trajtuar në mënyrë të barabartë pjesëmarrësit në këtë tender. Konkretisht, kompania “Albgarden” gjendet e angazhuar në një kontratë tjetër, që ia ka dhënë Erion Veliaj në bashkinë Tiranë.
Kështu, më 22 tetor 2024, kompania e Pjetër Trashajt ka marrë tenderin 583 milionë lekë “Blerje drurë dhe shkurre dekorative” që ka afat 2 vjet. Edhe në këtë kontratë kërkohen të angazhohen 25 punonjës.
Pra, ku do të shkojnë më parë punonjësit: të mirëmbajnë lulishtet e Shkodrës, apo të mbjellin pemët e Veliajt në Pyllin Orbital të Tiranës? Theksojmë se edhe këtë tender, Trashaj e ka marrë me “Flamur të kuq” pasi është favorizuar nga komisioni në shkelje të ligjit mbi prokurimet.
Kontrata e firmosur me Trashajn nga Bashkia Tiranë ka kaluar pas asnjë kontroll nga Agjencia e Prokurimit Publik. Kontrata është hartuar shkel e shko, sepse ndërkohë që njoftimi i fituesit cakton afatin 2 vjet, nuk ka një kalendar të furnizimit nga operatori përfitues.
Trashaj merr paratë, nuk i zbaton kontratat
Biznesmeni Pjetër Trashaj është akuzuar vazhdimisht se nuk i zbaton kontratat, mashtron me informacionet në tendera, përfiton për punë të pakryer dhe mbi të gjitha opozita e ka akuzuar se merrte tendera në konflikt interesi, pasi i biri ishte funksionar në Ministrinë e Mjedisit, pas vitit 2014. Sidomos, opozita e ka treguar gishtin tek kjo kompani si përgjegjëse për dështimin e projektit të ripyllëzimit në Lurë, ku y shpenzuan 1.2 milionë euro.
Edhe vitet e fundit ka vazhduar e njëjta histori, kompania merr fonde të mëdha me ndërhyrje dhe favorizime.
Në vitin 2017, Pjetër Trashaj mori në tender nga Bashkia Sarandë, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit i gjeti se Alb Garden i kishte shkaktuar buxhetit 5 milionë lekë dëme.
Duke u bazuar në rekomandimet e lëna nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në këtë Bashki, është urdhëruar që Bashkia Sarandë t’i kërkojë shoqërisë pagimin e dëmit në masën 557.760 lekë si kamatë vonesa për shkeljet e afateve kontraktore. (Raporti i KLSH-së sipas programit të kontrollit nr. 1236/14 prot., datë 28.04.2017).
Trashaj jo vetëm që nuk i paguante detyrimet dhe taksat në këtë bashki, por kërkonte të merrte një tender tjetër nga ky institucion. Me të drejtë, bashkia e përjashtoi nga tenderi. Por Trashaj kishte miq në Tiranë në Komisionin e Prokurimit Publik. Kryetari i asaj kohe në KPP, Evis Shurdha me 19 prill 2018, merr vendimin epik sipas të cilit, “përgjegjësinë e ka bashkia Sarandë që nuk e ka mbledhur detyrimin”, jo operatori që nuk paguan taksat.
Megjithë këto probleme ligjore, Trashaj ka vazhduar të favorizohet sidomos nga Erion Veliaj, pavarësisht problemeve ligjore. Shembulli i freskët ishte vitin e kaluar
Një nga përplasjet ishte për tenderin me objekt “Furnizim-Vendosje drurë-shkurre dekorative për nevoja të DPPGJ”, i zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit, nën varësi të Bashkisë Tiranë. Kjo është një drejtori tjetër e Veliajt që blen pafund pemë për pyllin virtual që ekziston vetëm nëpër foto.
Tenderi u fitua fillimisht më datë 29 korrik 2023, pa garë gare nga kompania e oligarkut Shkëlqim Fusha, “Fusha shpk”.
Prokurimi mori “Flamurin e kuq” nga Open Data Albania për shkak se Veliaj e shpalli fituesin pa garë, duke skualifikuar dy ofertat më të ulëta.
Ishte firma “Albgarden”, e cila bëri një denoncim për këtë tender. Kompania me pronar Pjetër Trashajn pretendonte se Autoriteti Kontraktor ka vendosur kritere që favorizojnë vetëm një operator, i cili është paracaktuar më herët si fitues. Kjo e inatosi Veliajn, se në mes të pazarit ishte Fusha. Në këto kushte Bashkia kërkoi në APP përjashtimin e kësaj kompanie nga tenderat sepse “mashtronte me informacionet”. Kështu, firma “Albgarden” u përjashtua për një vit nga tenderat.
Në vendimin më sipër shohim qartë ku thuhet se “Albgarden” nuk duhet të marrë pjesë në asnjë garë për tenderët që do të zhvillohen, pasi është e përjashtuar nga kjo mundësi për një afat kohor 1-vjeçar. Ky vendim i APP është dhënë në fillim të tetorit, ku shpjegohej që nga data 10 tetor 2023 deri në 10 tetor 2024. Tani nuk keni pse habiteni se si Beci i jep Trashajt mbi 1 miliard lekë nga arka e bashkisë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post