Autoriteti i Konkurrencës njoftoi sot se ka hapur hetim paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare në vend.
Sipas këtij institucioni, Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e 29 Janarit, mori në shqyrtim raportin e Sekretariatit të Konkurrencës për hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Nisur nga disa ankesa të paraqitura pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi rritjen e çmimit të paketave me parapagesë nga ndërmarrja Vodafone Albania, si dhe të ankesave në vijim gjatë viti 2024 për ndërmarrjen One Albania SHA, Autoriteti i Konkurrencës në bazë të nenit 28 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, realizoi një monitorim në këtë treg, i cili konsistoi në vlerësimin e sjelljes së ndërmarrjes Vodafone Albania dhe One Albania.
Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit, u konstatua se sjellja e ndërmarrjes Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare mund të përbëjë kufizim të konkurrencës në kuptim të nenit nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 27.03.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Sipas këtij institucioni, tregu i telefonisë celulare ka qenë dhe mbetet një treg në fokus të veçantë të Autoritetit të Konkurrencës, me qëllim mbrojtjen e konkurrencës dhe të konsumatorit.
Në përfundim, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1156, datë 29.01.2025, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania.
Ky hetim do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024.
Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka publikuar ende vendimin e plotë, me analizën dhe argumentimin e shkaqeve që çuan në hapjen e hetimit paraprak.
Shpenzimi mesatar për shërbimet celulare u rrit për të tretin vit radhazi në 2023
Shpenzimi mesatar i shqiptarëve për shërbimet celulare u rrit për të tretin vit radhazi në 2023. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), çdo përdorues shpenzoi mesatarisht më shumë se 7900 lekë për shërbime të komunikimeve celulare, 16% më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo vlerë mbështetet në treguesin e të ardhurave mesatare për përdorues të operatorëve celulare (ARPU) dhe llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me numrin total të përdoruesve aktivë.
Gjithashtu, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për çdo minutë thirrje celulare për vitin 2023 u rrit në 4.78 lekë për minutë, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë. Kjo vlerë bazohet në treguesin e të ardhurave mesatare për minutë (ARPM), që llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse dhe tregon të ardhurat e sipërmarrësit për një minutë.
Ulja e numrit të operatorëve në treg, përfitueshmëria e dobët e dekadës së fundit dhe nevoja për investime të reja pas kalimit në teknologjinë 5G kanë dhënë një ndikim të prekshëm në rritjen e tarifave të komunikimit. Operatorët celularë kanë rritur çmimet për paketat bazë të komunikimit me parapagesë me të paktën 100-200 lekë në 2-3 vitet e fundit, por ndërkohë kanë ulur edhe njësitë e përfshira të komunikimit në to, si një formë për të nxitur përdoruesit të lëvizin drejt paketave me çmim më të lartë.
Qysh në vitin 2023, rezultati financiar i operatorëve celularë ka filluar të përmirësohet.
Sipas informacionit të raportuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), dy operatorët celularë fituan gjithsej 619 milionë lekë për vitin 2023, ndërsa viti 2022 ishte mbyllur me humbje neto në vlerën e 499 milionë lekëve.
Vodafone Albania arriti një fitim neto në vlerën e 549 milionë lekëve, ndërkohë që vitin 2022 e pati mbyllur me një humbje neto prej 30 milionë lekësh.
Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë, One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë. Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e 70 milionë lekëve, ndërkohë që për vitin 2022 kishte raportuar një humbje prej 469 milionë lekësh./Monitor
Discussion about this post