Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar për herë të dytë padinë e deputetëve të opozitës për portin turistik të Durrësit.
Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e padisë së një të pestës së opozitës të cilët argumentonin për antikushtetueshmëri të 4 VKM-ve në lidhje me portin e ri turistik të Durrësit.
Deputetët e opozitës kishin kërkuar shfuqizimin e ligjit “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe NSHMI Development L.L.C. në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Po ashtu, ata kërkuan edhe shfuqizimin e VKM-së nr. 861, datë 29.12.2021 “Për transferimin në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, të pronave të paluajtshme shtetërore për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, të ndryshuar me tre VKM të tjera”.
Gjykata Kushtetuese në njoftim u shpreh se arriti në përfundimin se VKM-të janë akte individuale dhe si të tilla nuk i nënshtrohen juridiksionit kushtetues.
Më tej, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se pretendimet e kërkuesit për cenimin e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore si rezultat i zhvillimit të projektit strategjik në territorin e portit të Durrësit; * nenit 11/2 të Kushtetutës, për shkak të dështimit të shtetit për të mbrojtur këtë prone publike, duke ia vënë atë në dispozicion një shoqërie private (pjesërisht); * së drejtës për transparencë për shkak të: (i) moszhvillimit të seancave dëgjimore me grupet e interesit; (ii) mosinformimit të deputetëve për disa pjesë të kontratës; (iii) procedurës së përshpejtuar në miratimin e ligjit; (iv) paqartësive lidhur me pronarin përfitues fundor; nenit 82/1 të Kushtetutës, për shkak se projektligji nuk është shoqëruar me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij; Kushtetutës, MSA-së dhe Marrëveshjes për Heqjen e Vizave midis Shqipërisë dhe BEsë, për shkak të krijimit të një skeme të tipit golden passports; parimeve të autonomisë vendore, për shkak të faktit se Bashkia Durrës dhe banorët e atij qyteti do të privohen nga të ardhurat që do të vijnë në formën e taksës së ndikimit mbi infrastrukturën dhe përfitimi i kuotës ligjore për banesat sociale, nuk do të merren në shqyrtim për sa kohë që kërkuesi nuk ka arritur të paraqesë argumente kushtetuese.
Po ashtu, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit për cenim të lirisë së veprimtarisë ekonomike, në drejtim të konkurrencës të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak se subjekti zhvillues i projektit strategjik është përzgjedhur pa garë, arriti në përfundimin se nuk duhet të merret në shqyrtim, pasi përzgjedhja e zhvilluesit pa garë është parashikuar në marrëveshjen ndërkombëtare midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të miratuar me ligjin nr. 145/2020 dhe jo nga ligji objekt shqyrtimi.
Gjykata konstatoi se konkurrimi mes zhvilluesve sipas ligjit për investimet strategjike realizohet në fazën e marrjes së statusit të investitorit strategjik.
Më tej, Gjykata vijoi me shqyrtimin në themel të pretendimeve të mëposhtme, për cenimin e parimeve kushtetuese të decentralizimit dhe autonomisë vendore, lirisë së veprimtarisë ekonomike në drejtim të konkurrencës së lirë të lidhur me parimin
e barazisë para ligjit, për shkak të përjashtimit të investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë, detyrimi për të kontribuar në strehimin
social (neni 2/1 dhe 10.12 i Marrëveshjes Kuadër) dhe të faktit se prona publike i është vënë në dispozicion një shoqërie private pa konkurrencë (neni 11/2 i Kushtetutës).
Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik në nenin 10.6 të Marrëveshjes Kuadër duhet kuptuar se është vetëm një mundësi, zbatimi i së cilës mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor.
Në lidhje me pretendimin e dytë, Gjykata, me shumice votash, arriti në përfundimin se ai është i pabazuar, pasi përjashtimi i investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar këto taksa/detyrime financiare nuk i jep atij një avantazh konkurrues në tregun përkatës, për sa kohë, pavarësisht lehtësive në dukje, në këmbim shteti është bërë aksionar në shoqërinë investitore në masën 33 %, për rrjedhojë do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e dividentit në po të njëjtën masë.
Në përfundim për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës.
Marrëveshja e zhvillimit për projektin turistik të Portit të Durrësit mes qeverisë shqiptare dhe investitorit Muhammed El Alabbar u nënshkrua në fund të janarit të vitit 2023. Parashikohet që vlera e projektit të jetë 2 miliardë euro ndërsa synimi është transformimi i Durrësit në një epiqendër të turizmit në Mesdhe.
Discussion about this post