Pas shantazheve të përditshme ndaj prokurorit dhe gjyqtarit për akuzat e rënda që kanë ngritur ndaj tij për korrupsion, fshehje pasurie e pastrim parash, Erion Veliaj tashmë duket se ka filluar të bëjë llogaritë se sa kohë do t’i duhet të kalojë brenda në burg.
Pas deklaratës së djeshme të Edi Ramës që askush mos ta mbrojë më Lali Erin, ose të japin dorëheqje nga të qenit deputet dhe ta mbrojnë, dhe këtu përdori si preteks daljen e deputetit Etjen Xhafaj në një studio televizive ku ky i fundit mbrojti Veliajn duke deklaruar se ai është i pafajshëm, Veliaj po e kupton se tashme është i pashpresë.
Pas urdhërit të Ramës, Lali Eri ka filluar të bëjë llogari vitet e burgut dhe nga kalkulimet i ka dalë se meriton deri 27 vite burg. Ai shprehet se edhe prokurori tashmë do të kërkojë një dënim të tillë për të.
Postimi i Veliajt
27 vjet vetmi
Mirëdita dhe agjërim të lehtë të gjithë vëllezërve dhe motrave. Duke qenë se e keqja as nuk agjëron, as nuk pushon, por ushqehet përditë me ligësi dhe mashtrim, lipset që edhe unë, edhe ne, ta luftojmë përditë haramin që na rrethon.
Pasi u procedova me letrën anonime të Nesti Angonit, pasi u shpalla “i dënuar” që në faqe të parë, dhe pasi u parashtruan “krimet” që variojnë nga lodrat e djalit, te fushata në Rrogozhinë e Kavajë, dhe nga statuset e Facebook-ut tek ato në Instagram, lind pyetja:
Po në burg pse jam?
Thosh edhe Kafka te “Procesi”, mirë që jam fajtor pa faje e pa fakte, po dënimin pa gjyq pse? Tre janë faktorët që duhet të ketë parasysh Gjykata: rreziku i ikjes, prishja e provave dhe rrezikshmëria shoqërore.
T’i marrim me rradhë:
Rreziku i ikjes
Gjyqtari Bani arsyeton se meqë Ols Dado më akuzon për vepra që dënohen me 12 dhe 15 vjet – pra, 27 vite burg – unë do ikja nga Shqipëria. Po, po, ja lexojeni:
Dyshohem nga Ols Dado se kam konsumuar 9 herë veprën penale të “Korrupsionit Pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurëve vendor”, kryer në bashkëpunim, duke filluar që nga viti 2004, në moshën 25 vjeçare, bashkëpunim me persona që as i kam njohur atëherë dhe as kam parashikuar që do i njihja në të ardhmen.
Dyshohem nga Ols Dado se kam kryer më shumë se një herë veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose vemprimtari kriminale”.
E kuptuat? Meqë Olsi do kërkojë 27 plus vite burg, më duhet të burgosem që pa nisur gjyqi fare. Po unë isha në Gjermani në ditën e bastisjes dhe u ktheva menjëherë! Udhëtova edhe 2 herë në SHBA në 30 dhjetor dhe 20 Janar dhe u ktheva sërish. Ku është rreziku? Ku është arratisja? A nuk do mjaftonte masa e mbajtjes së pasaportës, që edhe ikja nga Olsi e Bani të mos cënohej, por edhe unë të vazhdoja punët për Tiranën, që s’duhet ndalur asnjë moment?
Por, siç komentonte Kafka për përndjekësit e tij tek “Procesi”: “Unë as e mendoj të iki nga këta dy përndjekës kaq shembullorë, të cilët më janë qepur pas me kaq zell dhe pasion, sa thuajse më dhimbsen t’i lë vetëm në gjykatë”.
Kjo për rrezikun e ikjes, nesër e pasnesër do të flasim për rrezikshmërinë time të lartë shoqërore.
Ju dua të gjithëve!
Discussion about this post