Kur në tender merr pjesë Shefqet Kastrati, nuk ka kuptim të ngrihet komision dhe të bëhen letrat e prokurimit. Më e ndershme është t’i dërgohet një SMS oligarkut: Eja dhe merr 2.5 miliard lekë të OSHEE-së për karburantin!
Në tenderin për të cilin po raportojmë, nuk ka marrë pjesë asnjë konkurrent përveç kompanisë së Shefqet Kastratit. Epo, nëse fituesi është paravendosur, të tjerët nuk afrohen të bëjnë oferta. Kështu ndodh prej vitesh me prokurimin rutinë “Blerje karburant diesel dhe benzine për nevojat e OSHEE Group dhe Bijat”.
Tenderi formal është hapur më 18 dhjetor 2024 me botimin në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe është nënshkruar kontrata më 3 mars 2025. Sipas dokumenteve të hartuara nga komisioni i ngritur nga drejtori Enea Karakaçi, fondi limit për furnizimin me karburant këtë vit është 200,997,479 lekë pa TVSH. (nëse llogaritet TVSH kontrata pritet të arrijë në afro 2.5 miliard lekë.
Me arrogancën e operatorit të vetëm ekonomik që merr pjesë në tender, “KASTRATI ENERGY” ka dhënë ofertën e barabartë me fondin limit.
Norma e fitimit e shprehur në vlerë absolute është caktuar nga vetë Kastrati dhe është 20 lekë/litër. Dhe në mungesë totale të konkurrencës, Karakaçi e ka vlerësuar me 100 pikë dhe e ka identifikuar si “oferta fituese”.
Theksojmë se këtë vit Kastrati i ka marrë më shumë lekë OSHEE-së për karburantin, megjithëse është e njëjta sasi e porositur.
Tenderi i vitit 2022
Më 30 shtator 2022 tenderi me objekt “Blerje karburant Diesel dhe Benzinë për nevoja të “OSHEE GROUP sh.a” me fond limit 191 959 400,00 lekë, është vlerësuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq” për riskun e korrupsionit.
Në këtë tender Kastrati është futur me dy kompani të vetat: 1.KASTRATI” sh.p.k & “KASTRATI GROUP” sh.a.. Oligarku e ka vënë dorën në zemër dhe ka ofruar ta bëjë furnizimin me 175 603 742,00 lekë. Kjo është dukshëm poshtë fondit të planifikuar.
Tenderi i vitit 2023
Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Blerje karburant Diesel dhe Benzinë për nevojat e OSHEE GROUP sh.a dhe kompanive bija”, që Kastrati e ka përfituar më 11 dhjetor 2023.
Edhe ky tender mban “Flamurin e kuq” të riskut të korrupsionit. Në këtë tender ka marrë pjesë vetëm kompania “KASTRATI” sh.p.k.
Ajo që vëmë re është se ka rritje të fondit limit në vlerën 202 696 230,00 lekë. Nuk e dimë, çfarë ndodh në OSHEE. Sepse nga njëra anë blihen makina elektrike, nga ana tjetër rritet fondi i shpenzimit për karburant. Megjithatë nuk e dimë se sa lekë ka marrë realisht Kastrati deri në fund të vitit, sepse këtë mund ta mësojmë më vonë nga auditimet që bën KLSH. Gjithsesi, në këtë tender Kastrati është treguar bujar, duke dhënë ofertën 157 318 560,00 Lekë.
Ndërsa në tenderin e fundit, siç e cekëm më lart, Kastrati e ka marrë të gjithë fondin limit, pra 100% do të xhirohet në llogarinë e tij.
Loja e Kastratit me emrat e kompanive
Nuk diskutohet se Karakaçi e ka porosi nga ministrja Belinda Balluku, që Kastrati t’i marrë të gjitha tenderat e karburantit, por të paktën të marrë mundimin t’i bëjë letrat siç duhet, që kur ta kontrollojnë apo ta hetojnë, t’i ketë “të pastra’ dokumentet që mbeten.
Fillimisht duhet të sqarojmë se “KASTRATI ENERGY” shpk, me Numer NIPT-it J61813529P nuk ekziston më si subjekt. Ose Administratori ka aplikuar me të dhëna të rreme, ose dikush nga komisioni i tenderit e ka vendosur këtë identitet për ta pasur të lehtë për ta favorizuar, sepse subjekti ka qenë dikur kompani e Shefqet Kastratit.
“Duke iu referuar procedurës së lartpërmendur, informojmë Operatorin Ekonomik “KASTRATI
ENERGY” shpk, me Numër NIPT-it J61813529P dhe me adresë Lagja 14, Rruga Tirana, Pranë Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës, se oferta e paraqitur me vlerë totale prej 200,997,479 lekë pa TVSH është identifikuar si oferta fituese”, thuhet në njoftimin e OSHEE në përfundim të tenderit.
Në fakt, “Kastrati energy”, e krijuar nga Kastrati më 2012 ka pësuar shumë ndryshime emrash.
Sipas të dhënave të marra nga QKB, depozitimi i vendimit të asamblesë së përgjithshme, datë 20.01.2020, tregon se është vendosur: Shitja e 80% të kapitalit të shoqërisë, nga ortaku Kastrati Construction (shitësi) tek Edmond Ademaj (blerësi).
Ky i fundit ka qenë në atë kohë, i punësuar si administrator dhe e gjeti veten pronar, pasi ortaku Kastrati Construction i shet 80% të kapitalit që zotëron në shoqëri. Në të njëjtën kohë, ortaku Altin Kodra i ka shitur pjesën tjetër 20% të aksioneve.
U morën masat që ky subjekt të mos kishte asnjë ngjashmëri me të parin, madje edhe adresa e e-mailit nga [email protected] u bë [email protected].
Kompania qysh nga ky vit është drejtuar herë nga Edmond Ademaj dhe herë nga Eltion Lako.
Më e rëndësishmja, u ndryshua emri dhe nipti. Më 17 janar 2020 është vendosur që emri i subjektit nga KASTRATI ENERGY” të bëhej “EZ-5 ENERGY”, që vazhdon ta mbajë edhe sot.
Me licencën e Ballukut përfitoi kredi, e shlyen me tenderat…
Qëllimi ishte që kjo kompani të futej në tregun e energjisë elektrike Kështu në 2022 u licencua nga ERE për prodhim dhe shitje energjie elektrike fotovoltaike. Kjo pasi kompania kishte përfituar nga ministrja Balluku të drejtën e ngritjes së parkut Fotovoltaik në Povelçë të Fierit.
Mbi këtë bazë, është marrë një kredi e madhe që duhet shlyer, sepse aksionet e kompanisë i kanë kaluar një banke. Me datë 24.08.2022, u lidh marrëveshja siguruese, midis shoqërisë “EZ-5 ENERGY” sh.p.k (barrëdhënësi) dhe shoqërisë “RAIFFEISEN BANK” sh.a, (barrëmarrësi), me objekt: Krijimi i një barre siguruese mbi pasuritë e luajtshme të barrëdhënësit, mbi 100% të kuotave që z. Edmond Ademaj zotëron në shoqërinë “EZ-5 ENERGY” sh.p.k.
Dhe tani, për shlyer kredinë, Shefqet Kastrati dërgon në emër të kësaj firme tenderat e karburantit të OSHEE-së.
Ndërsa në QKB, kompania e mësipërme nuk ka asnjë licencë aktive, sidomos mungon ajo për shitblerjen e karburanteve.
Abuzimi me tenderat është gjëja më e vogël në këtë histori. Këto fakte i shkruajmë edhe në vëmendje të KLSH dhe SPAK që të zbardhin të vërtetën e kësaj skeme në formë oktapodi të Kastratit, ku lëvrojnë paratë e shoqërisë shtetërore OSHEE.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post