Një tjetër skandal që këtë herë ka goditur botën universitare, dhe që në thelb nuk na tregoi asgjë tjetër vetëm se si korrupsioni është përhapur tashmë në formë e vet më të egër metastatike, edhe në kultet më të larta të dijes. Ky duket se është rasti i Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Një nga tempujt më të afirmuar të botës akademike në Shqipëri, ku marrin leksione me mijëra studentë, në degë të ndryshme, që i shërbejnë ekonomisë agrare deri te kuadro të së nesërmes në zooteknikë.
Një institucion arsimor që prej dekadash ka marrë projekte dhe subvencione të rëndësishme, lëvrimi i të cilave mendohej ta çonte në një tjetër nivel cilësinë e këtij universiteti, dijet e të cilit kanë një rëndësi të veçantë për një vend si Shqipëria, ku bujqësia, fermat si edhe agroturizmi në rritje. kanë nevojë sot për studentë të kualifikuar.
Por ndërsa kjo duhet të ishte panorama e asaj se çfarë duhet të jetë ylli që ndriçon Universitetin Bujqësor, një aksion i ndërrmarrë së fundmi në këtë rektorat, në fakt na tregoi jo vetëm anën e errët të asaj ku janë përfshirë sot drejtuesit e këtij institucioni si edhe pedagogët e tij, por njëkohësisht edhe përlyerjen e tyre në afera korruptive, që nuk shkojnë për shtat me statusin e tyre. Por çfarë është ky skandal që u finalizua me 24 fletë-arresti të prera nga SPAK, dhe cila është përfshirja e drejtuesve dhe pedagogëve të UBT, në afera korruptive?
Si janë përfshirë ata në tendera që janë të lidhura me kompani të ndryshme dhe kush janë këto kompani?
Cila është lidhja e rektorit të Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, me kompaninë ‘Krijon’ shpk në pronësi të biznesmenit Piro Zoga, dhe njohja e ngushtë midis të dyve, që ka çuar më tej edhe në bashkëpunimin që kompania në fjalë të arrijë të fitojë tendera të rëndësishëm që lidhen me institucionin e lartë arsimor, UBT.
Rektori Sallaku, roli i të cilit po hetohet nga SPAK, që menjëherë pas shpërthimit të skandalit nxitoi të kërkonte mbrojtje, por edhe të shfajësohej në kryesinë e Partisë Socialiste.
Po përtej propagandës, le të ndalemi tek faktet. Nga hetimi thuajse 3-vjeçar i SPAK rezulton se 9 tendera të zhvilluar përgjatë vitit 2022 kanë rezultuar me shkelje të rënda dhe dëm ekonomik. Tenderi i parë që lidhet me ngritjen e një laboratori për vlerësimin e cilësisë së ujërave. Tender që është fituar nga kompania ‘Krijon’ shpk e Piro Zogas.
Aferë që nis me shkresën e datës 30 korrik 2021 të Rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku dërguar Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHIT) ku kërkohej financim për projektin.
Ku nga ana tjetër Bordi i Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin ka marrë vendim për financimin e ngritjes së Laboratorit për Vlerësimin e Cilësisë së Ujit. Nga ku del se me sigurimin e këtij financimi, drejtuesit e Universitetit janë vënë në shërbim të biznesmenit Zoga.
Fakte që dëshmohen edhe nga komunikimet e gjetura në celularin e tij, pas zbërthimit nga hetuesit.
Ku gjatë hetimit është zbuluar se specifikimet teknike të tenderit janë ndryshuar, me qëllim që t’i përshtaten kompanisë së biznesmenit Piro Zoga, e cila ishte e vetme në garë.
Romina Koto, zv.rektore e Universitetit Bujqësor dhe kordinatore e projektit e cila është përpjekur të shfajësohet para SPAK, pasi sipas saj specifikimet teknike të ndryshuara ia ka sjellë me e-mail Irena Duka. Mirëpo, menaxherja e Laboratorit të Cilësisë së Ujërave, Irena Duka, ka dhënë një tjetër version.
Irena Duka
Në vitin 2021 Romina Koto më ka komunikuar se donte të aplikonte për një projekt për ngritjen e një Laboratori për Cilësinë e Ujërave, ndaj për këtë qëllim duhet të bëhej blerja e disa pajisjeve. Për këtë arsye unë bëra disa kërkime në internet për pajisjet që duheshin, pasi kisha parë listat e çmimeve të pajisjeve ekzistuese tek inventarët por ishin të vjetra.
Duke qenë se pajisjet ekzistuese i kishte sjellë kompania ‘Krijon’ shpk i jam drejtuar kësaj shoqërie për specifikimet e pajisjeve dhe për një ofertë lidhur me to. Ofertën që më solli kompania ‘Krijon’ shpk, unë ia dërgova Romina Kotos.
Hyrjet-daljet e administratorit të kompanisë ‘Krijon’ Shpk, Piro Zoga, me drejtuesit e lartë të UBT, pohohen më tej edhe nga vetë Irena Duka. Ajo thotë se pikërisht për këtë projekt e ka takuar biznesmenin Zoga në prani të zv/rektores Koto.
Irena Duka
Pasi u anulua herën e parë procedura e prokurimit dhe para se të shpallej për të dytën herë më ka thirrur Romina Koto, duke më thënë të shkoja të zyra e profesor Seit Shallarin. Kam shkuar atje dhe kam gjetur shtetasin Piro Zoga, Romina Koton dhe Seit Shallarin.
Gjatë takimit është diskutuar për pajisjet që do të bliheshin për laboratorin sidomos për pajisjet absorber, që ishte pajisja kryesore. Materialet me specifikimet teknike për pajisjet më kanë ardhur të gatshme nga Fotion Zoga, djali i Piro Zogas dhe ja kam përcjellë Romina Kotos.
Zv.rektorja pretendon se për shkak se ishte koordinatore projekti i është dashur të ketë komunikime me biznesmenin Piro Zoga. Ndërsa ka pranuar se nuk është bërë testimi i treguar për çmimet e pajisjeve.
- Si hetimet në UBT zbuluan shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik
Romina Koto ka deklaruar se njihte vetëm operatorin ‘Krijon’ shpk dhe ka komunikuar me këtë kompani në lidhje me pajisjet e laboratorit që do të vinin. Një nga personat që u mor në pyetje si person që ka dijeni mbi rrethanat e veprës penale ishte edhe Mirela Muça, drejtoreshë e AKKSHIT.
Ajo mohoi të kishte dijeni për ndryshimet në specifikimet teknike të pajisjeve. Si dhe që këto ndryshime sipas saj nuk janë reflektuar as në raportin përfundimtar të dorëzuar nga UBT.
Mirela Muça
Për çdo ndryshim të projektit që ka të bëjë me burimet njerëzore dhe materiale të projektit duhet të njoftohet paraprakisht AKKSHI dhe kërkesa për ndryshime madhore kërkon miratim nga Bordi. Nga hetimet rezulton se specifikimet teknike janë miratuar sipas kërkesës së bërë nga zv/rektorja Romina Koto. Por sipas SPAK kriteret janë vendosur në bazë të kërkesës së bërë nga kompania ‘Krijon’ shpk.
Nga aktet e administruara rezulton se kontrata e lidhur mes UBT dhe operatorit ekonomik ‘Krijon’ shpk, e ka hartuar vetë operatori ekonomik fitues, të cilën ia ka sjellë dorazi shtetasi Amarildo Lleshi, nëpërmjet shoferit të operatorit ekonomik ‘Krijon’ shpk, shtetasi Armando Kondaj, fakt që e ka deklaruar dhe vetë ky shtetas.
Por SPAK thekson se nga hetimet rezulton se edhe çmimi i tenderit është përcaktuar nga kompania.
Nga aktet e administruara rezulton se vlera e shënuar në kontratën e datës 15 shtator 2022 lidhur mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe kompanisë ‘Krijon’ shpk, ndryshon nga vlera e shënuar në procesverbalin e vlerësimit të ofertave, formularin e njoftimit të fituesit si dhe në njoftimin e fituesit. Kjo vlera është e njëjtë me vlerën e paraqitur në formularin e ofertës nga vetë operatori ekonomik fitues ‘Krijon’ shpk.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’ rezulton se specifikimet teknike janë mirauar sipas kërkesës së bërë nga vetë zv.rektorja Romina Koto.
Ndërkohë që Piro Zoga i shkruan të birit, Fotionit, se: ‘Aty ke ujërat jemi në rregull, vetëm ne ishim, kështu që duhet të fillojmë’.
Biseda mes Piro Zogas dhe djalit të tij:
Piro Zoga: ‘Dëgjo, aty ke ujërat në rregull, vetëm ne ishim, kështu që duhet të fillojmë’.
Fotioni: ‘Ok, shumë mirë’
Piro Zoga: ‘Këto tjerat pastaj të shohim…’
Biseda të cilat përforcohen edhe më tej me ngulmimin që bën Altin Murto, që është kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Ai kërkon nga biznesmeni Zoga që të procedojë sa më shpejt me dokumentet, pasi janë vonë.
Përgjimet
Altini: ‘Ej duhet me ardh’ ato dokumentet asaj të AKKSHIT, se jemi vonë’.
Piro: ‘Dokumentet, po i ka gati ajo dmth.’
Altini: ‘Po ti sjellë se 5 ditë ke afat nga dalja e shpalljes. Thuj ti sjellin sa më shpejt që të ashtu pastaj.’
Piro: ‘Keni nxjerrë njoftimin e fituesit ju?’
Altini: ‘Po ka tre, 4 ditë o burrë, se keni pa hiç ju?’
Piro: ‘Si ka dalë kësaj në sistem?’
Altini: ‘Po i ka dalë, ska mundësi mos t’i ketë dalë? Ska mundësi, shihe dhe njëherë thuaj.’
Piro: ‘Ja ta shoh unë, po gati i kemi dokumentat ne. Ti bi sot, mirë.’
Në dosjen e SPAK thuhet se Piro Zoga ka marrë dijeni që kompania e tij ‘Krijon’ shpk, është e vetmja që ka bërë ofertë. Këtë njoftim ai e ka marrë disa ditë para se të shpallej fituesi i kësaj procedure prokurimi.
Momenti ku Piro Zoga përgatitet për të filluar me blerjet e pajisjeve laboratorike, pasi tashmë e kishte të sigurt shpalljen fituese të kompanisë së tij.
Pasi gjithçka shkon sipas planit, drejtuesit e universitetit i kërkojnë biznesmenit të “Krijon” shpk të fillojë blerjen e pajisjeve.
Këtu ku del në skenë rektori Fatbardh Sallaku. Ai që i kërkon biznesmenit Zoga që me urgjencë të nisë blerjen e pajisjeve. Sallaku i cili i dërgon mesazh Piro Zogas, ku i shkruan: ‘Më mbyll atë që folëm dje se jemi me urgjencë’.
Ndërsa Zoga i përgjigjet: ‘Po, besoj nesër jemi gati
Fill pas kësaj bisede biznesmeni i dërgon mesazh Rektorit të UBT, ku i thotë ‘projekti gati’ dhe i kërkon një adresë emaili.
Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik në UBT, shtetasit; Romina Koto dhe Ilir Kapaj me detyrë zëvendësrektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Bejo Bizhga, me detyrë përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI ka kryer veprime në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Edmond Tërthorja me detyrë Administrator i UBT-së.
Veprimet e kundraligjshme të personave të mësipërm kanë konsistuar në përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi. Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor në fazën e përgatitjes dhe gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, veprimet e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe specifikimeve teknike apo termave të referencës, të koordinuara në vazhdimësi me veprimet e kundraligjshme të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave.
/ Emisioni “Në Shënjestër” në News24/
Discussion about this post