U del boja tenderave fiktivë të ECO Tirana për blerjen e makinave të plehrave, ku administratorët e Erion Veliajt abuzojnë hapur me paratë e arkës së shoqërisë. Rasti më i fundit lidhet me blerjen e kamionëve kompaktues. ECO Tirana ka anuluar në datën 4 mars 2025 tenderin e blerjes së makinave kompaktuese të plehrave.
Ndërkohë arsyeja e anulimit nxjerr në dritë fiktivitetin e tenderave dhe korrupsionin. “Operatori Ekonomik i shpallur fitues tërhiqet nga nënshkrimi i kontratës për shkak të mospërmbushjes së afatit të dorëzimit të mallit sipas përcaktimeve në tender, kushte te cilat nuk varen prej tij, por problematikave në rrugët e transportit ujor në Lindjen e Mesme nga sulmet (luftimet) e grupeve
terroriste, të cilat kanë sjellë devijimin e rrugëve detare me pasojë vonesa dhe risqe në ardhjen brenda afateve të porosive nga prodhuesi (Kinë)”, ky është arsyetimi i anulimit të tenderit.
Pronari i kompanisë ARTEO 2018, Artan Topi dhe administratori i ECO Tirana, Diego Testi janë treguar kreativ në gjetjen e “forcës madhore” edhe kur ajo nuk ekziston.
Tenderi është mbajtur më 12 nëntor 2024, ndërsa sulmet në Gjirin Persik kanë filluar para dy vjetësh. Pra, nëse do të ishte kjo arsyeja, atëherë Topi nuk do të futej në tender, sepse afati ishte i përcaktuar në dokumentet e njoftimit të prokurimit.
Nga ana tjetër Eco Tirana anulon procedurën pasi kompania e kualifikuar e dyta në këtë procedurë prokurimi nuk mund të shpallet fituese sepse diferenca ndërmjet ofertës së kualifikuar në vendin e parë dhe asaj nё vend të dytë, është jo më e madhe se vlera e sigurimit të ofertës të ofertuesit që është tërhequr.
Më e pakta është që Artan Topit të në bazë të ligjit, t’i konfiskohet sigurimi i ofertës prej 12500 euro. Ndërsa Agjencia e Prokurimit Publik duhet të hetojë përse nuk ishte lidhur kontrata, ndërkohë që fituesi është shpallur më 13 janar 2025?
Po flasim për një tender që është hapur në 12 nëntor 2024. Më konkretisht, ECO Tirana organizoi prokurimin me objekt “Blerje kamion kompaktor mbeturinash” me fondin limit 61 331 250,00 lekë, që përfundoi më 17 dhjetor 2024.
Pjesëmarrësit që marrëveshje me njëri tjetrin?
Tri kompanitë Autobren s.r.l.. OMBSPA, ARTEO 2018 janë të njëjta në disa tendera të fundit të ECO Tirana. Duke qenë se ofertat e tyre janë shumë të përafërta, ka dyshime se janë marrëveshje me njëra tjetrën. Po ashtu, ka paraqitje formale, ku herë njëra dhe herë tjetra dorëzojnë oferta të pavlefshme.
Në këtë tender kompania italiane OMB SPA ka bërë ofertën 60.840.600 lekë. Firma është skualifikuar se nuk ka dorëzuar asnjë dokument, madje nuk ka bërë as sigurimin e ofertës. Kompania Autobren s.r.l. ka paraqitur një ofertë lekë, sa 100% e fondit limit.
E njëjta kompani, Autobren s.r.l. ka fituar tenderin për blerjen e një makine fshesë 191 milionë lekë, më 21 janar 2025.
Dhe ka “konkurruar” me kompaninë tjetër italiane OMB SPA, e cila edhe në këtë rast “skualifikohet” për mungesë dokumentesh. Sqarojmë se kjo kompani nuk është e regjistruar në QKB. Pra, merr pjesë fiktivisht në tender. Edhe në korrik 2024, kompania në fjalë ka përfituar tender me një pjesëmarrës një makinë tjetër fshesë për pastrimin e rrugës, me vlerë 95 milionë lekë.
Më 31 janar 2025, kompania e Artan Topit ka marrë tenderin për blerje kazanësh nga ECO Tirana. Tenderin e ka fituar përballë firmës OMBSPA.
Pra, nuk është çudi që tërheqja e Artan Topit të jetë bërë në marrëveshje me dy biznesmenët italianë.
Sa kushton një kamion për plehrat në Kinë?
Tenderi i anuluar i Eco Tirana me fondin 614 milionë lekë (pa T VSH) kishte objekt blerjen e vetëm 5 makinave kompaktimi të plehrave. Në tabelën më poshtë, nxjerrë nga dokumentet e tenderit, në anën e djathtë dallohet porosia që është për 5 copë.
Pra, i bie që kompania do të shpenzojë 125 milionë lekë për një kamion përfshirë transportin. Nëse gjatë përllogaritjes së fondit limit, komisioni i tenderit do të konsultohej me tregun e makinave do të kishim një fond të paktën sa gjysma e këtij që shpallet në prokurim.
Më poshtë janë disa nga çmimet e kamionëve që ka porositur Eco Tirana.
Çmimet variojnë nga 18 deri në 49 mijë euro për një kamion me kërkesat që ka tenderi për makina të reja deri në 18 ton, me të gjitha cilësitë e përshkruara. Diferenca është çmimi i korrupsionit që në fakt e paguajnë qytetarët e Tiranës përmes tarifave të pastrimit.
ECO Tirana i qep tenderat për italianin Ampelio Ziggiotto
3.1 miliard lekë, pa llogaritur TVSH iu dhanë nga ECO Tirana biznesmenit nga Brendona Ampelio Ziggiotto për blerjen e 10 makinave kompaktuese të plehrave. Ai u shpall fitues duke konkurruar me veten më 2 gusht 2024 dhe kishte afat deri më 31 janar 2025 t’i sillte kamionët.
Tenderi u vlerësua nga Open Data Albania me “Flamurin e kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Ky tender u anulua fillimisht nga KPP, por me sa duket me ndërhyrjen politike të Erion Veliajt, kryetari i KPP Jonnaid Myzyri e la të vazhdonte pazari me biznesmenin italian.
Komisioni i Prokurimit Publik kishte vendosur anulimin e procedurës së prokurimit me Nr. REF-02021-04-19-2024, me objekt “Blerje kompaktues 2/3 akse (18/27 mc)”, me fond limit 313,693,461.00 lekë pa TVSH, zhvilluar më datë 08 korrik 2024, nga ECO Tirana. Por më 29 korrik 2024, KPP u tërhoq.
Tenderi kishte nisur më 22 prill 2024 dhe ishte mbajtur më 28 maj 2024, por kriteret e përcaktuara nuk lejonin futjen në garë të operatorëve të tjerë, përveç biznesmenit italian.
Sipas denoncimit të parë të bërë më 28 maj 2024 “specifikimet e tenderit janë të paqarta dhe në disa raste krijojnë pengesa artificiale për hapjen e konkurrencës.
Me ndërhyrjen e KPP, në datë 3 qershor 2024 janë ngarkuar disa shtojca për ndryshimn e kritereve.
Në datë 11 qershor 2024 janë ngarkuar përsëri shtojca për ndryshime dhe data e zhvillimit të tenderit
Sërish kriteret e vendosura ishin mjaft specifike duke shkelur ligjin m bi prokurimet dhe duke kufizuar ns të njejtën kohë dhe numrin e operatorëve pjesëmarrës në këtë procedurë. Ankimuesi “Jodi konstruksion” kërkonte të shtoheshin fjalët “ose ekuivalenti i saj”.
“Duke vendosur specifikimet teknike autoriteti i jep mundësinë operatoreve ekonomikë që të kenë një konkurrim të drejtë , të hapur, e gjithëpërfshirës, të barabartë dhe jodiskriminues, si dhe të mos i referohen një produkti të caktuar duke ulur numrin e pjesëmarrësve në procedurë”, thekson ankesa.
Më vonë, pa i njoftuar operatorët, është mbajtur tenderi shpejt e shpejt vetëm me biznesmenin italian. Agjencia e Prokurimit Publik, në datën 5 korrik 2024 ka nxjerrë “Njoftim” për procedurat që duhet të zhvilloheshin në datën 5 korrik 2024 të shtyheshin në datën 8 korrik 2024.
Ndërkohë në sistemin e APP janë shfaqur dy vendime konkretisht në datën 23 korrik 2024 ky autoritet ka nxjerrë njoftimin me nr.CN/06981/07222024 në të cilën ka nxjerrë fitues operatorin ekonomik Autoborens.r.l. Pra, pa u lënë kohën e caktuar në ligj operatorëve, është bërë tenderi dhe është shpallur fituesi brenda 13 ditëve.
“Ndodhur në këto kushte kur nga ana e Eco Tirana nuk janë zbatuar rregullat e prokurimit publik, prandaj kërkojmë: Anulimin e plotë të procedurës me nr.REF-02021-04-19-2024”. Këtë kërkesë nuk e përfilli Komisioni i drejtuar nga Jonaid Myzyri, sepse fituesi ishte i paracaktuar nga kryebashkiaku që tashmë ndodhet i arrestuar për korrupsion. Vetëm për blerjen e kamionëve në këto dy tendera janë hedhur afro 4.2 miliardë lekë bashkë me TVSH-në.
Hetimi
Sakaq, SPAK e ka në dorë një dosje për firmën “Eco Tirana”. Bëhet fjala për kallëzimin e një studio avokatie në Tiranë, e cila kërkon ndjekjen penale ndaj administratores së shoqërisë “Eco Tirana”, Anjeza Çapllani për akuzën e “Shkeljes së pabarazisë në tenderë dhe ankande publike” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Sipas kallëzimit kjo kompani organizon dhe menaxhon tenderët e pastrimit të qytetit të Tiranës, ndërkohë edhe vetë rezulton të jetë e përfshirë në këtë proces, ku është specifikuar në grumbullimin dhe diferencimin e mbetjeve urbane.
Për të njëjtat akuza kërkohet ndjekja penale edhe për kompaninë mëmë të kësaj shoqërie “AGSM Holding ALBANIA” dhe pronarin e kësaj kompanie, italianin Andrea Miglioranzi.
Gjithashtu SPAK po heton kontratën koncesionare dhënë me afat 84 vjeçar deri në vitin 2100. Shumë shpejt mafia italiane e plehrave që ka shpërndarë degët e saj në Shqipëri mund të kafshohet përmes hetimeve të SPAK.
Kush është ortaku i Erion Veliajt në Eco Tirana? Kjo firmë është 51% në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe 49% në pronësi të shoqërisë italiane AGSM Holding ALBANIA, e cila ka si kompani mëmë AGSM AIM S.P.A dhe AMIA VERONA . Këto kanë pronarë biznesmenin italian Andrea Miglioranzi, që në Itali është akuzuar për pastrim parash dhe lidhje me mafian.
Në 4 maj 2023 ka përfunduar në Gjykatën e Apelit gjyqi i 11 të pandehurve të arrestuar nga operacioni “Max” i koordinuar nga prokuroria e rrethit antimafia të Venecias, i cili zbuloi një dritare ku kishte infiltruar ‘Ndrangheta’ në provincën e Venecias. Në qershor 2020 ata kishin përfunduar në burg ose në arrest shtëpiak.
Nga organizimi mafioz i përshkruar nga prokurorët Buccini dhe D’Alessandro është vërtetuar se jo vetëm që ‘Ndrangheta” paraqitet e “përshtatur si kameleoni me ambientin”, por gjithashtu si një tentakulë depërtuese në strukturën ekonomike të bashkisë së Veronës.
Kështu është konfirmuar dy vjet e 8 muaj dënimi për Andrea Miglioranzi-n (ish-president i Amia i dënuar për një episod korrupsioni) i cili së bashku dhe veçmas me Nicola Toffanin të njohur si “avokat” realizonin lidhjet mes mafias dhe përfaqësuesve të kompanive dhe publike, rimbursonin shpenzimet e bëra nga palët civile (Amia spa, Cgil Veneto dhe Cgil Verona).
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post