Kryebashkiaku Erion Veliaj ka mbërritur në ambientet e gjykatës, ku do të njihet me vendimin e Apelit të Posaçëm për kërkesën e tij për zbutje të masës së sigurisë. Provat e reja të paraqitura një ditë më parë nga SPAK në seancë, rëndojnë pozitën e kryebashkiakut të arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash dhe sipas ekspertëve, zbehin shanset për liri.

Seanca maratonë
Seanca maratonë në Apelin e GJKKO, e nisur paraditen e të martës dhe që zgjati gati 7 orë, u mbyll pa një vendim nëse Erion Veliaj, do të lirohet nga burgu.
Avokatët e Veliajt ankimuan në Apelin e Posaçëm vendimin e shkallës së parë, që ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Veliajn. Mbrojtja argumentoi në seancë se pse klienti i tyre duhet të lirohet nga qelia, duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushtet që ai të qëndrojë në burg. Po sipas tyre, nuk ka rrezik që kryebashkiaku të prishë provat, të intimidojë dëshmitarët, apo të arratiset. Avokatët propozuan edhe lirimin me garanci pasurore.
SPAK, në anën tjetër, mbajti një qëndrim të kundërt duke kërkuar vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Prokuroria, e cila u përfaqësua nga Ols Dado dhe Altin Dumani, paraqitën prova të reja. Prova që sipas tyre provojnë konsumimin nga ana e Veliajt të veprave penale për korrupsion dhe pastrim parash si ekspozojnë rrezikun e lartë që ka për të intimiduar dëshmitarë.
Pas provave të reja të paraqitura nga SPAK, avokatët e Veliajt kërkuan kohë që të njihen me to. Në këto kushte, gjykata mori vendim për shtyrjen e seancën mesditën e nesërme.
Në dalje nga gjykata, avokatët e Veliajt nuk preferuan të jepnin asnjë prononcim për mediat.
Përveç Veliajt, masën e sigurisë e ankimuan edhe të pandehurit e tjerë të dosjes, përveç ndërtuesit Fatmir Bekteshi dhe bashkëshortes së kryebashkiakut Ajola Xoxa.
Provat e reja, Veliaj u përgjua në qeli
Burime nga brenda seancës bënë me dije në kushte anonimati se mes provave të paraqitura nga SPAK në gjykatë janë disa audiopërgjime ambientale dhe telefonike të bëra ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj në qeli, i cili komunikon me vëllain e tij Arbër Veliaj ku përmenden dhjetëra emra gazetarësh dhe bashkëpunëtorësh të tij.
Gjithashtu, ka fakte dhe prova të tjera shkresore që lidhen me kryebashkiakun Veliaj, familjaret e tij dhe biznesmenët që ka bashkëpunuar ndër vite.
Përgjimet e dhëna si prova nga SPAK janë lexuar në seancë nga prokurorët dhe janë administruar nga avokatët.
Komunikimi i Erion Veliajt me vëllian e tij Arbër Veliaj përfshin edhe udhëzime si ky i fundit porositet të takojë gazetarë, të ndërhyjë në politikat redaksionale të mediave, apo të ushtrojë presion mbi gjyqtarët dhe prokurorët.
Gjithashtu, në përgjime Veliaj përmend disa emra të pronarëve të mediave, që faktikisht, kohët e fundit, kanë mbrojtur kryebashkiakun dhe kanë sulmuar drejtësinë.
Këto përgjime, SPAK i ka vënë në dispozicion të Apelit të GJKKO duke treguar se Veliaj po ushtron presion të madh mediatik kundër njerëzve të drejtësisë, duke nisur nga mediat kryesore, të cilat edhe janë denoncuar si media të paguara nga inceneratorët, nga vëllai i kryebashkiakut Erion Veliaj, apo koncesionet e pushtetit.
Ekspertët: Provat e reja vulosin burgun e Veliajt
Ekspertë të ligjit e shohin si gati të pamundur lirimin e Veliajt pas paraqitjes së provave të reja nga SPAK.
Avokati Jordan Daci, në një emision televiziv mbrëmjen e djeshme, u shpreh se gjasat që Veliaj të lirohet nga burgu janë zero, për shkak edhe të provave të reja nga përgjimet.
“Janë të ligjshme përgjimet në burg për sa kohë janë me vendim gjykate. Nuk mund të pretendohet për privatësi në burg, nuk ka privatësi. Edhe në shtëpi po e autorizoi gjykata, përgjohesh….Fatkeqësisht nëse ai ka rënë në përgjim, praktikisht çështja e tij ka humbur në atë gjykatë, dhe gjasat që ai ta ndryshojë atë vendim janë zero. Aty paska dhe prova të reja që tregojnë edhe me thelbin e akuzë. Në rrethanat e Veliajt asnjë shqiptar tjetër nuk ka asnjë mundësi të dalë nga burgu”, u shpreh avokati.
Gijotina u konsultua me ekspertë të tjerë të ligjit, të cilën ndanë një mendim të ngjashëm: Shanset e Veliajt për të lënë qelinë, janë të pakta.
Duket se taktikat e Veliajt duke sulmuar drejtësinë dhe përdorur si lobues personazhe si Fatmir Xhafaj, nuk do të japë efektin e dëshiruar nga ai përballë provave të prokurorisë speciale.
Discussion about this post