Deshifrimi i qëndrimit të BE-së për nismën “Ballkani i Hapur” duket sikur deshifrimi i kodit të Da Vinçit. Po të donte BE-ja mund të thotë thjesht se mbështet këtë nismë apo nuk e mbështet. Por nuk po e thotë asnjërën prej këtyre. Prandaj, mund të konstatohet se ajo “edhe mbështet”, edhe “nuk mbështet” këtë nismë. Tipike për BE-në. Për momentin kuptimi më i afërt i së vërtetës është se BE-ja nuk është në favor të nismës së “Ballkanit të Hapur”, përkundër qëndrimeve të komisionarit Verhelyi se ai mbështet këtë nismë
Diplomatët duhet të jenë të shkathtë në shprehjen e qëndrimeve të tyre kur pyeten për diçka delikate. Ata nuk duhet t’i thonë gjërat në mënyrë direkte, por “me rrotulla” siç thotë populli. Kur një diplomat britanik, në një ceremoni të promovimit të një birre në një shtet mesdhetar, ishte pyetur se “sa të mira janë birrat tona” ishte përgjigjur: “Ju keni verëra shumë të mira”. Nuk i kishte ofenduar ata, por e kishte shprehur mendimin se nuk po i pëlqejnë birrat. Sepse pyetja nuk ishte fare për verëra. Në shqip, kësaj i thonë: “Unë për lisa, e ti për fshesa”.
Kështu duken sot përgjigjet e zyrtarëve të BE-së në pyetjen e thjeshtë nëse Bashkimi Evropian e mbështet apo jo nismën “Ballkani i Hapur”. Të gjithë që kanë ndjekur punën e BE-së për votë e kanë të qartë se BE-ja nuk e mbështet këtë nismë. Mendon e ajo është “kidnapim” i gjërave që tashmë ishin duke u bërë përmes nismave të tjera rajonale. Mendon se është një shprehje e pakënaqësisë dhe zhgënjimit personal të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Mendon se ajo është duplikim i panevojshëm i proceseve dhe, mbi të gjitha, se nuk është inkluziv, pasi jo vetëm në simbolikë, por edhe në përmbajtje shkon më shumë në favor të disa shteteve e më pak të disa shteteve të tjera.
Por, BE-ja nuk mund ta thotë asnjëherë në mënyrë të prerë dhe të qartë se është kundër kësaj ideje. Së pari për shkak se BE-ja nuk është dhe nuk mund të jetë kundër asnjë ideje që ka për qëllim bashkëpunimin rajonal. Dhe së dyti, për shkak se mes shteteve të BE-së, sikur për shumë gjëra të tjera, nuk ka unitet në qëndrime. Mjafton që Gjermania për shembull të jetë kundër, por Hungaria në favor (që edhe është) që të mos ketë qëndrim zyrtar të BE-së. E dimë këtë më së miri në qëndrimet për statusin e Kosovës. Kosovën e kanë njohur 22 prej 27 shteteve anëtare, por për shkak se nuk e kanë njohur 5 të tjerat, BE-ja ka “qëndrim neutral” për statusin e Kosovës, apo që është edhe më keq “nuk ka qëndrim fare” për statusin.
Si pasojë, Kosova si shtet për BE-në nuk ekziston. Kjo shkakton që BE-ja, sikur në shumë gjëra të tjera, të përdorë akrobacione gjuhësore në mënyrë që të mos paragjykohet “qëndrimi i shteteve anëtare rreth statusit”. Prandaj, edhe flasin për “gjashtë partnerët” në Ballkanin Perëndimor për të mos përmendur shtetet, pasi për ta Kosova nuk është shtet.
Deshifrimi i qëndrimit të BE-së për nismën “Ballkani i Hapur” duket sikur deshifrimi i kodit të Da Vinçit. Po të dojë BE-ja, mund të thotë thjesht se e mbështet këtë nismë apo nuk e mbështet. Por nuk po e thotë asnjërën prej këtyre. Prandaj, mund të konstatohet se ajo “edhe e mbështet”, edhe “nuk e mbështet” këtë nismë. Tipike për BE-në. Për momentin kuptimi më i afërt i së vërtetës është se BE-ja nuk është në favor të nismës së “Ballkanit të Hapur”, përkundër qëndrimeve të komisionarit Verhelyi se ai mbështet këtë nismë.
Ja si është përgjigjur zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit në pyetjen e thjeshtë se “A është qëndrim zyrtar i BE-së që të mbështetë nismën “Ballkani i Hapur”. Si shpeshherë edhe kësaj here është injoruar pyetja:
“Integrimi rajonal, i bazuar në rregullat e BE-së dhe vërtet inkluziv. Mund të sjellë përfitime për Ballkanin dhe për Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja pse BE-ja aq shumë kujdeset për bashkëpunimin rajonal”.
Pyetja nuk ishte fare për bashkëpunimin rajonal. Ishte për një nismë formale me emërtim të saktë.
Pastaj në vazhdim përgjigja tjetër është: “Mungesa e progresit në implementimin e tregut të përbashkët evropian ka penguar disa përfitime të rëndësishme, sidomos për bizneset, investitorët dhe konsumatorët”.
këtu pyetja nuk ishte për tregun e përbashkët rajonal, por për nismën “Ballkani i Hapur”. Pikërisht në “tregun e përbashkët rajonal” thirren edhe kundërshtarët e nismës “Ballkani i Hapur”. Bile një përgjigje e tillë mund të interpretohet edhe si kundërshtim i “Ballkanit të Hapur”. Sikur në pyetjen dhe përgjigjen “a ju pëlqejnë birrat tona?” – “ju keni verëra shumë të mira” edhe këtu përgjigja në pyetjen se “A e mbështesni ‘Ballkanin e Hapur’” me “mbështesim tregun e përbashkët rajonal”, mund të kuptohet se nuk u pëlqen “Ballkani i Hapur”. Por ky është vetëm një interpretim.
Më pas, në përgjigjen e BE-së, të përgatitur me siguri nga bashkëpunëtorët e komisionarit Verhelyi, prandaj edhe nuk mund të shkojë kundër qëndrimeve të tij, por në anën tjetër as të jetë krejtësisht njëjtë, thuhet: “Ne mirëpresim se pjesëmarrësit e “Ballkanit të Hapur” janë të përkushtuar për promovimin e rritjes së integrimit rajonal”. Prapë përshëndetet gatishmëria e jo nisma.
“Mbetet e qartë se përfitimet më të mëdha vinë kur janë gjashtë. Liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë progres në implementimin e tregut të përbashkët rajonal, të vendosur në Samitin e Sofjes në vitin 2020, me angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve. Kjo është e rëndësishme për të arritur përfitimet e plota të integrimit rajonal, të përdoren më së miri investimet nga plani ekonomik dhe investues, dhe ta lidhin më mirë gjithë rajonin me tregun unik të BE-së”.
Prapë një grumbull fjalësh të mira, por që nuk kanë asnjë lidhje me pyetjen “A e mbështet BE-ja ‘Ballkanin e Hapur’”. Edhe këtu mund të gjenden pjesë të cilat mund të shfrytëzohen si argumente se BE-ja është kundër “Ballkanit të Hapur”. Sepse flet për “gjashtë” e në këtë nismë tash janë vetëm tre “partnerë”. Përsëri tërhiqet vërejtja se prioritet duhet të jetë tregu i përbashkët rajonal e jo “Ballkani i Hapur”.
Në fund të përgjigjes, pa adresuar në asnjë pjesë pyetjen e thjeshtë “A e mbështet BE-ja nismën ‘Ballkani i Hapur’” thuhet: “BE-ja do të vazhdojë të mbështetë Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA-n, Komunitetin e transportit dhe energjisë në krijimin e përfitimeve për tërë Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë përmes bashkëpunimit të rritur rajonal”.
Prapë asnjë fjalë për mbështetje të “Ballkanit të Hapur”, që ishte pyetja e thjeshtë e gazetarëve. Kjo i bie sikur në pyeten se “A ju pëlqejnë birrat tona” të përgjigjen se “Na pëlqejnë verërat, rakia, lëngu i pjeshkës dhe ajvari juaj”.
Se BE-ja mbështet edhe zyrtarisht nismën “Ballkani i Hapur” është interpretim i imponuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke përdorur një mbështetje të shprehur publikisht nga komisionari i Zgjerimit, Oliver Verhelyi. Nëse dikush mund të pyesë: “Po a nuk flet Verhelyi në emër të të gjithë BE-së?”, përgjigjja e thjeshtë është jo. Në emër të BE-së, në çështjet e politikës së jashtme, flet vetëm Këshilli i BE-së dhe atë vetëm kur ka qëndrim unik. Ndoshta BE-ja e mbështet e ndoshta jo nismën “Ballkani i Hapur”. Këtë akoma nuk e dimë. Por e dimë se Kosova nuk ka konsensus për asnjë temë më shumë sesa për të mos qenë pjesë e kësaj nisme. Sepse e ka vërejtur se këtu ka një hile nga Serbia. Bile mediat ranë në grackën e pjesëmarrësve, duke shkruar se edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje Kosovës që të vijë në këtë nismë. Ai në asnjë rast nuk e ka përmendur “Kosovën”, por vetëm “Prishtinën” apo “autoritetet në Prishtinë”. Këtë nismë ai e përdor për të dëshmuar se “mund të bëjmë tregti dhe të bashkëpunojmë të gjithë”, ndërsa për mospajtimet rreth statusit “është dialogu”.
Sa për qëndrimet e Shqipërisë në Kosovë mund të shqetësohen, por nuk kanë çfarë të bëjnë. Shqipëria është shtet sovran. Edhe protestat e Sali Berishës ishin më shumë kundër Edi Ramës, sesa kundër nismës.
Kosova po e sheh se sa pengesa i bën Serbia edhe në nismat formale, zyrtare që i mbështet dhe financon madje BE-ja, sa herë që Kosova tenton në to të marrë pjesë si shtet i barabartë. E vetmja nismë ku Kosova merr pjesë si shtet është Procesi i Berlinit. Prandaj, Serbia do që të ketë një nismë tjetër ku nuk janë Gjermania e Franca dhe ku pa pasoja mund ta parandalojë trajtimin e Kosovës si shtet.
Nga Agustin Palokaj
Discussion about this post