Edi Rama, si gjithmonë, nuk zhgënjeu me “spektrin” e vet të deklaratave pa filtër. Këtë herë, nga Kavaja, një zonë që po përpëlitet me probleme reale – papunësi, ndotje, tokë e zaptuar e mungesë shërbimesh – Kryeministri e pa me vend të fliste për… lakuriqësinë e vet në plazh. Po, e lexuat saktë: lakuriqësinë. Në vend që të shpaloste ndonjë plan konkret për verën që vjen, për turizmin që s’ka kanalizime, për vendet e punës që po zhduken si guackat në det, Rama solli ndër mend kohën kur ka dalë lakuriq në rërë, dhe siç tha vetë, “ç’ke me të, ishte bukur”.
Kjo nuk është thjesht një batutë. Kjo është simboli i një qeverisjeje që prej vitesh ka hequr çdo mbulesë serioziteti, çdo ndjesi përmasash, çdo kontakt me realitetin. Një Kryeministër që ndërkohë që vendi është në kolaps ekonomik, flet për cullakllëk me buzëqeshje nostalgjike, është një Kryeministër që jo vetëm është zhveshur nga përgjegjësia, por është veshur me arrogancë të pastër.
Rama nuk është se e tha rastësisht. Jo. Ai është mjeshtër i retorikës që shfaqet si e rastësishme, por që gatuan gjithçka me regji të paramenduar. Ai e di se duke folur për veten lakuriq, i tërheq vëmendjen një populli të lodhur, që prej kohësh është zhveshur nga të drejtat, nga shpresa, dhe tashmë edhe nga durimi. Po pse e solli në vëmendje këtë moment të “ndritshëm” të rinisë së tij?
Sepse Rama, sa herë nuk ka asgjë për të thënë, flet për veten. Sa herë nuk ka asgjë për të dhënë, jep shfaqje. Kur nuk ka politika, jep kujtime. Kur nuk ka plane, jep piktura. Kur nuk ka fakte, jep ironi. Dhe kur nuk ka asnjë zgjidhje për problemet reale të qytetarëve, rikthehet te “ç’kam qenë dikur” – si artist, si djalë plazhi, si rebel, si gjithçka tjetër përveçse Kryeministër që qeveris.
Ndërkohë, Shqipëria është lakuriq nga investimet publike, lakuriq nga të rinjtë që po ikin, lakuriq nga reforma e ndershme, lakuriq nga drejtësia që premtuan por e kontrollojnë. Populli është zhveshur nga iluzionet, por Rama kujton se mund të mahnitë akoma me batuta nudo.
Dhe le të jemi të qartë: nuk kemi asgjë me rininë e askujt, as me të kaluarën në plazh. Por kur i gjithë vendi është lakuriq nga mbështetja sociale dhe perspektiva, është fyes që njeriu që mban postin më të lartë të vendit të bëjë humor me lakuriqësinë e vet. Sepse këto nuk janë më batuta, janë shenja të një lideri që ka rënë në banalitete, në rikthime personale, në narcizëm të lodhur nga realiteti.
Për Ramën, çdo mikrofon është skenë. Çdo kamerë është pasqyrë. Dhe çdo qytet ku shkon, është një sfond ku ai do të performojë versionin më të fundit të vetes: një herë artist i zgjidhjeve, një herë lider global, një herë lakuriq buzë detit. Por kurrë – asnjëherë – thjesht një Kryeministër që përgjigjet për punët që s’janë bërë.
Zoti Rama, njerëzit nuk kanë më luksin të qeshin me kujtimet e tua. Kanë nevojë për përgjigje, për zgjidhje, për lidership serioz. Dhe më e pakta që kërkojnë, është një qeveri që vishet me përgjegjësi, jo me nostalgi cullakësh.
Gijotina.com










Discussion about this post