Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës.
Arbjan Mazniku, njëherazi drejtuesi politik i PS-së në qarkun Elbasan, ka dhënë shpjegime për më shumë se 4 orë në prokurorinë e Tiranës, lidhur me një hetim që po kryhet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Dosja penale është çelur nga organi i akuzës mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Belind Këlliçi, në kohën kur garonte për kryetar Bashkie i Tiranës, përballe Erion Veliaj.
Bëhet fjalë për rrugën ‘Xhon Belushi’ në Tiranë, e cila ishte asfaltuar nga punonjësit e bashkisë së Tiranës, në një kohë që tenderi ishte ende i hapur dhe nuk ishte shpallur asnjë kompani fituese.
Pas denoncimit, tenderi fiktiv u anulua, ndërsa në prokurorinë e Tiranës u kallëzua edhe Erion Veliaj, me detyrë kryetar Bashkie.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se Arbjan Mazniku, atë kohë në detyrën e nënkryetarit të Bashkisë, ishte në cilësinë e autoritetit kontraktor.
Për këtë arsye, ai është thirrur në prokurori për dëshminë e tij. Burime pranë prokurorisë thanë se janë duke vlerësuar nëse do ta kalojnë dosjen për kompetencë të SPAK, pasi ka të dhëna dhe indicie për kryerjen e veprave penale.
Kujtojmë se Arbjan Mazniku aktualisht është drejtues politik i PS-së për Qarkun e Elbasanit dhe kryesuesi i listës së kandidatëve socialistë për zgjedhjet e 11 Majit për këtë qark.










Discussion about this post