Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë takimit në zonën e Astirit deklaroi se, në Kongresin e Partisë Popullore Europiane është diskutuar më së shumti për Shqipërinë dhe zgjedhjet.
‘Në Valencia 2 mijë delegatë që përfaqësonin 86 parti të qendrës së djathtë nga të cilat janë 14 kryeministra në Europë, votuan njëzëri rezolutën në mbrojtje të votës tuaj. Votuan rezolutën në të cilën dënohej me ashpërsinë më të madhe Edi Rama. Votuan rezolutën në të cilën i jepet mbështetja më e fuqishme opozitës shqiptare dhe PD-së. Ju jepet ju mbështetja më e madhe që keni pasur ndonjëherë që nga themelimi i kësaj partie’, tha Berisha.
Kryedemokrati u shprehur se, në këtë zonë do të ketë infrastrukturë moderne për arsimin, shëndetësinë, rrugët dhe të gjithanshme. ‘Të imagjinosh një zonë kaq të madhe, pa asnjë kopsht, pa asnjë çerdhe, do të thotë të kesh urrejtje për fëmijët dhe ai që urren fëmijët, ai është ligësi e të gjitha ligësive. Të lësh një territor kaq të gjerë, një popullatë që shkon në 60-70 mijë banorë, do të thotë të urresh fëmijët, shkollimin e tyre, të ardhmen e tyre. Do të thotë të jesh i aftë për shumë krime. Por Edi Rama nuk habit njeri’, theksoi Berisha në fjalën e tij.
Lideri i demokratëve u shprehur se kryeministrat në Valencia u tronditën me rastin e djegësit të Tiranës.
‘Sot t’u them të vërtetën, u ktheva nga Valencia, por kur unë u tregoja kryeministrave të vendeve të tjera për djegësin e Tiranës, u them me sinqeritet, shprehnin habi të papërmbajtur. Dhe më duhej t’ua ktheja dhe riktheja bisedën, sepse një ndodhi e tillë nuk ka të përshkruar. Kurse tek u tregoja për McGonigalin, mendimi i përgjithshëm ishte se Rama do e ndjekë ata nga mbrapa’, deklaroi kryetari i PD-së, gjatë fjalës së tij.
Kryedemokrati, edhe një herë ka theksuar se, për të rinjtë që duan të shkojnë në universitete do të hiqet mesatarja. Ndërkaq, duke prezantuar programin për ‘Shqipërinë Madhështore’, Berisha theksoi se, çiftet që bëhen me tre fëmijë nuk do paguajnë asnjë qindarkë kredi, do ua paguajë shteti.
‘U jap fjalën këtyre të rinjve se mesatarja për universitet do hiqet që vitin që vjen. Në shtator nuk do ketë mesatare. Të rinjtë që dëshirojnë të hapin biznese do përfitojnë grante, kredi të buta dhe për çdo çift të ri një çati’, theksoi Berisha.
Edhe njëherë gjatë takimeve të tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka sfiduar Edi Ramën, duke e ftuar në debat. Por sipas Berishës, Rama nuk përballet dot se nuk ka si të justifikojë vjedhjet e tij.
‘Nuk del në debat Edi Rama, jo, jo, se si mund të dalësh ti në debat dhe të justifikosh sarajet e tua me gjatësi themelesh 57 metra, dy herë më të gjatë se sarajet e Enver Hoxhës dhe me oborr 4 herë më të madh, 8300 metra. Si mund të dalësh ti para qytetarëve kur je autori kryesor i zhdukjes së 130 milionë eurove të djegësit të Tiranës. Si mund të dalësh ti para qytetarëve kur u bëre me saraje me 3800 euro të deklaruara në shtet’, tha gjatë fjalës së tij lideri i demokratëve, Sali Berisha.










Discussion about this post