Nga Kuçova, në një takim me banorë, Kryeministri Edi Rama ka bërë një premtim të madh financiar lidhur me të ardhmen evropiane të Shqipërisë, duke deklaruar se sapo vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, do të përfitojë 1 miliardë euro në vit nga BE-ja, shumica dërrmuese në formë kontributesh dhe jo kredish. Një shifër e konsiderueshme dhe një perspektivë joshëse, që vjen si një kontrast i fortë me ndihmën aktuale – rreth 1 miliardë euro gjithsej në 3 mandate, sipas tij, nga të cilat 90% kanë qenë kredi. Ky premtim, ndonëse synon qartazi të injektojë optimizëm dhe të forcojë mbështetjen për qeverisjen aktuale, ngre seriozisht pyetje rreth përputhshmërisë me realitetin kompleks të procesit të integrimit dhe sfidave të brendshme të Shqipërisë.
Kryeministri shkoi edhe më tej, duke specifikuar se vetëm për sektorin e bujqësisë, pas anëtarësimit, Shqipëria do të marrë 300 milionë euro në vit. Duke e quajtur BE-në një “shtëpi të pasurish” dhe një “shtëpi të përbashkët”, ai e paraqet anëtarësimin si një hyrje të menjëhershme në një buxhet ekstra të konsiderueshëm, përveç atij të krijuar nga të ardhurat vendase. Kjo retorikë, ndonëse politike, rrezikon të thjeshtojë tej mase natyrën e anëtarësimit në BE, duke e reduktuar atë kryesisht në një çështje përfitimesh financiare, ndërkohë që thelbi qëndron në përmbushjen e standardeve dhe transformimin e thellë institucional e shoqëror.
E vërteta rreth fondeve të BE-së për vendet anëtare është shumë më e nuancuar se sa paraqitet. Ndërsa fondet strukturore, të kohezionit dhe ato për bujqësinë (CAP) janë vërtet të konsiderueshme dhe synojnë uljen e diferencave ekonomike dhe mbështetjen e sektorëve kyç, ato nuk jepen si një pagesë e fiksuar vjetore prej 1 miliardë eurosh apo 300 milionë eurosh për bujqësinë thjesht prej anëtarësimit. Aksesi në këto fonde varet nga shumë faktorë: aftësia e vendit për të hartuar dhe menaxhuar projekte cilësore (kapaciteti absorbues), bashkë-financimi i nevojshëm nga buxheti i shtetit, përputhshmëria me rregullat dhe politikat e BE-së, si dhe respektimi i kushteve dhe reformave të vazhdueshme. Është një proces konkurrues dhe i kushtëzuar, jo një ‘çek’ automatik.
Më tej, theksi i vendosur nga Kryeministri tek ‘merita’ e qeverisjes së tij për afrimin me BE-në dhe si pasojë, përfitimin e këtyre fondeve, bie ndesh me parimet e vetë procesit të zgjerimit të BE-së. Zyrtarët evropianë kanë qenë konsistentë në mesazhin e tyre: integrimi është një proces i bazuar në merita, i varur nga progresi i një vendi në zbatimin e reformave thelbësore në fusha si shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, funksionimi i ekonomisë së tregut, dhe administrata publike. Ky proces vlerësohet nga institucionet e BE-së dhe nuk varet nga emri i partisë apo individit që drejton qeverinë në një moment të caktuar. Të sugjerosh të kundërtën shërben vetëm për konsum politik të brendshëm.
Ajo që e bën premtimin e Kryeministrit edhe më pak të besueshëm dhe e fut thellë në zonën e retorikës fushate, është pikërisht rekordi i qeverisjes së tij në fushat më kritike për integrimin dhe menaxhimin e fondeve. Raportet e njëpasnjëshme, veçanërisht ato të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), kanë dokumentuar gjerësisht problematika serioze me shpërdorimin e fondeve publike, parregullsitë në prokurime dhe kontrata, dëme financiare të shkaktuara nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni i lidhur, në disa raste, edhe me nivele të larta të administratës. Rekordi i auditimeve të KLSH-së flet qartë për një pamundësi apo mungesë vullneti për të menaxhuar me efikasitet dhe transparencë edhe fondet aktuale, duke vënë në dyshim kapacitetin dhe integritetin për të përthithur dhe përdorur si duhet shuma kaq të mëdha sa 1 miliardë euro në vit.
Përtej kësaj, sfida të tjera të qeverisjes si dobësimi i institucioneve, mungesa e llogaridhënies, problemet në zbatimin e ligjit dhe ndikimi i tyre në klimën e biznesit dhe besimin e qytetarëve (shfaqur edhe përmes emigracionit të lartë), përbëjnë pengesa reale e të njohura ndërkombëtarisht për Shqipërinë në rrugën e saj evropiane.
Në këtë optikë, premtimi i Kryeministrit Rama për miliarda euro që do të bien “shi” pas anëtarësimit, ngjan më shumë si një përpjekje për të krijuar një imazh të thjeshtuar dhe materialisht tërheqës të së ardhmes evropiane, duke anashkaluar vështirësitë reale të procesit dhe sidomos detyrat e pakryera të brendshme, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e një shteti funksional. Është një retorikë që rrezikon të ulë pritshmëritë dhe të mashtrojë publikun rreth asaj që vërtet kërkon anëtarësimi në BE – një punë e thellë dhe e pandërprerë, shumë më tepër se sa thjesht “hyrja në shtëpinë e pasurish” për të marrë para çdo vit. Krijimi i një Shqipërie të denjë për BE-në kërkon llogaridhënie dhe adresim serioz të problemeve, jo premtime me “lugë bosh” për fonde që kërkojnë meritë dhe integritet për t’u përthithur e menaxhuar si duhet.










Discussion about this post