Radari i Sazanit jashtë funksionit! Informacioni konfirmohet nga Ministria e Mbrojtjes, që ka njoftuar së fundmi një tender për ta vënë në gatishmëri.
Nuk mbahet mend kur është kapur ndonjë gomone me drogë apo me klandestinë bregdetin shqiptar. Lajme të tilla u përkasin ndoshta një dekade më parë. Çfarë ka ndryshuar? Sigurisht që gjithçka vazhdon si më parë, por Roja Bregdetare ka dalë jashtë funksionit. Puna e radarëve që mbikëqyrin hapësirën detare varet nga niveli i korrupsionit dhe neglizhencës në Ministrinë e Mbrojtjes. Në momentin kur duhet të punojnë, gjeneratorët e tyre mbeten pa naftë, ndodh ndonjë “defekt”, mungon ndonjë pajisje. Skandalet e radarëve kanë qenë të lidhur pikërisht me trafikimin e drogës, që implikonin ministra të Brendshëm apo me tenderat e mirëmbajtjes së tyre nga ministrat e Mbrojtjes.
Radari jashtë funksionit, Peleshi instalonte panele diellore
Në Ishullin e Sazanit është vendosur një nga radarët më të rëndësishëm të ushtrisë. Në vitin 2017 hetimet e grupit të Habilajve, nxorën në dritë skandalin e fikjes së pajisjes kur kalonin peshkarexhat me drogë drejt Italisë.
Në vitin 2022, pranë radarit në Sazan që nuk punonte u gjetën dy pajisje elektronike speciale që përdoreshin për komunikime nga trafikantët në det.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi që do të mbahet mend se nuk fikte dot zjarrin që u ndez në ishullin e Sazanit, po mendonte për këtë çështje! Ai do të bënte një tender për të ndihmuar punën e këtij radari. Meqenëse furnizimi me energji bëhet me gjenerator që punojnë me naftë, u mendua të vendoseshin panelet diellore.
Kështu më 25 tetor 2023, u shpall fituesi që do të bënte zbatimin e projektit. Oferta fituese e kompanisë HTM me pronar Ilir Tabakun kishte një vlerë 11.1 milionë lekë, apo rreth 104 mijë euro. Për projektin “Sistemin Fotovoltaik Sazan Radari”, afati i zbatimit të kontratës afati është 7 javë, ndërsa për projektin “Sistemin e Ndriçimit Sazan” afati i zbatimit të kontratës ishte gjashtë javë. Nuk e dimë se çfarë u bë me këtë projekt, por më emergjent ka qenë vënia në punë e radarit se sa panelet diellore.
Radari i Sazanit jashtë gatishërisë!
Piro Vëngu, ministri pasues i Peleshit, pas zgjedhjeve, ka vendosur ta vendosë në punë radarin. Më në fund, pas zgjedhjeve, do të bëhet një prokurim për pajisjet që nevojiten për këtë qëllim. Më 19 maj 2025 është bërë i ditur njoftimi i drejtorisë së prokurimeve të Ministrisë së Mbrojtjes me objekt “Blerje pajisje/pjesësh për vendosjen në gatishmëri teknike të radarit në PRT17 Sazan”.
Sipas dokumenteve të tenderit bëhet fjalë për pjesë këmbimi dhe pajisen e radarit me paketa që tashmë kanë dalë jashtë përdorimit. Ajo që na bën përshtypje është fakti se ky tender është i hapur. Pra, nuk janë ndjekur procedurat e prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Fondi limit i caktuar për është 19,551,854 lekë pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e marrëveshjes kuadër ose afati për zbatimin e saj është brenda 120 ditëve. Për 4 muaj të tjerë, ky radar do të jetë jashtë gatishmërisë. Ndërkaq, data e mbajtjes së tenderit është vendosur më 16 qershor 2025.

Shkeljet e konstatuara nga KLSH për servisin e radarëve
Në vitin 2014, Ministra e Mbrojtjes pas problemeve të shumta në sistemin e radarëve, vendosi që nëpërmjet një tenderi të klasifikuar “Sekret”, t’i heqë të drejtën e konkurrimit kompanisë amerikane “Lockheed Martin” dhe t’ia japë mirëmbajtjen e radarëve kompanisë “IDEAL TEL” sh.p.k. Kjo lëvizje solli rritjen e shumës financiare në mirëmbajtjen e sistemit, në një kohë kur “Lockheed Martin”, e kishte ofruar këtë shërbim me një shifër shumë herë më të ulët. Një veprim i tillë i kryer në atë kohë nga ministria e Mbrojtjes u quajt nga një audit i KLSH si shkelje penale dhe disa zyrtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave u çuan në prokurori për ndjekje penale. Sipas raportit të KLSH, ministria duhet të kërkonte në veçanti kompanisë amerikane “Lockheed Martin”, që e ka ndërtuar dhe vendosur në punë këtë sistem, si kompani, e cila e jep më shumë garanci e besueshmëri dhe e ka ofruar këtë shërbim më parë për rreth 220,000 $, ose rreth katër herë më pak se sa vlera e tenderuar dhe paguar tek kompania “IDEAL TEL”.
Në vitin 2015, tenderin për blerje, furnizim, instalim dhe vënie në punë të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, kompania e përzgjedhur ishte përfaqësuesi zyrtar i kompanisë “GEM Elektronika”, prodhues i radarëve ekzistues. E njëjta kompani, është marrë me mirëmbajtjen dhe riparimin e pajisjeve përgjatë periudhës 2010 – 2011.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post