Çuan me dashje në falimentim, 7 fasoneri, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, ekzekutohen masa sigurie për 4 shtetas.
Gjithashtu, vihet sekuestro konservative mbi 7 subjektet dhe 12 llogari bankare të tyre.
Të arrestuar:
• Algert Kau, 40 vjeç, u ndalua në Tiranë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4;
• Giuseppe Lamachia, 60 vjeç, shtetas italian, u kap në Pikën e Kalimit Kufitar në Rinas, në tentativë për të lënë territorin e Shqipërisë;
• Zyhra Kreci, 27 vjeçe;
• E. S., 31 vjeçe, ekonomiste, për të cilën u caktua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Njoftimi i policise
Në kuadër të operacionit “Bankrupt”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Elbasanit, dhënë më datë 02.06.2025, për:
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për:
shtetasin A. K., 40 vjeç, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë;
shtetasin italian G. L., 60 vjeç, i cili u kap në PKK Rinas, në dalje të Shqipërisë;
shtetasen Z. K., 27 vjeçe, të tre me detyrë administratorë subjektesh;
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen E. S., 31 vjeçe, me profesion ekonomiste, të katërt për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”;
-vënien e sekuestros preventive mbi 7 subjekte (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të tyre.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për çuarjen në gjendje falimenti, 7 fasoneri, për të shmangur taksat dhe tatimet.
Vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.










Discussion about this post