Policia ka mundur të identifikoje 5 personat e përfshirë në ekzekutimin e 29-vjeçarit Ermir Dedja, i cili u vra më 20 Maj në lagjen nr.18 të qytetit të Durrësit.
Policia ka vendosur në pranga 36-vjeçari Erion Ndoni, banues në fshatin Shkallnur dhe 35-vjeçari Klodian Berishën, banues në Durres, të cilët akuzohet se kanë kontrabanduar në Shqipëri automjetin që u përdor nga autorët e vrasjes së 29-vjeçarit, si edhe një makinë tjetër që dyshohet se do të përdorej për një ngjarje tjetër kriminale.
Ndërkohë është shpallur në kërkim 33-vjeçari Xhuljano Dyrmishi, banues në Durrës, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Njoftimi i policisë
Veprime të thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 29-vjeçarit, në lagjen nr.18, Durrës.
Shkon në 5 numri i shtetasve të identifikuar si të përfshirë në vrasjen e 29-vjeçarit.
-Identifikohen dhe vihen në pranga 2 shtetas që kanë kontrabanduar në Shqipëri, automjetin që u përdor nga autorët e vrasjes dhe një automjet tjetër që dyshohet se do të përdorej për një ngjarje tjetër kriminale. Policia gjen dhe sekuestron automjetin tjetër.
-Shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje dhe për kontrabandë të mallrave.
2 ditë pas ngjarjes, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim 2 shtetas të tjerë, për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje.
Në vijim të veprimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit E. D., 2 javë më parë, në lagjen nr.18, në Durrës, bazuar në provat e siguruara nga hetimi:
-u ndaluan shtetasit E. N., 36 vjeç, banues në fshatin Shkallnur dhe K. B., 35 vjeç, banues në Durres, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”;
-u shpall në kërkim shtetasi Xh. D., 33 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kane kontrabanduar në Shqipëri, 2 automjete tip “Seat”, njëri prej të cilëve është shitur dhe më pas është përdorur gjatë vrasjes së shtetasit E. D.
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, të automjetit tjetër tip “Seat”, i cili ishte kontrabanduar me qëllim për t’u përdorur për një ngjarje tjetër kriminale.
Në kuadër të hetimeve, 2 ditë pas ngjarjes, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim shtetasin shqiptar E. N., 44 vjeç, banues në fshatin Rrashbull dhe shtetasin maroken M. D., 46 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Të 3 shtetasit e shpallur në kërkim rezultojnë jashtë vendit. Vijon puna në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë veprimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Vrasja e 29-vjeçarit
Ermir Dedja, 29 vjeç, anëtar i grupit të njohur kriminal të Shijakut, Avdylajve, u vra pak pas mesnatën e 20 Majit në lagjen 18 të Durrësit. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë qendrës shëndetësore, teksa i riu po lëvizte në këmbë, veshur me kostum sportiv. Persona ende të paidentifikuar e qëlluan për vdekje me plumba kallashnikovi, nga një makinë e bardhë tip “Seat”.
Nga pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë shihet se makina e autorëve lëviz në krahun e kundërt dhe pak çaste më vonë dëgjohen të shtënat që e lanë Dedjan të plagosur. I riu nuk mundi t’u mbijetojë plagëve në Spitalin e Durrësit, ku fatkeqësisht ndërroi jetë.
Të shtënat e armës së autorëve, të cilët dyshohet se ishin të paktën 3 persona, bashkë me drejtuesin e mjetit, tmerruan kalimtarët që në ato momente lëviznin në rrugë. Në një video të publikuar në media shfaqen 2 persona që ikin me vrap për t’i shpëtuar plumbave.
Bashkëpunimi i vrasësve duket të jetë kompakt, pasi informuan njëri-tjetrin në detaje për lëvizjet e viktimës, derisa e gjetën të pambrojtur teksa ecte në trotuar.
Pasi kryen vrasjen, u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me automjetin “Seat”, i njëjti që shfaqet edhenë pamjet e siguruara. Pak orë më vonë, policia e Vorës e gjeti makinën të djegur në afërsi të Gërdecit, bashkë me armën e krimit, një kallashnikov, të shkrumbuar plotësisht.










Discussion about this post