Bardh Spahia, deputet i zgjedhur i Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës ka komentuar farsën elektorale, sipas tij, të 11 majit dhe manipulimet gjigante të bërë nga rilindja në Shkodër por edhe në të gjithë Shqipërinë.
“Unë jo rastësisht e kam thënë se dy mandate, janë vjedhur apo janë tjetërsuar në forma të ndryshme. Nuk është vetëm vjedhja, duhet të kemi parasysh që ka qenë një sulm ndaj votës së lirë në planin miltidimensional.
E kam fjalën për vjedhje, e kam fjalën për blerje, e kam fjalën për kërcënime, për presion dhe përdorim të administratës publike dhe të gjithë institucioneve shtetërore, për përdorim të krimit të organizuar dhe parave të pista të tyre. Por realisht mendoj dhe besoj se e kam edhe tagrin ta them si njohës i mirë i fushatave edhe i situatës në territorin e jo vetëm të bashkisë Shkodër por edhe të komplet qarkut.
Kam bindjen absolute që të paktën dy mandate i hiqen PD dhe opozitës nëpërmjet këtij modeli që tashmë Edi Rama e ka kthyer në një institucion.
Asgjë më të rëndësishme, dhe nuk e them për retorike politike, asgjë më të rëndësishme se lufta për të rikthyer edhe njëherë votën e lirë qytetarëve shqiptarë, apo qytetarëve shkodranë në rastin e përfaqësuesve, deputetëve të Shkodrës, nuk ka për opozitën shqiptare dhe Partinë Demokratike.
Është emergjente lufta. Duhet të fillojë jo sot, dje duhet të kishte filluar. Ka filluar për hir te së vërtetës duke ju referuar asaj pune kolosale që po bën PD dhe kryetari Berisha për të dokumentuar, tjetërsimin në forma të ndryshme të votës së qytetarëve shqiptarë qoftë edhe nëpërmjet paraqitjes së atyre fakteve të pakundërshtueshme të atyre videove, të cilat tashmë po u japin të kuptojnë çdo qytetari shqiptar se si ka funksionuar dhe se si është tjetërsuar vota e tyre.
Se si ka ndërhy shteti dhe strukturat e tij, Partia Socialiste, partia shtet të themi, se tanimë, partia dhe shteti janë bërë një në tjetërsimin e votës së tyre, në shkatërrimin e një procesi, i cili do të duhej të ishte një proces që të reflektonte vullnetin e qytetarëve, por në fakt tashmë kontrollohet komplet nga Edi Rama. Kësaj duhet t’i gjejmë zgjedhjen dhe ky duhet të jetë objektivi ynë”, u shpreh Spahia.










Discussion about this post