Rreth 100 milionë euro dëme janë humbur nga shteti shqiptar, sipas raportit të KLSH, vetëm se Avokatura e Shtetit nuk ndjek afatet dhe procedurat në gjyqet ndërkombëtare. Ndërkohë, më shumë se 388 milionë euro është fatura që duhet të paguajë Shqipëria në 5 çështjet e humbura në gjykatat e Arbitrazhit. Raporti përfshin periudhën nga data 01.01.2018 deri në 31.12.2020, me afat auditimi nga data 05.11.2020 deri më 18.01.2021
Nga auditimi rezulton se, në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe arbitrazhin ndërkombëtar Shteti Shqiptar ka qenë si Palë e Paditur në 14 çështje gjyqësore. Nga këto rezultoi se janë gjykuar dhe dhënë vendimet për 9 çështje, ndërsa 5 prej tyre presin gjykimin pranë këtyre gjykatave.
Fatura e vendimeve
Në 5 çështje të gjykuara, vendimet kanë rezultuar në disfavor të Shtetit Shqiptar me një detyrim financiar prej rreth 388.5 milionë Euro. Thuajse për të gjitha rastet Avokatura e Shtetit nuk dispononte informacion të plotë mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit vendase, si dhe ecurinë e ekzekutimi të tyre.
Vendimet të cilat zënë peshën më të madhe janë çështjet e gjykuara në ICSID, “Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve në Fushën e Investimeve”. Konkretisht, ARB/15/28 Hydro S.r.l and others me një vlerë prej rreth 108+ milion Euro, si dhe çështja në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të ICC me qendër në Paris, 21349/GR V2015 Bankers Petroleum Albania ltd, me vlerë prej rreth 221.7 milion Euro. Në këto raste ekziston risku për kërkime për njohjen e vendimit edhe në gjykata të tjera ndërkombëtare ku Shteti Shqiptar gëzon të drejta.
Avokatura e Shtetit humb para edhe kur fiton çështjet!
Në 4 çështje të gjykuara janë rrëzuar pretendimet e Palës Paditëse dhe vendimi ka rezultuar në favor të Shtetit Shqiptar. Edhe për këto çështje Avokatura e Shtetit nuk dispononte informacion mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit. Njohja e vendimeve të këtyre proceseve gjyqësore pranë këtyre gjykatave kanë të bëjnë me njohjen e të drejtës për rimbursimin e kostove të paguara më parë nga shteti shqiptar gjatë procesit gjyqësor dhe nuk janë vlera financiare shtesë të fituara.
Në 2 çështjet e zhvilluara pranë ICSID konkretisht: Çështja ARB/17/6 me palë paditëse Anglo-Adriatic Group Limited, kostot e Arbitrazhit të cilat janë parapaguar në avancë prej saj, sipas pikës 299 të vendimit, paraqiten në vlerën 250,000 Euro, ndërsa shpenzimet gjyqësore janë deklaruar 1,020,000 Euro. Nga ana e ASH nuk ka pasur veprime të mëtejshme për njohjen dhe ekzekutimin e këtij vendimi. Ndërkohë që ky vendim duhet të ishte njohur nga ASH me qëllim kërkimin e kostove përkatëse të paktën prej 250,000 euro.
Lidhur me çështjen ARB/14/26 Albaniabeg Ambient Sh.p.k, M. Angelo Novelli and Costruzioni S.r.l. gjykata ka marrë vendim më datë 20.03.2020 në të cilin ka vendosur detyrimin e palës paditëse për pagesë të kostove dhe shpenzimeve të gjykimit përkatësisht, Euro 1,857,000 USD 427,488.72, GBP 106,755 me një total të llogaritur sipas kursit të publikuar të Bankës së Shqipërisë datës 31.12.2020 rreth 2,323,292 Euro.
Referuar pikës 565 të këtij vendimi evidentohet se, Shqipëria ka paguar 399,900 Euro kosto arbitrazhi nga 380,000 USD që duhet të paguante. Pra, një vlerë më të madhe se ajo të cilën duhet të paguante në fakt.
Referuar kursit të këmbimit të datës 31.12.2020 vlera e paguar tepër llogaritet në 59,504 Euro më tepër të paguara padrejtësisht.
Në 2 çështjet e tjera të zhvilluara pranë ICC, çështja, Hydro srl 20564/EMT/GR V2014 me vlerë vendimi 7,343,668 euro e cila ka marrë formë përfundimtare dhe Hydro srl 22919/GR V2017, me vlerë vendimi 733,076 Euro, Avokatura e Shtetit nuk dispononte informacion mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit.
Si i humbi shteti shqiptar paratë e garancisë së “Vetro-s”
Nga auditimi për zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të KLSH (me shkresë të KLSH me nr.264/8, datë 12.10.2015), në lidhje me arkëtimin e garancisë së ofertës së paraqitur nga shoqëria “Vetro Energy PTE Ltd” për procedurën e zhvilluar për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sha, Patos”, KLSH ka rekomanduar: “Arkëtimin e kësaj shume, duke e detyruar subjektin përkatës të respektojë kushtet e tenderit dhe të gjitha detyrimet rrjedhojë e këtij procesi”. Nga verifikimi pranë Avokaturës së Shtetit mbi statusin e zbatimit të këtij rekomandimi, rezultoi se midis Avokaturës së Shtetit dhe ish-(MZHETTS), sot Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka pasur korrespondencë në lidhje me këtë problematikë.
Institucioni i Avokaturës së Shtetit ka pasur dijeni për mos arkëtimin e garancisë së privatizimit, në vlerën prej 85 milionë Euro nga kompania Vetro Energy PTE Ltd” që nga
viti 2012. Deri tani, ky institucion, ende nuk ka marrë asnjë veprim ligjor, në bashkëpunim me ish- METE, ish-MZHETTS, tashmë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për arkëtimin
e kësaj vlere.
Avokatura e Shtetit nuk i mban studios së huaj tatimin
Nga auditimi për respektimin e dispozitave ligjore për përzgjedhjen e 3 studiove avokatie të huaja, me objekt mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar me oferta në vlerën prej 2,340,000 euro (nga të cilat 1 kontratë nuk është lidhur), konstatohet se nuk është parashikuar ndalesa e tatimit në burim në masën 15% në shumën 351,000 Euro mbi të ardhurat që realizohen. Kjo ka sjellë si pasojë evazion fiskal për të ardhurat tatimore në RSH.
Vendimet e Gjykatës së Strasburgut nuk paguhen rregullisht
Sipas informacionit të administruar rezultoi se, për periudhën objekt auditimi ecuria e vendimeve të mëparshme dhe vendimmarrjet e GJEDNJ paraqiten si vijon:
Viti 2018, GJEDNJ ka dalë me tre vendime përfundimtare kundër Shqipërisë duke akorduar shpërblim dëmi në vlerën 13,452,860 euro nga të cilat janë ekzekutuar vetëm 4,703 euro. Periudha Janar-Gusht 2019, GJEDNJ ka dalë me katër vendime përfundimtare, në dy prej të cilëve janë rrëzuar pretendimet e palës paditëse dhe dy vendime janë marrë kundër Shqipërisë, duke akorduar shpërblim dëmi në vlerën 117,050 euro. Nga dy vendimet kundër është ekzekutuar plotësisht një vendim dhe ka mbetur i paekzekutuar vendimi me vlerën 13,450
euro.
Shteti shqiptar për periudhën, Janar 2018-Gusht 2019 ka ekzekutuar edhe gjashtë vendime të GJEDNJ, të mbartura nga viti 2017 me një vlerë prej 26,923 euro. Vendimet të mëparshme
ende të paekzekutuara paraqiten katër vendime ndërmjet viteve 2015-2019 të cilat kapin një vlerë financiare prej 17,894,100 euro, e cila për shkak të aplikimit të interesave në rast
vonesash për ekzekutim ka tendencë rritëse.
Paratë e pamarra nënga gjyqet e fituara në Arbitrazhin Ndërkombëtar
Mbi bazën e të dhënave të administruara rezultoi se, prej vitit 2011 janë dhënë 10 vendime të formës së prerë nga gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar nga të cilët: Tre vendime janë dhënë në favor të Shqipërisë në shumën 8,168,523 euro për të cilët nuk ka
përfunduar ende ekzekutimi i shumave përkatëse megjithëse datojnë prej vitit 2011.
Ndërkohë dy vendime janë dhënë kundër pretendimeve të palës kërkuese. Pesë vendime janë dhënë në disfavor të Shqipërisë në vlerën 5,188,087 euro nga të cilat tre vendime në shumën e detyrimit 4,230,180 euro janë njohur nga gjykata dhe janë të zbatueshëm.
Këto vendime kundër i përkasin periudhave 2012, 2015 dhe 2016. Aktualisht evidentohen 9 (nëntë) çështje gjyqësore në proces ende pa vendim përfundimtar, nga të cilat 3(tre) çështje ndodhen në pritje vendimi dhe 4 (katër) çështje ndodhen në proces shqyrtimi ndërsa për dy çështjet e tjera vendimet janë jopërfundimtare. Gijotina.com/
Discussion about this post