Duket pak çmenduri që Bashkia Tiranë anulon tenderin për uniformat zjarrduruese të zjarrfikësve, mes të verës, kur Tirana aktualisht po lufton me disa vatra zjarri. Ky veprim i kryetares së komanduar Anuela Ristani, tregon se kjo zyrtare është në presionin e pazareve për tenderat. Pasi ka bërë një përplasje të gjatë me Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) kryetarja ka vendosur t’i lërë zjarrfikësit të rrezikojnë jetën në ndërhyrjet e tyre me uniforma të papërshtatshme.
Ditën e djeshme më 7 korrik 2025, Bashkia Tiranë njoftoi në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit publik se e anulon tenderin “Blerje uniforma dhe veshje speciale për MZSH-në; Loti 2: Veshje Pune”.

Është një zvarritje e paimagjinueshme dhe mungesë respekti për zjarrfikësit e kryeqytetit. Tenderi është regjistruar në maj 2024 me autorizimin e Erion Veliajt. Ky e mbajti varur deri më 6 dhjetor 2024, ndërsa tani vazhdon të bëhet pengesë kryetarja e re e komanduar nga Rama pas arrestimit të Veliajt.
Në total procedura është një blerje me vlerë 37,809,954 lekë pa TVSH, ku Loti i parë – “Uniforma Zjarrëduruese” e ka fondin limit 27,880,050 lekë pa tvsh.
Dokumenti mësipër është anulim për lotin 2 të tenderit që e kishte fondin limit 9,929,904 lekë pa TVSH. Për këto para po bëhet konflikt i gjatë administrativ që reflekton interesat dhe porositë në favor të njërit apo tjetrit operator ekonomik. Gjithsesi zjarrfikësit edhe pas 1 viti, nuk arritën t’i marrin uniformat që u takojnë!

Janë 150 uniforma që duhet t’i kishin përdorur tashmë efektivët nëpër operacionet e shuarjes së zjarreve.
Arsyeja e anulimit është banale: Komisioni konstaton se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime dhe mangësi të rëndësishme. Nuk e besojmë se për një vit rresht, komisioni i vlerësimit të ofertave i paska bërë llogaritë gabim dhe kritereve ua paska futur kot.
Nisi me “Flamur të kuq”, mbaroi me vulë të zezë
Për tenderin me objekt “Blerje uniforma dhe veshje speciale për MZSH-në. Loti 2: Veshje Pune”, komisioni i Veliajt e shpalli fituesin më 6 dhjetor 2024. Në këtë tender merrnin pjesë 3 operatorë ekonomikë.
Fituesi ishte Gentian Sadiku (person fizik) në bashkim me kompaninë “Univers Promotions” shpk. Sadiku është emër i njohur në tenderat e uniformave, i listuar nga KLSH për moszbatimin e kontratës së furnizimit me uniforma të Akademisë së Sigurisë.
Njoftimi zyrtar i fituesit është bërë më 30 janar 2025, ku veçojmë se u skualifikuan të dy operatorët e tjerë konkurrentë: ”Arisa Konfeksion” shpk dhe “Bledi Loci” (person fizik).
Për shkeljet e kryera gjatë procedurës së prokurimit Open Data Albania e ka vlerësuar tenderin me “Flamur të kuq që është shenja e riskut të korrupsionit.

Skualifikim i të gjithë operatorëve ekonomik përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e ka klasifikuar Open Data Albania tenderin e komisionit të Veliajt. Megjithatë, kontrata nuk u lidh, sepse Veliaj u arrestua nga SPAK për korrupsion.
Më vonë, Anuela e nxjerr nga sirtarët tenderin, bën “llogaritjet” e saj dhe vendos anulimin.
Denoncimi në KPP i tenderit
Edhe loti tjetër është zvarritur për shkak të vendimmarrjeve korruptive. Në mbledhjen e datës 3 korrik 2025, KPP mori në shqyrtim për të disatën herë këtë tender ku Bashkia Tiranë me kokëfortësi i shmanget zbatimit të vendimeve të marra. Vendimi i parë i KPP është i datës 28 janar 2025.

Bëhet fjalë për “Procedurën e hapur, mbi kufirin e lartë monetar”, me Nr. REF28211-11-05-2024, me objekt Loti 1 “Uniformë zjarrduruese” me fond limit 27,880,050 lekë pa TVSH, parashikuar për t’u zhvilluar më datë 6 dhjetor 2024, nga Bashkia Tiranë.
Denoncimi është bërë nga operatori ekonomik “Victoria – Al” SHPK që kishte pretendime për hartimin e kushteve të tenderit. Komisioni vendosi të pranojë pjesërisht ankesën e operatorit ekonomik “Victoria – Al” ShPK dhe urdhëroi Bashkinë Tiranë të kryejë modifikimet në dokumentet e tenderit. Kjo ndodhi vetëm 10 ditë para arrestimit të Veliajt.
Bashkia Tiranë do të merrte 6 muaj për të ndryshuar dokumentet e tenderit. Me shkresën nr. 20120 prot., datë 2 qershor 2025, autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë, informonte se kishte zbatuar vendimin e Komisionit të Prokurimit të datës 28 janar 2025. Theksojmë se njëra pikë e këtij dokumenti përcakton se “Autoriteti kontraktor, brenda 5 ditëve, të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi”.

Çfarë bënte Bashkia Tiranë gjatë kësaj kohe? Komisioni i Prokurimit Publik me anë të vendimeve në datë 28 mars 2025, 17 prill 2025, 14 maj 2025 dhe 9 qershor 2025 përsëriste të njëjtën gjë: “KPP nga verifikimi i kryer në Sistemin e Prokurimeve Elektronike konstaton se autoriteti kontraktor ka ngarkuar në sistemin e prokurimeve elektronike ndryshimet, por kjo shtojcë nuk është publikuar për t’u njohur nga operatorët ekonomikë ofertues të mundshëm”.

Përsëri më datë 26 qershor 2025, autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë, informon se ka zbatuar vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik Nr. 145/2025, datë 28.01.2025. Duket sikur aty nuk ka njerëz, por i kanë dhënë detyrën një roboti me defekt që lëshon të njëjtën shkresë kohë pas kohe.
KPP e hoqi pezullimin, por operatorët ekonomikë nuk kanë patur mundësi të njihen me modifikimet e bëra në shtojcën e ngarkuar nga ana e njësisë së prokurimit. Të ndodhur në këto kushte, Bashkia Tiranë vendos ta anulojë tenderin. Me një letër tjetër i kërkohet KPP lejimi për anulimin e procedurës dhe rishpalljen e saj në një kohë tjetër.
Edhe KPP është dakord me Anuelën, duke e pasqyruar mendimin në dokumentin e mëposhtëm:

Ndërkohë zjarrfikësit do të vazhdojnë të presin sa të mbarojë pazaret e tenderit kryetarja e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani. Ndërsa kryetarja mburret në Instagram për zjarret e fikura këto ditë.

©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post