Kush po i vjedh 1.3 miliardë lekë që po tenderohen për riparimin e rrugës së Liqenit të Thatë? Shumica e dinë se ku gjendet ky segment, sepse zona u bë e njohur nga rezidencat e ndërtuara nga oligarkët Tom Doshi, Lul Morina, Pëllumb Salillari me shokë. Rruga është e re dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje. Këtë nuk e themi ne, por lexohet mes rreshtave të projektuesit.
“Gjendja ekzistuese e rrugës (objektit në studim), siç shihet edhe nga fotot e mëposhtme është në gjendje jo shumë të keqe. Struktura e rrugëve është me gjerësi variabël që shkon nga 6-8 m, të shtruara me asfalt”, citojmë dokumentin e Bashkisë Tiranë.

Rruga e “Liqenit te Thate” fillon nga kopshti zoologjik i Tiranës, aty ku mbaron rruga “Shyqyri Brari” deri te rrethrrotullimi i rrugës “Hiqmet Buzi”. Gjatësia e segmentit është rreth 1150 metra.

Për të hedhur asfaltin 1.3 miliard lekësh në këtë copë rrugë është përzgjedhur i mbiquajturi “peshku i madh i tenderave”, Vasil Jovani.
Anuela merr trofeun “Flamuri i kuq”
Në këtë rast, Anuela Ristani nuk përmbahet para asnjë neni të ligjit për prokurimet. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, e përshkruan tenderin Open Data Albania dhe e ka shënuar me një “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.

Më konkretisht, tenderi me objekt “Rehabilitimi i rrugës Liqeni i Thatë” është shpallur nga bashkia Tiranë më 5 qershor 2025 dhe është mbajtur më 20 qershor. Në lojë ishte fondi limit 122 545 507,00 lekë pa TVSH, prandaj si asnjëherë tjetër, janë paraqitur 22 operatorë konkurrues.
Megjithatë pjesëmarrja e tyre nuk prodhoi asnjë lloj konkurrence sepse bashkimi i operatorëve “Kronos Konstruksion”sh.p.k – “AL-ASFALT“ sh.p.k u shpall fitues me ofertën më të shtrenjtë: 77 896 221,00 lekë pa TVSH.
Më 9 korrik 2025, komisioni i Anuela Ristanit e shpalli fituese kompaninë e Vasil Jovanit duke mos i marrë në konsideratë ofertat e tjera më të ulëta.

Theksojmë se bashkimi i operatorëve ekonomik “FLED”sh.p.k & “DESARET COMPANY”sh.p.k & “KOLOSEU sh.p.k propozoi ta bënte riparimin e rrugës me vlerë 76,156,060 lekë pa TVSH. Po ashtu, bashkimi i operatorëve ekonomik “COMPANY RIVIERA 2008”sh.p.k & “ASI INVEST”sh.p.k kishte ofertë më ekonomike 76,827,601.00 lekë pa TVSH.
Ndërsa bashkimi i operatorëve ekonomik “S.M.O.UNION”sh.p.k & “JUNIK”sh.p.k bëri ofertën me vlerë 77,679,967 lekë pa TVSH.
Kush është “peshku i madh i tenderave”?
Vasil Jovani ka hyrë si emër në letrat e SPAK sepse është ortak në tendera i biznesmenit nga Durrësi Petrit Kovaçi, me të cilin kanë marrë miliona euro nga Bashkia, për shkak të ndikimit të djalit Spartak Kovaçit, që ishte drejtor i Ujësjellësit.
Kompania e tij KRONOS KONSTRUKSION është përfituese e rreth 70 milionë euro tenderave të dyshimtë, të dhëna nën favorizimin e zyrtarëve. Ndërsa me Bashkinë Tiranë bashkëpunimi ka qenë më i fortë sepse Vasil Jovani ishte pjesë e skemës “5D” (kompania e drejtorëve të Veliajt).
Nga rreth 30 milionë euro tendera që ka marrë 5D, vetëm 88 milionë lekë, 5D-ja i ka marrë e vetme, një shumë modeste në raport me vlerën totale të prokurimeve të fituara.
Tenderat e mëdhenj, 5D, edhe për shkak se nuk kishte kapacitete, i ka fituar në bashkëpunim me mbi 15 kompani të tjera ndërtimi. Njëra prej tyre është “Kronos Construction”.
Ndërkohë, Vasil Jovani merr fonde nga të gjitha anët. Kompania e tij ka përfituar 720 mijë euro nga IPARDI për investime në sektorin e fruta perimeve. Njerëzit e biznesit, të lidhur me qeverinë, në momentin që marrin sinjalin që ka disa fonde që jepen, bëjnë letrat për të përfituar nga këto fonde. Dhe Jovani i ka lidhjet e duhura.
Jovani në tenderin e Anuelës luan më shumë rolin e garantit, sepse asfaltimin do ta bëjë kompania “AL-ASFALT”. Kjo e fundit është pronë e biznesmenëve të njohur Astrit Varaku dhe Luan Mema. Këta kanë marrë vazhdimisht kontrata pa garë nga bashkitë Kamëz, Shijak, Kavajë, Durrës, por edhe në Tiranë.
Tre tendera të tillë me vlerë totale 600 milionë lekë “AL-ASFALT” i mori me firmën e kryetarit të Basshkisë Shijak, Elton Arbana, në janar 2025. Ndërsa 338 milionë lekë ishin marrë nga Arbana në qershor 2024.
Por tenderin më të korruptuar, Varakut dhe Memës, ua firmosi në 15 gusht 2023, Evis Berberi, drejtori i ARRSH, që është arrestuar nga SPAK. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Riveshje dhe sistemim asfaltim nyja Shkozet mbikalimi Plepa”, për të cilin do të shpenzoheshin 1.2 miliardë lekë.
Me sa duket, edhe Anuela Ristani, është betuar të firmosë papushim afera të tilla, deri sa të përfundojë detyrën në burg si Erion Veliaj dhe Evis Berberi.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post