GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Uncategorized

Përgjimet/ Ja si u favorizua “Krijon shpk” për tenderat në UBT, bisedat e Piro Zogës me rektorin dhe pedagogët

18:10 - 22/07/25
në Uncategorized
Kohë leximi: 8 min
A A
Përgjimet/ Ja si u favorizua “Krijon shpk” për tenderat në UBT, bisedat e Piro Zogës me rektorin dhe pedagogët
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Biznesmeni Piro Zoga duket se kishte shtrirë tentakulat e tij në Universitetin Bujqësor të Tiranës, sipas përgjimeve të SPAK. Zoga gjendet në arrati, por dosja i shkoi ditën e sotme në gjykatë bashkë me 27 pedagogë e zyrtarë të UBT. Tenderi për Laboratorin e Vlerësimit të Ujërave, nuk ishte i vetmi që kompania e tij  ‘Krijon’ shpk kishte fituar pranë këtij Universiteti, nëpërmjet një gare të paracaktuar.

I tillë duket se është edhe tenderi për ‘blerjen e reagentëve’ me fond limit 54 milionë lekë. Ku komunikimet midis dekanit të UBT, Ilir Kristo dhe Piro Zoga, administrator i kompanisë ‘Krijon’ shpk, që më pas rezulton të jetë fituese e këtij tenderi, kanë nxjerrë në pah edhe mënyrën sesi veprohej për favorizimin e subjektit në fjalë.

Sipas shkresës nr. 3596 Prot., datë 2 Dhjetor 2022, ‘Kërkesë për miratimin e vazhdimit të procedurës me objektin e prokurimit blerje reagentë dhe materiale laboratorike të shërbimit publik’, shtetasi Altin Murto, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Fondeve dhe Investimeve i ka dërguar këtë kërkesë

Administratorit të UBT-së, Edmond Tërthorja, me qëllim vazhdimin e procedurës së këtij prokurimi, sipas kërkesave të ardhura nga fakultetet dhe drejtoritë përkatëse të UBT- së.

Por ndërsa deri këtu, duket se gjithçka shkon konform kornizës ligjore të shpalljes së një tenderi dhe hapjes së tij, në fakt ajo që përgjimet nxjerrin në dukje, është se fituesi i tenderit del të jetë i paracaktuar.

Kjo bazuar në komunikimet e vazhdueshme që administrator i kompanisë ‘Krijon’ shpk Piro Zoga dhe një nga punonjësit e shoqërisë së tij  ka me dekanin, Ilir Kristo.

Komunikime telefonike, apo edhe nëpërmjet shkëmbimit të mesazheve që datojnë pothuaj 7 muaj para se UBT të shpallte hapjen e thjeshtuar të procedurave të tenderit për reagentët.

Përgjimet

Nga përgjimi i bisedave telefonike të Administratorit të shoqërisë ‘Krijon’ sh.p.k., Piro Zoga dhe punonjësit të kësaj shoqërie, Endri Zoga, rezulton se më datë 9 Maj 2022, ky i fundit ka komunikuar me shtetasin Ilir Kristo, dekan i Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Ku drejtuesi i UBT i thotë se: ‘Laboratori i ri që jemi duke bërë për mbrojtjen e bimëve, ka nevojë për një konsultë të vogël me ju, mund ta bëjmë në telefon’.

Në krahun tjetër të telefonit Endri Zoga i përgjigjet: ‘Laboratori poshtë?’ Komunikimi midis të dyve që vazhdon edhe më tej me interesimin që dekani tregon deri edhe për termometra.

Ku pavarësisht se Zogaj nuk i ka të certifikuar ato që ka në dispozicion, është i gatshëm t’i gjejë këto pajisje laboratorike.

Përgjimet

Ilir Kristo: ‘Termometra dixhital keni ju, të kalibruar?’

Endri Zoga: ‘Po kemi të ndryshme’,

Ilir Kristo: ‘Keni gjendje?’

 

Endri Zoga: ‘Të kalibruar nuk kemi gjendje. Se si me thënë ato që janë të kalibruar, porositen me certifikatë kalibrimi që në fillim. Puna është se i skadon dhe s’ mbahen kot, se si me të thënë, një herë në vit ato duhen çuar për rikalibrime pastaj”

‘Çfarë lloj termometri, doni të kontrolloni psh, inkubatorët, apo ambientin’

Ilir Kristo: ‘Jo për inkubatorët, për pajisjen’,

Endri Zoga: ‘Nxirri po ashtu, mi çoni me nji kshu si me thënë, mi shkruaj në në email, ose me çfarë do lloj gjëje dmth’.

Pasi ka folur me dekanin e UBT, Ilir Kristo, punonjësi i kompanisë ‘Krijon’ Shpk, që duket se ka një rol të rëndësishëm mirëbesimi në këtë shoqëri, kapet në përgjime me një nga pedagogët e këtij Universiteti. Ai mesa duket është thirrur në këtë mision për të kryer rolin e koordinatorit të tenderit midis dekanit në njërën anë dhe kompanisë që disa muaj më pas do të shpallet fituese.

Ky pedagog del të jetë Shpend Shahini, i cili më 17 Qershor 2022, në orët e vona të mbrëmjes, kapet në përgjim me shtetasin Endri Zoga, teksa i thotë që ka folur me punonjësit e kompanisë ‘Krijon’ Shpk për ato reagentët që i duhen UBT-së

Përgjime

17 Qershor 2022, ora 22.32.

Shpend Shahini komunikon me Endri Zogan

Shpendi: ‘Hiç me mirë. Ja sot fola me ato punonjësit tuj që keni atje. Çova dhe kërkesën e atyre reagentëve.’

‘Do çoj Dhuratën ditën e hanë që ti shofi nji për nji ajo vet’

‘Për nja pesë milion blerje. Kte, kte, kte. E ke parasysh?,

Endri: ‘Okej, dakord, mirë. Mir, t’honën, jemi’.

Të njëjtat biseda pedagogu Shahini i bën në vazhdim edhe me administratorin e kompanisë ‘Krijon’ Shpk, Piro Zoga.

Komunikime që kryhen brenda intervalit kohor të një muaji, dhe që qartësisht flasin për një parapërgatitje të tenderit, që do të hapet në fundin e vitit 2022.

Përgjime nga ku pedagogu i kërkon me insistim që t’i sjellë disa kite, për të cilat ka folur me rektorin. Fatbardh Sallaku.

Ose lë të kuptohet se ky i fundit ka folur me vetë Piro Zogaj.

Përgjime

Shpend Shahini komunikon me Piro Zogan

Shpendi: ‘Do na duhen ca kite, nuk e di nëse të ka thënë gjë, ke fol gjë me rektorin?’

Piro: ‘Jo’

Shpendi: ‘Ka pru nji listë?’,

Piro: ‘Jo, jo, s’kam gjë, ça janë ato?’

Shpendi: ‘Jane kite për katër patogjenë të bimëve, jane dy baktere’

Piro: ‘S’di gjë me thanë të drejtën, thuj atyre ta nisin listën edhe ta shofim’

Shpendi: ‘Ndoshta është fut në një mbledhje, maksimumi ka për të ngel për të nesermen në mëngjes, pastaj’.

Piro: ‘Po, s’ka problem, kur të ashu nise listën’

Shpendi: ‘Për sa mund të na vijnë Piro, se më datë 14 kemi trupën’

Piro: ‘Kur 14, tani e? Jo, s’bohet fjalë’

Shpendi: ‘Kemi çu që e kemi çu atje’

Piro: ‘Po data 6 sot, o burrë, po ça të them unë tani’

Shpendi: ‘Ne kemi kohë qe e kemi çu atje ke ju’

Piro: ‘Ke neve, ka ardh lista ke neve?

Shpendi: ‘Po, pra e kemi çu nji listë ne, që na duhet kjo’

Piro: ‘Ore ska listë ke ne, problemi është ça vendosin ato shefat.

Se pa dhënë ato urdhër, ne s’mund të bëjmë blerjen, pa bo ata veprimet financiare, e kupto. Kështu që duhet me e zgjidh me administratën aty me i fjalë, kan procedurat e veta ata, se ne nuk mund të veprojmë, të porosisim kot’

Shpendi: ‘Me universitetin?’

Piro: ‘Aty mor, ke universiteti, me administratën tuj, aty’

Shpendi: ‘Po, po’

Piro: ‘Zgjidheni me ato aty, të na kontaktojnë ata pastaj, se ata kanë procedurat e veta, e kupto’

Shpendi: ‘Po’.

Vetëm një ditë më pas Rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, merr vetë në telefon pedagogun Shpend Shahini. Atij i tërheq vëmendjen për sasinë e madhe të kiteve që kanë kërkuar.

Përgjimet

7 Korrik 2022, ora 10.09

Rektori i UBT, Fatbardh Sallaku, komunikon me pedagogun Shpend Shahini

Fatbardhi: ‘Po tani ju keni kërkuar njëqind e nji artikuj mor zotëri’

Shpendi: ‘Po pra, ja ku po e nxjerr dhe kancelari tashti, brenda ktyre u ka thënë. Kto du’

Fatbardhi: ‘Lëre mo kancelarin tani zotëri. Ju keni kërkuar njëqind e nji artikuj, njëqind e nji, kur ju më thoni: ‘Na mungojnë ca kite’

Shpendi: ‘Po pra’

Fatbardhi: ‘Ca me njëqind e nji, o zotëri do të thotë diferencë e madhe më duket apo jo. E para, e dyta o zotëri me 24 qershor ju ka ardhur oferta nga kompania’

 

Shpendi: ‘Po’

Fatbardhi: ‘Po, sa është data sot?

Po në këtë datë, vetëm disa minuta, pasi ka shkëputur komunikimin telefonik me rektorin Fatbardh Sallaku, pedagogu Shpend Shahini, merr një telefonatë nga administratori i kompanisë ‘Krijon’ shpk, Piro Zoga.

Përgjime

7 Korrik 2022

Piro Zoga komunikon me Shpend Shahinin

Shpendi: ‘Ne faktikisht me 16 ia kemi pas çu si listë asaj për ofertën’

 

Piro: ‘Janë sqaru gjanat e kena nis ofertën me datë 24 ke juve. Është kjo oferta Dhuratës, se nuk është në emrin tënd prandej’

Shpendi: ‘E Dhuratës’

Piro: ‘Po ka qenë listë e gjatë o burrë 101 artikuj, që i pashë unë tani. Me i numru duhet gjysë dite, se ju keni edhe artikuj specifik aty’.

Gjatë bisedës në vazhdim administratori i ‘Krijon’ shpk, Piro Zoga, i kujton pedagogut Shahini, që shërben si ndërmjetës midis tij dhe rektorit Sallaku, që tashmë duhet të jetë Universiteti që duhet të fillojë me procedurat.Grafikë

Përgjime

7 Korrik 2022

Piro Zoga komunikon me Shpend Shahinin

Piro: ‘Duhet të vazhdoni ju procedurat, jo ne. Ne nuk kemi më punë se s’kemi ca t’ju bëjmë’

Duhet të vendosin ata si do e bëjnë blerjen, të nxjerrin urdhrin e blerjes’

Shpendi: ‘Dhurata, ka qenë dy ditë atje dhe e ka ngushtu si listë, biles kan gjetë dhe kompaninë ku mund ti gjejnë’

 

Piro: ‘Unë të garantoj që ta bëj porosinë që sot, nëse ma konfirmon universiteti. Çoje me email që ta morën ato gocat që kanë punuar, cila është lista urgjente qe keni juve.

Çmimet janë, lekët janë, bini dakord me administratën si do e bëjmë blerjen dhe dakort?’ Komunikimet midis Piro Zogaj në një anë dhe drejtuesve të UBT, vazhdojnë të ethshme edhe në vazhdim. Siç është edhe kjo bisedë midis tij dhe dekanit, Ilir Kristo.

Përgjimet

11 Korrik 2022, ora 10.28

Piro Zoga komunikon me Ilir Kriston

Piro: ‘Nigjo, për fat ato të kompanisë ne i kontaktum, për ato tre kitet që kanë problem, dhe i kanë gjendje.

Ia kan çu kto gocat e mia kësaj Dhuratës që ta firmosi atë që të premte, po ajo s’është përgjigj dmth’

Iliri: ‘Okej, ja po flas unë e të them’

Piro: ‘Të paktën, nesër në mjes duhet dokumenti nga ju i firmos, i vulos edhe i skanuar, na e dërgoni me email, që t’ia nisim nesër që të vijnë shpejt ato’.

 

Dhe mesa duket kitet e kërkuara me urgjencë kanë mbërritur.  Pasi kjo konfirmohet edhe nga biseda që Piro Zoga ka me pedagogun Shpend Shahini, në muajin gusht.

Por nga ajo që kuptohet është se pavarësisht se kitet për llogari të Universitetit Bujqësor kanë mbërritur në Shqipëri, kompania që i ka eksportuar, në këtë rast ‘Krijon’ shpk, nuk mundet t’i dërgojë në laboratorët e UBT, pasi nuk është zhvilluar ende procedura e tenderimit.  Dhe kjo do t’i nxirrte zbuluar që tenderi ishte i paracaktuar, që do të thotë shkelje e barazisë me operatorët e tjerë ekonomikë që do futeshin në garë.

11 Gusht 2022, ora 10.10

Piro Zoga bisedon me Shpend Shahinin

Shpendi: ‘Ato kitet a kan ardhë?’

Piro: ‘Ato kitet, ju i kërkuat me urgjencë dhe unë i solla me urgjencë. Unë i kam lajmëru ato shefat e tu që kan ardh, s’të kan thonë ty ata?’

Shpendi: ‘Më than që do vijnë në fakultet edhe për procedurat’

Piro: ‘Duhet t’i boni ju procedurat, se s’kemi ku i sjellim nëqoftëse nuk bahen me procedurë aty, e kupton.

Fol me administratorin si do e boni’.

 

Por pavarësisht se procedurat e tenderit të pajisjeve nuk janë kryer, çka duket qartë edhe në bisedat që drejtues të UBT bëjnë me administratorin e kompanisë që tashmë ka kryer blerjet, ky i fundit del në komunikimet e muajit shtator, se ka rënë dakord, që këto kite t’i dërgojë në laboratorët e Universitetit.

Siç është edhe kjo bisedë midis tij dhe pedagogut Shpend Shahini.

13 Shtator 2022, ora 17.46

Piro Zoga komunikon me Shpend Shahinin

Shpendi: ‘Ka fol gjë Mondi, se i kam thënë unë me than të drejtën’

Piro: ‘Po, po, më tha Mondi sot, edhe i thashë për t’i sjellë për nesër i thashë.

Unë kisha nja dy-tri ditë, qe kisha harru dhe ia çova sot atë listën’.

15 Shtator 2022, ora 14.25

Shpendi: ‘Të gjithë në rregull i kemi ne, vetëm ke harru me fut lamat, për imunozorocencë’,

Piro: ‘Ato dy artikujt mungojnë, se s’kan ardh akoma, s’ka mbërrit ngarkesa, kur të vijnë do t’i sjellim në laborator’,

Shpendi: ‘Po kur mund të na vijnë Piro?’

Piro: ‘Po si ka pas kompania gati pranej, pranej s’i ka nis’

Shpendi: ‘Po, pranaj ja thashë asaj vajzës, 10 herë i kam thanë’.

Shqetësimi se Piro, në këtë rast administratori i kompanisë ‘Krijon’ sh.p.k nuk i ka sjellë të gjitha pajisjet e kërkuara, është përcjellë nga pedagogu Shpend Shahini edhe te Altin Myrto.

Etiketa: Kryesore1pergjimetPiro ZogaSpak

Lajme të lidhura

Bleu vota për Tom Doshin/ Spak dërgon për gjykim kryebashkiakun socialist në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli
Uncategorized

Akuzohet për korrupsion, GJKKO kalon për gjykim dosjen e kryebashkiakut të Vaut të Dejës

11:13 - 05/12/25
Sekuestrohen 4 milionë euro pasuri në Vlorë, pronari nën hetim për pastrim parash
Aktualitet

Sekuestrohen 4 milionë euro pasuri në Vlorë, pronari nën hetim për pastrim parash

09:47 - 04/12/25
Ekzekutimi i biznesmenit në Elbasan, policia shoqëron 10 persona
Aktualitet

“Plumba me porosi: Vrasësit e Mondi Mëhallës zhduken pa gjurmë”

15:15 - 01/12/25
Para
Plasi lufta?! Turqia paralajmëron Izraelin: Do ndërhyjmë ushtarakisht nëse…

Plasi lufta?! Turqia paralajmëron Izraelin: Do ndërhyjmë ushtarakisht nëse...

Discussion about this post

TË FUNDIT

“‘Avioni nuk niset pa Belindën!’ – Bozdo ironizon deklaratat e Ramës pas pezullimit të ministres”
Aktualitet

“‘Avioni nuk niset pa Belindën!’ – Bozdo ironizon deklaratat e Ramës pas pezullimit të ministres”

17:00 - 05/12/25

Deputeti i PD, Eno Bozdo, ka komentuar situatën e krijuar pas shpalljes zyrtare të Belinda Ballukut si e pandehur nga...

Lexo më shumë
“U është dorëzuar avokatëve në USB”, SPAK i kundërpërgjigjet Veliajt që kërkoi t’i jepet dosja fizikisht

“U është dorëzuar avokatëve në USB”, SPAK i kundërpërgjigjet Veliajt që kërkoi t’i jepet dosja fizikisht

16:50 - 05/12/25
Seanca e Metës shtyhet për faj të prokurorëve, avokati Cakrani: Çështja është politike

Seanca e Metës shtyhet për faj të prokurorëve, avokati Cakrani: Çështja është politike

16:45 - 05/12/25
Ekzekutimi i Mondi Mëhallës: Gjykata cakton datën për masën e sigurisë ndaj Nevzat Spahos

Ekzekutimi i Mondi Mëhallës: Gjykata cakton datën për masën e sigurisë ndaj Nevzat Spahos

16:30 - 05/12/25
Paraqitet në SPAK gazetari nga Kosova, Milaim Zeka (VIDEO)

Paraqitet në SPAK gazetari nga Kosova, Milaim Zeka (VIDEO)

16:15 - 05/12/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com