Gentian Gjyli, nga njëra anë merret i pandehur nga SPAK për korrupsion, nga ana tjetër vazhdon shpërndan miliarda lekë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Ashtu si paraardhësi i tij Ervis Berberi, edhe Gentian Gjyli firmos tendera korrupsioni, ndërsa pret në zyrë që t’i vihen prangat nga momenti në moment. Një nga këto tendera është vizimi i kushtueshëm i sinjalistikës së rrugëve kombëtare në Tiranë. Nga dokumentet e tenderit kuptojmë se pazari është bërë me Nikolla Çaçin, klientin e Ervis Berberit.
Duke qenë se fituesi është paracaktuar komisioni i vlerësimit është orientuar të eliminojë konkurrencën. “Skualifikim i të gjithë operatoreve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, e ka klasifikuar tenderin Open Data Albania. Për shkeljet e kryera, procedura është shënuar me “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.

Bëhet fjalë për tenderin e Autoriteti Rrugor Shqiptar me Objekti i Tenderit “Përmirësimi i sinjalistikës horizontale, vertikale dhe pajisjeve të sigurisë rrugore në akset e Rajonit Qendër Perëndim (Tiranë) loti 2 (2025)”. Janë paratë e buxhetit të shtetit që i janë lënë në dorë Gentian Gjylit me shokë. Vlera e fondi Limit të tenderit është 183 331 324,00 lekë pa TVSH.
Prokurimi u njoftua më 27 qershor 2025 në buletinin e APP-së dhe tenderi është mbajtur më 14 korrik 2025.
Kompania e Nikolla Çaçit “R. S. & M” SHPK është shpallur fituese me një ofertë afro 250 milionë lekë më të shtrenjtë se konkurrentët. Kjo është tarifa e korrupsionit që paguhet me taksat e qytetarëve.

Kështu oferta e kompanisë R. S. & M është shpallur fituese me vlerën 168 596 281,00 lekë pa TVSH megjithëse bashkimi i operatorëve “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” & “ALKO-IMPEX General Construcion” & “Signs & Road Safety Solutions” propozoi ta bëjë këtë punë për vlerën 143,514,513 lekë pa TVSH. Kjo ofertë është skualifikuar për kriterin “punë të ngjashme”, megjithëse operatorët kishin paraqitur kontratat për sinjalistikën që i kanë kryer më parë.
Gjyli nuk pyeti për të kursyer buxhetin, por shpalli fitues mikun e Berberit më 23 korrik 2025.

Nikolla Çaçi dhe Stefan Çaçi, babë e bir i marrin tenderët e ARRSH për vizime sikur t’ua kishte lënë dikush me testament. Kështu ndodhi edhe në vitin 2023, kur morën pa garë 1.6 milionë euro. Kjo dhuratë në familjen Çaçi ka ardhur nga ish-kreu i ARRSH, Evis Berberi, që tashmë është i arrestuar për korrupsion.
Dhe bëhet fjalë për të njëjtin tender ‘copy paste”, ku ndryshon vetëm viti dhe shuma. Para dy vitesh këto vija dhe tabela kushtonin afro 300 milionë lekë më pak. Pra, është tenderi me objekt “Përmirësim i sinjalistikës horizontale, vertikale dhe paisjeve të sigurisë rrugore në akset e Rajonit Qendror, Loti 2 (2023)”. Për këtë kontratë ishte lënë në dispozicion fondi limit me vlerë 1.6 milionë euro.

Megjithëse kishte ofertë më të lirë, rreth 1.2 milionë euro, Beberi e kishte caktuar që këto para do t’i qethte vetëm për familjen Çaçi.
Këto fonde janë destinuar vazhdimisht për t’u vjedhur. Një raporti KLSH në vitin 2018 konstatonte se Segmenti i Autostradës Kashar-Durrës kishte mbetur dukshëm i paplotësuar me elementet e sinjalistikës dhe ndriçim, megjithëse Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte shpenzuar rreth 4 milionë euro për këtë qëllim vitin e shkuar. Sipas analizës së vetë ARSH, gjatë vitit të shkuar për sinjalistikën ishin shpenzuar 1,2 miliardë lekë (8.5 mln euro). Por pjesa më e madhe e fondit të vënë në dispozicion të Autostratdës Tiranë-Durrës dhe Kashar Rinas, prej 548.7 milionë lekësh, ishte përdorur në segmentin Tiranë Kashar.
Në raportin e vitit 2016 për ARSH, KLSH konkludon se institucioni reflekton një nivel të ulët përgjegjshmërie me pasoja negative në efektivitetin e përdorimit fondeve buxhetore në këtë sektor strategjik. Dëmi i konstatuar arrin në rreth 634 milionë lekë (afërisht 5 milionë euro), dëm i ardhur kryesisht nga mungesa e supervizimit gjatë zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore.
Raporti i KLSH flet për tendera të parregullt, favorizim të subjekteve të caktuar për të kryer punimet, çmime të fryra për punimet, apo mospenalzim të kontraktorëve për cilësi të dobët.
Në këtë rrugë vazhdon edhe drejtori Gentian Gjyli. Më 13 maj 2025, Prokuroria e Posaçme vuri nën akuzë 25 persona, për abuzime me tenderët e rrugëve. I pandehur është kreu aktual i ARRSH, Gentian Gjyli, ndërsa ish-Drejtorit të ARRSH, Evis Berberi, i shtohen akuzat pas asaj për korrupsion dhe pastrim parash për të cilat ndodhet në burg.
‘U mora i pandehur’, tha Gjyli ndërsa dilte nga SPAK i nervozuar. Në këtë reagim duket se kreu aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar nuk e ka pritur mirë statusin e të pandehurit të drejtësisë për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tendera.
Janë mbi 10 praktika prokurimi të hetuara nga prokurori Dritan Prençi, i cili ka vënë nën hetim biznesmenë e zyrtarë publik, si edhe inxhinier të ARRSH. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tendera.
Gentian Gjyli u emërua drejtor i ARRSH më 28 mars 2024, një javë pas arrestimit nga SPAK të ish-drejtorit Evis Berberi, më 14 mars 2024. Kreu i ARRSH Gentian Gjyli, është thirrur edhe më herët në SPAK ku ka dëshmuar mbi procedurat e ndjekura në tenderët e rrugëve, gjatë kohës që ai ishte numri 2 i ARRSH-së dhe drejtor Evis Berberi, në hetim nga SPAK nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’.
Në burg janë dhe dy biznesmenët Valter Begaj dhe Ervis Lami, si bashkëpunëtorë në skemën e përfitimit të tenderëve, si pronarë të kompanive që fitonin tenderat fiktivë, por ku përfituesi fundor ishte vetë ish-kreu i ARRSH, Berberi.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post