Gjykata e Apelit në Tiranë ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për inxhinierin Ludjon (X), i cili po mbikëqyrte punimet pa leje në projektin e investitorit strategjik “Soleil & Sea” në bregdetin e Jalës.
Ky vendim e lë inxhinierin 40-vjeçar të vetmin përgjegjës ligjor, ndërkohë që dyshimet dhe provat tregojnë se përgjegjësia e vërtetë shtrihet shumë më lart, duke përfshirë administratorët e kompanisë dhe institucionet shtetërore.
Inxhinjeri Ludjon (X) u arrestua në flagrancë nga Policia e Vlorës më 3 qershor 2025, pasi u kap duke mbikëqyrur punimet e kompleksit të vilave “Folie Village”. Gjatë marrjes në pyetje, ai theksoi se detyra e tij ishte thjesht të ndiqte punimet në terren dhe se nuk kishte përgjegjësi për anën dokumentare, siç janë lejet e ndërtimit. Ai pohoi se i ishte vënë në dispozicion vetëm vendimi i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) për statusin e investitorit strategjik dhe se ishin në pritje të përgjigjes nga Bashkia e Himarës.
Pavarësisht kësaj mbrojtjeje, Gjykata e Vlorës caktoi “arrest në shtëpi”, një masë që u la në fuqi edhe nga Apeli pasi inxhinjeri hoqi dorë nga ankimimi. Kjo ka ngritur pikëpyetje serioze mbi vullnetin e vërtetë për të hetuar të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë.
Projekti “Jala Entertainment Park” i “Soleil & Sea” është miratuar si investim strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) në qershor 2023, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Ky nuk është rasti i parë i miratimit të këtij projekti. Për herë të parë, statusi i investitorit strategjik iu dha në vitin 2019, por u ndërpre për shkak të një konflikti të fortë për pronën. Familja Gjoka kishte fituar pronësinë e tokës në gjykatë, duke akuzuar kompaninë për rrëmbim prone me dokumente të falsifikuara.
Në janar të vitit 2020, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ndërhyri, duke konstatuar në raportin e tij falsifikime të rënda në pronësinë e tokës dhe të dhëna të rreme të paraqitura nga “Soleil & Sea”. KLSH rekomandoi revokimin e statusit të investitorit strategjik, një rekomandim që qartazi u shpërfill.
Pas katër vitesh, KIS ri-miratoi statusin e investitorit strategjik, këtë herë duke e zgjeruar sipërfaqen e pronës nga 140,000 në 220,000 metra katrorë dhe duke e ofruar me një tarifë simbolike prej 1 euro. Edhe ky vendim u mor pavarësisht faktit se prona vazhdonte të ishte me status të dyshimtë.

Sipas disa raportimeve mediatike, pas kompanisë “Soleil & Sea”, e cila në letër zotërohet nga Endri Mingollari dhe Ardit Bajraktari, fshihet biznesmeni i njohur Alban Xhillari. Ky detaj, së bashku me injorimin e hapur të raportit të KLSH-së nga qeveria, ngre dyshime të forta për mbrojtje politike dhe ndikim të jashtëligjshëm.

Arrestimi i inxhinierit, një hallkë e fundit në këtë zinxhir, duket se shërben si një veprim fasadë, ndërsa përgjegjësit e vërtetë mbeten të paprekur. Kjo çështje tregon qartë se si vendimet e nivelit të lartë shtetëror mund të favorizojnë investitorë problematikë, duke injoruar standardet ligjore dhe duke dëmtuar seriozisht imazhin e sistemit të drejtësisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.










Discussion about this post