Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me aferën e madhe financiare të “Bankers Petroleum”. Sipas dokumenteve zyrtare, “Albstar” rezulton të jetë një nga përfituesit kryesorë të skemës mashtruese të fryrjes së shpenzimeve dhe pastrimit të parave, duke përfituar vetëm në vitin 2011 rreth 22 milionë euro nga “Bankers”. Këto shuma janë përfituar përmes faturimeve fiktive për shërbime që nuk janë kryer kurrë, në dëm të buxhetit të shtetit shqiptar.
Në shtator të vitit 2016, Idajet Ismailaj themeloi një kompani të re ndërtimi me familjen e tij, fillimisht të regjistruar si “Reas 16” dhe më pas me emrin “IR shpk”. Përmes kësaj kompanie, janë qarkulluar qindra mijëra euro të përfituara nga “Bankers”, duke e rritur xhiron e firmës në 6 milionë euro dhe fitimet në rreth 2 milionë euro, sërish me fatura të falsifikuara.
Një detaj tjetër është se Idajet dhe Sadik Ismailaj, pronarët e “Albstar”, i kishin vendosur vetes një pagë mujore prej 85 mijë euro secili shifër që kap rreth 2 milionë euro në vit.
Prokuroria e Fierit ka lëshuar 14 masa sigurie për vepra penale si “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Krijimi i skemave mashtruese të TVSH-së” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Deri tani janë ekzekutuar 9 masa sigurie, përfshirë administratorin aktual të “Bankers Petroleum Albania Ltd”, Hongping Xiao, dhe ish-administratorin Leonidha Çobo, ndërsa 5 shtetas të huaj janë ende në kërkim.
Ndërkohë, nga hetimi rezulton se kompania “Bankers” nuk ka paguar tatime për mbi 20 vite aktivitet, duke shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme rezervat e naftës në Patos-Marinëz dhe duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm me vlerë miliona euro përmes rimbursimeve të padrejta të TVSH-së dhe shmangies së tatimit mbi fitimin.
Dosja hetimore e Prokurorisë së Fierit për kompaninë koncesionare që shfrytëzon burimet e naftës nën tokë në Patos, Marinzë, Fier, liston një seri shkeljesh të rënda me pasoja të mëdha financiare në dëm të shtetit.
Kompania e cila ka nxjerrë dhe shitur mbi 5 miliardë dollarë naftë bruto nuk ka paguar asnjë taksë dhe kjo sipas prokurorisë është bërë duke rritur në mënyrë fiktive faturat. Ndërkohë që s’ka paguar taksat, Bankers Petroleum ka marrë para si rimbursim i TVSH nga shteti.
Prokuroria në dosjen e saj liston shkeljet ligjore të cilat janë identifikuar me ulje të kreditimit të TVSH-së Në dosje thuhet se në furnizimin e transportit të mallrave është konstatuar se faturat e lëshuara për këto furnizime. nuk janë lëshuar në momentin e kryerjes së shërbimit. pra në kundërshtim me kërkesat e ligjit.
Nga verifikimi analitik i blerjeve rezulton se: faturat e blerjes nuk paraqesin të dhëna identifikuese të mjaftueshme për mallrat e blerë, apo elementët që duhet të plotësohen si në faturë apo edhe në dokumenta shoqërues, mbi bazën e të cilave të vërtetohet saktësia e deklarimeve të shoqërisë.
Këto kërkesa janë edhe më të domosdoshme në rastin kur blerjet me tre fatura të njëpasnjëshme janë kryer brenda së njëjtës datë për artikuj të natyrës së njëjtë. E njëjta shkelje edhe me punimet e kryera në ndërtim e faturuar vetëm vlera e ditëgadishmërisë dhe për këtë periudhë, nuk është kryer asnjë shërbim nga kjo kompani.
Në këto kushte, faturimi i ditëve pezull nuk është kryer në funksion të aktivitetit për të cilin shoqëria është parashikuar. Për periudhën e mësipërme, kjo shoqëri ka faturuar 100% shërbim “Stand by”, pra duke mos kryer asnjë shërbim në funksion të aktivitetit.










Discussion about this post