Edhe pse qeveria dhe Kryeministri Edi Rama e propagandojnë Shqipërinë si një destinacion turistik, situata me shërbimet bazike mbetet skandaloze. Në disa zona të jugut të vendit, pushuesit po përballen me mungesa të theksuara të ujit dhe energjisë elektrike, duke ekspozuar një realitet të hidhur pas fasadës propagandistike.
Situata në Borsh: Që prej mbrëmjes së djeshme ka pasur mungesa të energjisë elektrike. Pushuesit raportojnë se dritat kanë ikur në orën 22:00 dhe janë kthyer me ndërprerje. Autoritetet bëjnë me dije se shkak është bërë rënia e një përforcuesi dhe ngarkesa e lartë në Qeparo.
Situata në Radhimë: Në zonën e Radhimës në Vlorë, pushuesit kanë raportuar për mungesë të ujit gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites. Ata shprehin indinjatë, duke e cilësuar këtë situatë si skandaloze për vitin 2025.
Këto probleme me furnizimin, sidomos në zonat turistike, nuk janë thjesht incidente të rastësishme, por shenjë e një dështimi sistemik që ka vazhduar prej vitesh. Pas më shumë se një dekade në qeverisje, pritshmëritë ishin që kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij të kishin investuar mjaftueshëm në infrastrukturën thelbësore për të garantuar shërbime të pandërprera.
Megjithatë, realiteti i pushuesve në vitin 2025 flet për një situatë thuajse identike me atë të viteve të shkuara. Prioriteti i qeverisë duket se ka qenë më shumë në marketingun turistik sesa në zgjidhjen e problematikave konkrete dhe të përditshme që prekin si banorët vendas, ashtu edhe vizitorët e huaj.
Ky dështim i infrastrukturës së shërbimeve thelbësore e vë në pikëpyetje seriozisht qëndrueshmërinë dhe seriozitetin e Shqipërisë si një vend që aspiron të jetë një fuqi turistike rajonale.










Discussion about this post