SPAK po heton lidhjen e dyshimtë të administratorit të ‘Intersig-Viena Insurance Group”, Gentian S. Sula, me interesat financiare të Ajola Xoxas.
Sipërmarrësi është pyetur në Prokurori dhe duket se nuk ka qenë i sinqertë për pjesën më të madhe të gjëra që ka deklaruar fillimisht mbi raportet e tij pronësore me bashkëshorten e kryebashkiakut Veliaj.
Në materialin hetimor, ky raport përshkruhet me nota dyshuese.
“Në përmbledhje të deklarimeve të bëra nga shtetasi Gentian S. Sula, rezulton se pjesa më e madhe e tyre nuk mbështet në rrethanat e faktit të dokumentuara nga aktet e administruara në fashikullin penal. Një pjesë tjetër e tyre provojnë marrëdhënien e krijuar mes këtij shtetasi dhe shtetases Ajola Xoxa, kur bëhet fjalë për dhënien pa shpërblim të një vile”, thuhet në dosjen penale të Prokurorisë së Posaçme.
Në lidhje me këtë vilë, Gent Sula, në cilësinë e deklaruesit, është shprehur se ka qenë ai që i ka propozuar shtetases Xoxa përdorimin e një vile pa qira për shfrytëzimin e saj për interesa të artit.
“Megjithëse deklaruesi shprehet se kompania ku ai është aksioner (Intersig Viena Insurance Group) është promovuese e artit, konstatohet se në rastin e vilës, ky objekt nuk i përket shoqërisë private, por disa individëve, në cilësinë e bashkëpronarëve. Këta të fundit, para dhënies së vilës pa pagesë në përdorim të Ajola Xoxas, e kishin dhënë atë me qira, nga ku përfitonin shuma të konsiderueshme. Kjo, edhe për shkak të pozicionit mjaft të mirë të ndërtesës, në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës (ish-Bllokut)”, thotë ndër të tjera SPAK, duke lënë të kuptohet se nuk e beson variantin e raportet Sula-Xoxa pa pagesë.

Më tej, grupi hetimor shprehet: “Këta individë (bashkëpronarët e vilës), mes të cilëve edhe bashkëshortja e Gentian Sulës (aksionerit të “Intersig”), sipas deklaruesit, kanë dhënë dakordësinë për dhënien e godinës në huapërdorim pa pagesë, pa asnjë akt të shkruar”.
Momenti që ka bindur Prokurorinë e Posaçme se dhënia në huapërdorim pa kundërshpërblim e vilës në favor të Ajola Xoxas ishte “fiktive”, ishte pikërisht momenti kur organi hetimor kreu një kontroll në këto vilë.
“Pas kontrolleve nga Prokuroria e Posaçme, e drejta e përdorimit pa shpërblim, e dhënë me gojë, është revokuar me një akt të shkruar”.
Pra, sipas asaj që ka zbuluar SPAK-u, Gent Sula i ka dhënë në përdorim vilën pa asnjë kontratë Ajola Xoxas, por, kur është detyruar që të ndërpresë këtë marrëdhënie për shkak të kontrolleve nga Byroja Kombëtare e Hetimit, e ka formalizuar ndërprerjet e raporteve me bashkëshorten e kryetarit të Bashkisë me një dokument të shkruar.
Ky është vetëm njëri nga disa episode që e lidhin në mënyrë të dyshimtë administratorin e ‘Intersig-Viena Insurance Group”, Gentian Sula, me interesat financiare të Ajola Xoxas.
Ky rast mendohet se është pjesë e një skemë të dyshuar “pastrimi parash”. Hetimi, i cili ka zgjatur më shumë se një vit, ka dokumentuar se Xoxa ishte pronare dhe drejtuese faktike e disa shoqërive tregtare dhe organizatave joqeveritare të regjistruara në emra të tjerë, të cilat përfitonin fonde publike nga Bashkia e Tiranës. Paratë, sipas SPAK, kanalizoheshin më pas në llogaritë e saj përmes transfertave të sinkronizuara.
Ndër këto subjekte ishte edhe qendra artistike “Nan Gallery”, e cila, pas kalimit në drejtimin e Xoxas, nisi të zhvillonte aktivitetin në një vilë dy-katëshe me sipërfaqe rreth 270 m², në zemër të ish-Bllokut. Vila rezulton pronë e Gentian Sulës dhe bashkëjetueses së tij, B.A., dhe iu vu në dispozicion Xoxas pa pagesë, në formën e një “sponsorizimi” për aktivitetin kulturor.










Discussion about this post