Situata e zjarreve në territorin e bashkisë Gramsh mbetet kritike dhe në zhvillim të vazhdueshëm, me përhapjen e flakëve drejt vatrave të reja që rrezikon seriozisht jetën, pronën dhe mjedisin.
Pasditja dhe mbrëmja e kaluar kanë shënuar një përkeqësim, me vatra aktive të regjistruara në fshatin Ermenj, Njësia Administrative Skënderbegas, si dhe në zonën e Teqes së Dushkut. Zjarret po përhapen me shpejtësi për shkak të dendësisë së pyjeve dhe bimësisë së thatë, duke e bërë ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës jashtëzakonisht të vështirë.Sipas autoriteteve lokale, deri tani janë djegur 42 banesa në Skënderbegas dhe fshatra të tjerë përreth.
Dëmet në gjënë e gjallë janë të mëdha:
• 130 krerë bagëti të imta
• 22 gjedhë
• 1 thundrak
• 80 koshere bletësh
• Shumë shpendë dhe kafshë të tjera shtëpiake
Për të parandaluar ndonjë epidemi, autoritetet kanë nisur groposjen e kafshëve të ngordhura, ndërsa shërbimi veterinar është në terren duke hartuar procesverbalet përkatëse. Zona mbahet nën monitorim të vazhdueshëm për të frenuar çdo përhapje të mundshme të ndotjes apo sëmundjeve.
Numri i personave të evakuuar deri më sot ka arritur 46, pas strehimit të 6 personave të tjerë në konviktin shtetëror të Gramshit gjatë mbrëmjes së djeshme. Ata iu janë bashkuar 40 banorëve të evakuuar një ditë më parë, kryesisht nga zona e Nartës, ku situata deri dje ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, por aktualisht është nën kontroll relativ.
Përpjekjet për shuarjen e flakëve vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa në terren janë angazhuar:
• Rreth 50 forca të ushtrisë
• 7 mjete zjarrfikëse
• 200 vullnetarë
Bilanci paraprak flet për 10 fshatra të bashkisë Gramsh të prekur nga flakët, ku Bletëza dhe Shëmbërdhenji janë evidentuar si zonat më të goditura, ku nuk ka mbetur asgjë pas.
Operacionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve po zhvillohen në kushte ekstreme. Dendësia e pyjeve, mungesa e aksesit rrugor dhe erërat e forta favorizojnë përhapjen e flakëve, duke vështirësuar punën e zjarrfikësve dhe vullnetarëve. Autoritetet lokalë kanë theksuar se çdo orë është kritike për të frenuar përhapjen e mëtejshme dhe kanë apeluar për kujdes të shtuar nga banorët, duke ndaluar çdo veprim që mund të shkaktojë ndezje të reja, si djegia e mbeturinave apo lënia e materialeve të ndezshme në natyrë.
Autoritetet lokale dhe qendrore kanë kërkuar bashkëpunim maksimal nga komuniteti, jo vetëm për shuarjen e zjarreve, por edhe për raportimin e çdo vatre të re, në mënyrë që reagimi të jetë sa më i shpejtë dhe i koordinuar. Strukturat e Emergjencave Civile dhe aktorë të tjerë të përfshirë në operacion kanë bërë të ditur se ndërhyrjet do të vijojnë gjatë gjithë ditës, me synim vendosjen e situatës nën kontroll, ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe mbrojtjen e pasurisë së tyre.
Përgjatë gjithë territorit të Gramshit, veçanërisht në zonat malore, rreziku nga zjarret në pyje dhe kullota mbetet i lartë. Temperaturat e larta, thatësira dhe faktori njerëzor përbëjnë një kombinim alarmant që po vë në provë kapacitetet vendore dhe ato shtetërore. Ndërsa flakët nuk kursejnë asgjë në rrugën e tyre, shpresa mbetet te ndërgjegjësimi qytetar dhe përpjekjet e koordinuara për të parandaluar tragjedinë nga të marrë përmasa edhe më të mëdha.










Discussion about this post