SPAK ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, dhe tre të tjerëve.
Ilir Meta akuzohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,“Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Monika Kryemadhi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në dy raste të kryera në bashkëpunim,“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim , “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Ndërkohë të akuzuar të tjerë në dosje janë edhe shtetasit:
Pirro Xhixho, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” e kryer në bashkëpunim. parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.
Ema Çoku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.
SPAK bën me dije se ka marrë të pandehur dhe ka ngritur akuzë edhe ndaj Fatime Kryemadhit, nënës së Monika Kryemadhit. Ajo akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ky procedim penal është rezultat i një hetimi intensiv, i cili ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme. Në vitin 2024, të gjitha procedimet e veçuara u bashkuan në një të vetëm.
“Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale, dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive. Episodet e dokumentuara tregojnë subjektet e procedimit, të cilët në bashkëpunim mes tyre janë përfshirë në kryerjen e veprave penale të përmendura më sipër. Episode të detajuara në lidhje me akuzat e ngritura dhe faktet penale të kryera nga të pandehurit mund t’i gjeni në Njoftimin për Shtyp, i publikuar në faqen zyrtare të SPAK: NJOFTIM PËR SHTYP, Datë 21.10.2024 – spak.gov.al.
Për hetimet e kryera, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bashkëpunuar me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos dhe Qipros”, theksohet në njoftimin e SPAK.










Discussion about this post