Një histori mashtrimi është sjellësërish në qendër të vëmendjes. Florian Gjergji, i shumëkërkuari i policisë për mashtrimin e biznesmenëve ka dalë sërish në skenë, me një rast të ndodhur në shtator 2023. Grupi i Gjergjit, herë pas here ndjek skemën e mashtrimit duke u hequr si figura të larta politike për të mashtruar biznesmenët.
Gjykata e Tiranës ka dënuar 5 personat e përfshirë në një rast mashtrimi për t’i zhvatur paratë një biznesmeni ndërtues, ndërsa Gjergji ende në arrati.
Bëhet fjalë për Xhensil Hidën, i cili pretendonte se ishte kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dhe i dërgoi SMS në aplikacionin “Telegram” një ndërtuesi në Tiranë duke i kërkuar një shumë parash 70 mijë euro, me pretendimin se i nevojiteshin një miku të tij.
“Përshëndetje! Jam Erion Veliaj. Një mikut tim i nevojiten 70 mijë euro. Rregullohemi bashkë diku tjetër”,-shkruhet në mesazh.
Në vijim të komunikimit, biznesmeni me iniciale G. A. ka treguar gatishmëri t’ia dërgonte paratë te zyra në bashki. Nga bashkëbiseduesi i është kërkuar fillimisht t’i dorëzonte të hollat në Vlorë, më pas në një restorant të njohur pranë Lushnjës, e në përfundim kanë lënë si pikë takimi parkimin e një qendre tregtare pranë Kthesës së Kamzës në Tiranë.
Por, teksa ka shkuar në vendin e caktuar, personi që do të merrte paratë nuk e dinte që në çantën e vënë përpara syve nuk kishte euro, por letra, dhe se gjithçka po ndodhte para syve të oficerëve të policisë, të cilët ndërhynë dhe bënë arrestimin e tij, shkruan A2. Pas ndalimit, personi ka komunikuar me porositësin, duke pretenduar se paratë u morën, ç’ka çoi më pas në identifikimin e katër personave të tjerë të përfshirë.
Ndërsa i pandehuri tjetër, Leonard Xhika, u dënua gjithashtu me 2 vite burgim pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, por dënimi u pezullua në 4 vite shërbim prove.
Xhika ishte personi që kishte shkuar të merrte paratë nga ndërtuesi, sipas udhëzimit që i kishte dhënë Xhensil Hida.
Kurse 3 personat e tjerë, Mikel Panxhi, Xhonatan Xhaferri dhe Petro Ferzaj, u dënuan me nga 8 muaj burg për veprën penale të moskallëzimit të krimit. Këta ishin personat, të cilët u kontaktuan nga Xhensil Hida që të merrnin shumat e pretenduara të parave nga Leonard Xhika.
Por kjo nuk është hera e parë që zbulohet një skemë mashtrimi e Gjergjit, e vetja gjë që ndryshon është emri nën të cilin ‘fshihet’, pasi rastet e shumta janë edhe nën emrin e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla. Prej fillimit të viti 2023 Florian Gjergji është një prej personave më të kërkuar sa i takon skemave të mashtrimit. Policia në disa raste ka zbardhur me prova, se si ai vendoste gjoba ndaj biznesmenëve duke u prezantuar herë si kryebashkiak i Vlorës dhe herë si Erion Veliaj i Tiranës. Gjergji përdor aplikacionet “Telegram” dhe “Signal”, ku u prezantohet biznesmenëve, kryesisht të fushës së ndërtimit, si kryebashkiakë, ministra, apo edhe drejtues të institucioneve shtetërore.
Rastet e mashtrimit të biznesmenëve:
7 janar 2023 – Operacioni “Signal”, tre të arrestuar, shuma 130.000 euro
10 janar 2023– Operacioni “Subjekti”, tre të arrestuar, shuma 13.000 euro
13 shkurt 2023– Operacioni “Tentativa”, tre të arrestuar, shuma 90.000 euro
6 maj 2023 – Operacioni “Telegram”, dy të arrestuar, shuma 100.000 euro
16 maj 2023– Operacioni “Arkitekti”, një i arrestuar, shuma 70.000 euro
4 gusht 2023– Operacioni “Replay”, tre të arrestuar, shuma 35.000 euro
29 shtator 2023– Operacioni “Fraud”, katër të arrestuar, shuma 70.000 euro.










Discussion about this post