A e dini se Posta Shqiptare del me humbje? Qysh nga tremujori i fundit i viti 2022, kur në postin e drejtorit u vendos Ardit Demiri humbjet janë shumëfishuar. Ky vit u mbyll me 10 milionë lekë fitim, ndërsa viti 2023 shënon gropën më të madhe financiare në historinë e Postës Shqiptare.
Sipas dokumenteve të dorëzuara më 1 vit vonesë tek Tatimet, Ardit Demiri ka firmosur një humbje skandaloze.

“Në vitin 2023 nuk rezultojmë me tatim fitim pasi shoqëria rezulton me humbje prej 167,157,714 lekë Pavarësisht zbritjes së shpenzimeve të panjohura prej 80,404,982 lekë përsëri rezultojmë me një tatim humbje të tatueshme -86,852,732 lekë”, citojmë dokumentin e hartuar nga Demiri.
Ku i çon paratë e Postës Arditi? Do të na duhej kohë e gjatë të raportonim një për një shpërdorimet e kryera, por po ndalemi tek i fundit që po përgatitet.
Posta do të marrë makina me qera
Shoqëria shtetërore POSTA SHQIPTARE po bën gati një procedurë prokurimi me fond mbi kufirin e lartë monetar. Tenderi është njoftuar në 1 shtator 2025 në Agjencinë e Prokurimit Publik. Është një super tender që do t’i japë goditje të madhe arkës së Postës.
Lotit 1 i tenderit titullohet “Marrje automjet furgonçina me qira”. Ndërsa Lotit 2 ka objekt “Marrje autovetura suv me qira”.
Çfarë janë këto makinat SUV? Të quajtura “Sport Utility Vehicle”, këto autovetura kombinojnë aftësitë e makinave të shpejta me ato të fuoristradës. I duhen ca makina luksoze Postës. Demiri nuk pyet çfarë i duhet Postës, por i pështatet nevojave të oligarkëve që po i japin mjete me qera qeverisë. Drejtori ka hedhur tutje maskën e krijuar nga paraardhësit për makina dhe motoçikla elektrikë, për ruajtjen e ambjentit! Tashmë drejtori po bën lekë me të dyja duart dhe nuk e fsheh qëllimin.
Kontrata totale me objekt “Automjete me qira operacionale leasing (per 4 vite)” e ka fondi limit: 96,000,000 Lekë, pa TVSH ose 991,428.28 Euro, pa TVSH , e ndarë në 2 (dy) lote, si më poshtë: LOTI 1: “Marrje automjet furgonçina me qira ” me fond limit 79,094,400 Lekë pa TVSH ose 816,837.76 Euro pa TVSH LOTI 2: “Marrje autovetura suv me qira” me fond limit 16,905,600 Lekë pa TVSH ose 174,590,52 Euro pa TVSH.

Këto lekë jepen për 4 vjet, që tejkalon edhe mandatin e kryeministrit, ndërsa drejtor Demirin e ka votuar bordi në këtë post deri në dhjetor të këtij viti. Në 26 shtator 2025 hapen zarfat me ofertat dhe dhuratat për këtë super tender. Demiri po nxiton ta bëjë tenderin para mbarimit të afatit të dorëzimit të detyrës së administratorit.
Ku i çoi Demiri makinat që ka blerë?
Në dokumentet e tenderit nuk ka një justifikim apo analizë se si është përcaktuar fondi limit afro 1 milion euro për këto makina me qera. Gjithsesi, edhe në mungesë të kësaj analize, Posta Shqiptare nuk mund të veprojë sikur është krijuar sot dhe po nis nga zero. Ku e ka çuar flotën e mjeteve Ardit Demiri?
Jo më larg se viti i kaluar u blenë mjete të reja. Prokurimi i urdhëruar nga Demiri me objekt ‘Blerje Automjete’, që është hapur më datë 8 mars 2024 dhe u mbyll më datë 25 mars 2024, e kishte fond limit në vlerën 279 milionë lekë. Duke pasur parasysh se Posta Shqiptare ka aq shumë mjete sa nuk ka ku i parkon, bëjmë pyetjen: A mund t’i kursente Arditi këto lekë?

Por, s’mund të harrojmë se disa furgonë të tillë Posta Shqiptare i bleu në vitin 2021. Në atë vit përmes projektit ‘Shko Gjelbër’ Posta Shqiptare ka blerë 11 furgonë elektrik, ku një pjesë ishin për shërbim postar dhe një pjesë për transport personeli.
“Posta Shqiptare Sh.A., fuqizoi flotën e automjeteve me 12 furgonë ekologjik kargo nga të cilët: shtatë furgona ekologjikë kargo, pesë furgonë 100% elektrikë kargo dhe 6 stacione karikimi EV”, raportonte Posta në atë vit.
Siç shohim, ky projekt ka edhe një lot tjetër me objekt ‘Blerje automjete për dërgesa postare’. Sipas informacioneve do të bliheshin 6 makina të tjera për të shpërndarë postat dhe do të shpenzoheshin 211 milionë lekë.

Tenderi tjetër i Ardit Demirit me objekt “Blerje 55 motoçikleta me tre rrota 100% elektrike (sipas projektit të UPU, me REF-QSFALB2304)” u njoftua më 14 gusht 2024. Fondi Limit i përcaktuar nga komisioni i postës ishte përllogaritur 25 802 333,00 lekë (pa TVSH). Nëse përfshijmë edhe TVSH, atëherë kontrata parashikohej të arrinte në 312 milionë lekë.
Duke parë, raportin e KLSH në vitin 2020, shohim se rekomandohet që të mos bëhen tendera jashtë mundësive për investime. Por Demiri e ka ndarë mendjen dhe në fund të mandatit të tij do të bëjë golin e madh 1 milion euro!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post