Kristian Shkreli, kryetar i Bashkisë Vau i Dejës, kërkon të rregullojë raportet me Edi Ramën pas ftohjes që ndodhi gjatë zgjedhjeve të 11 majit. Dhe kjo ka një faturë. Tenderi 1.2 miliardë lekë i jepet Sadri Abazit, ndërsa ky i fundit do t’i heqë “njollën” në PS.
Shkreli kishte marrë një paralajmërim të tipit ‘o me ne, o me Tom Doshin’. “Kristian, mos luaj me dy porta”, iu drejtua kryeministri në një takim elektoral në Shkodër.
Dhe pasojat erdhën shpejt, katër ditë pas zgjedhjeve, Në kuadër të një hetimi që po zhvillon për korrupsion zgjedhor për subjektin politik Partia Socialdemokrate, SPAK urdhëroi sekuestrimin e celularit të kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli.
Prokuroria e Posaçme kishte marrë më herët autorizim në Gjykatë për kontrollin personal të kryetarit të bashkisë, vendim që u zbatua nga Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Për të njëjtën çështje janë sekuestruar edhe celularët e disa personave të tjera, që konsiderohen si mbështetës të PSD-së dhe që SPAK ka dyshime se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.
Kontrolli i Kristian Shkelit vinte 4 ditë pas zgjedhjeve parlamentare, ku forcë e parë në Vaun e Dejës doli PSD-ja e Tom Doshit.
Megjithatë në fund fiton pragmatizimi i përzier me pak korrupsion politik. Kryebashkiaku nuk e ka derën e mbyllur tek Rama, sidomos nëse futet mik politik eksponenti i fuqishëm i PS-së, Sadri Abazi. Dhe në atmosferën e “afrimit” të kryebashkiakut me kryeministrin, Arbri nipi i Sadri Abazit ka marrë jo pak, por 1.2 miliardë lekë.
Më konkretisht, raporti ynë ka në qendër tenderin e Bashkisë Vau Dejës me objekt “Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare dhe të mesme + shtesë 2 kate, Bushat”. Fondi limit i përcaktuar për këtë projekt e ka vlerën 121 579 358,00 lekë pa TVSH.
Ky është një nga ato tenderat që kryhen shpejt e shpejt, pa zhurmë dhe ankesa, ku të gjithë janë të kënaqur. Data e njoftimit të prokurimit ishte më 22 korrik 2025 dhe procedura u mbyll më 21 gusht 2025. Pavarësisht se merrnin pjesë 6 operatorë ekonomikë, komisioni i vlerësimit e ka fshirë qysh në fillim mundësinë për konkurrencë.
Shkreli ka favorizuar nipin e Sadri Abazit dhe kjo është evidentuar me një “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e klasifikon tenderin Open Data Albania.

Për taksapaguesit është e çuditshme të mësojnë se si Shkreli dhe komisioni i tij nuk i japin rëndësi kursimit të fondit. Në mënyrë të hapur dhe pa ndonjë arsye të fortë, është injoruar fakti se në këtë procedurë ka pasur oferta të tjera më ekonomike.
Nipi i Sadri Abazit ka marrë pjesë në këtë tender me dy kompanitë e tij ALKO IMPEX CONSTRUCTION – ALKO IMPEX General Construksion SHPK. Oferta e këtij operatori ishte 114 278 270,00 lekë pa llogaritur TVSH, që do ta rrisë vlerën totale të kontratës 1-vjeçare.
Por kompania “LODI CONSTRUCTION” shpk ka propozuar ta bëjë këtë punë me 99.696.510 lekë. Pra, nëse do të merrej në konsideratë kjo ofertë, buxhetit to t’i kurseheshin të paktën 150 milionë lekë!

Oferta u hodh poshtë me këtë fjali: Formulari i vetedeklarimit nuk është plotësuar në mënyrën e duhur. Ligji nuk e ndalonte komisionin të komunikonte me kompaninë e mësipërme dhe të bëhej siç duhej formulari. Por e ndalon Shkreli, i cili me shpejtësi maksimale e ka firmosur shpalljen e fituesit më 4 shtator 2025.
Ndërkaq, një kompani vendase, “DELIA IMPEX” shpk, duke parë se si po shkonte puna në këtë tender, nuk ka paraqitur asnjë dokument.
Ndihma e Abazit në PS është siguruar me këtë faturë 1.2 miliardë lekë. Por pavarësisht se me sa porta luan Shkreli, PS e ka mbrojtur edhe herë të tjera. Kujtojmë se në 25 prill 2023, opozita kërkuar verifikimin me urgjence të kandidatit të PS në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli, pasi rezulton se në vitin 2021, kur ka qenë kandidat për deputet nën siglën e PS, nuk ka deklaruar dëbimin e tij nga Italia në vitin 2007, në formularin e dekriminalizimit.
Në vitin 2023 ai ka deklaruar dëbimin, por pa dhënë arsyet e dëbimit, duke fshehur faktin se ai është dëbuar për kryerjen e një vepre penale.
Ndërkohë për mosdeklarimin e dëbimit në vitin 2021 praktika i është përcjellë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme për veprën penale të falsifikimit të formularëve parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post