Drejtori ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) Dritan Agolli, nxjerr jashtë loje 20 kompani dhe bashkime operatorësh që aplikuan në tenderin e fundit me vlerë afro 1.3 miliardë lekë për ndriçimin e Drenovës. Këtë e bëri për të favorizuar mikun e tij nga Korça, Ali Xhengon.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit. Kusht: fituesi nuk është operatori me ofertën më të ulët”, kjo është mënyra e veprimit në këtë tender, sipas klasifikimit që ka bërë Open Data Albania.
Për më tepër, procedura është qëndisur me një “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.

Ky është tender për vendosjen e një linje ndriçimi në fshatin Drenovë të Korçës, si dhe për instalimin e një pompe për largimin e ujërave të zeza, po ashtu të një mini imipanti për pastrimin e tyre.
Zyrtarisht, prokurimi ka si objekt “Përmirësimin e transportit lokal dhe urban me ndërhyrje në rrugë dhe trotuare: Lot 6 -Infrastruktura 1: Ndërtimi i godinave dhe parkut të “Poli i Festivaleve dhe Industrisë Kreative” Drenovë, Korçë.
Për të marrë pjesë në këtë tender paraqitën ofertat 20 kompani që synonin fondin 124,707,687 lekë pa TVSH të përllogaritur për këto punime. Në këtë lot, sipas preventimit të punimeve do të hiqet linja e vjetër e elektrike dhe do të instalohet ndriçim në një gjatësi afro 1 km. Pjesë e projektit është edhe vendosje e një pompe për largimin e ujërave të zeza, si dhe të një impianti për pastrim biologjik të këtyre ujërave me kapacitet 1250 persona.
Xhengo fiton me ofertën më të shtrenjtë
Tenderi është mbajtur më 2 korrik 2025, por duke qenë se fituesi dihej qysh më parë, nuk ka pasur shumë punë për komisionin e vlerësimit të ofertave. Sipas dokumenteve, bashkimi i operatorëve ekonomik kontraktues XHENGO sh.p.k (78.1%) dhe NIEM sh.p.k (21.0%) paraqiti ofertën 86,631,026 lekë pa TVSH. Ndërkohë fakti që kishte oferta të tjera më të ulëta, nuk përbënte problem, sepse në fund pikët i vendos Dritan Agolli.
Theksojmë se kompania “NIKA” sh.p.k propozonte vlerën 83,550,409 lekë pa tvsh. Ndërsa “NDERTUESI 2014″ sh.p.k ka bërë ofertën 83,527,516.90 lekë pa tvsh.
Edhe operatori “INA” sh.p.k, ka bërë propozim me vlerë më të ulët, 86,068,221 lekë pa tvsh. Po kështu, kompania “BE – IS” sh.p.k, me vlerën 85,660,454 lekë pa tvsh.
Në këtë nivel është edhe propozimi i bërë nga bashkimi i operatorëve “HTM” sh.p.k & “A.L-ASFALT” sh.p.k me vlerë 81,540,456.28 lekë pa tvsh.
Edhe firma “ED KONSTRUKSION” sh.p.k ka bërë ofertën 86,103,201.67 lekë pa tvsh, me vlerë pak më ulët se sa ajo fituese, por e vlerësuar me më pak pikë nga komisioni.

Xhengo, klienti i vjetër i Dritan Agollit
Paralelisht me këtë prokurim, Dritan Agolli e ka ngarkuar kompaninë e Ali Xhengos me fonde të tjera të menaxhuara nga FSHZH. Këtë radhë 2.5 miliardë lekë!
Tenderi është mbajtur më 16 qershor 2025 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ka si objekt: “Rikonstruksion objekti ekzistues i pallatit të sportit “Tamara Nikolla”, Korçë. Ndërsa fondi limit i caktuar për këtë punë është 249,999,211 lekë pa tvsh.
Edhe në këtë rast është ngritur “Flamur i kuq” nga Open data Albania, por nuk është ndikuar nga ky fakt as KPP dhe as Agjencia e Prokurimit Publik. Këta të fundit nuk e kanë pasur mendjen tek tenderat këto kohë, sepse u rrezikohet vendi i punës nga reforma që pritet të bëjë “Diella”, ministrja-robot e prokurimeve!

Ali Xhengo dhe Shyqyri Xhengo janë të njohur si koncesionar të një hidrocentrali që u ngrit mbi Selcë. Banorët protestuan se diga u thau ujin për vaditje, por qeveria mbështeste Xhengot.
Megjithatë tenderat janë objektivi më i rëndësishëm i biznesit të tyre. Në dhjetor 2023, Dritan Agolli i firmosi Ali Xhengos një tender të dyshimtë me vlerë 4 miliardë lekë.
Objekti i kontratës është: “Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit, Loti 2 Kompleksi i Dijes, Korçë”.
Tenderi ka si fond limit shifrën 474,325,344 lekë të reja pa TVSH. Nëse shikojmë dokumentacionin përkatës të këtij tenderi, shikohet se të paktën 3 kompani të tjera kanë ofruar më pak se fituesi dhe një tjetër ka hyrë në garë pa paraqitur ofertë.
Megjithatë Agolli nuk e ka vrarë aspak mendjen dhe ka zgjedhur si fituese kompaninë XHENGO SHPK në pronësi të Ali, Shyqyri dhe Ardian Xhengos, për një vlerë prej 337,313,081 lekë të reja pa TVSH ose gati 4 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Pra nuk është rastësi, që Agolli u firmos miliardat Xhengove. Kujtojmë se Drejtori i FShZH, Dritan Agolli, është nën hetim nga SPAK, ndër të të tjera edhe për tenderat e projektit “100 fshatrat”. Dritan Agolli është paraqitur në SPAK në nëntor 2024. Ai është pyetur për një tender me vlerë 500 mijë dollarë të FSHZH-s për një menu të projektit “100 fshatrat”.
Tenderi u fitua nga dy shefa kuzhine, një nga të cilët ishte i punësuar në një restorant në pronësi të djalit të Agollit.
Po ashtu, Dritan Agolli është pronar i një kompanie e quajtur ‘Magnum Opus’ group me objekt studime në nivel strategjik, menaxherial, operacional, analiza, vrojtime, sondazhe, konsulencë, shërbime administrative etj.
Kompania rezulton që ka marrë para publike. Agolli ka siguruar para publike përmes nënkontraktimeve dhe kompaninë që u ka dhënë tendera publik.
Ka një marrëdhënie që kreu i FSHZH ka kryer me kompani private, me të cilët i ka lidhur interesi.
Një vit pasi Agolli është emëruar në krye të FSHZH, i biri i tij deklaron se gjyshi i ka dhuruar një shtëpi me sipërfaqe gati 1550 metra/katror, ndërsa Agolli ka deklaruar në institucionin kundër pastrimit të parave se ka shitur një apartament 360 mijë euro, ndërkohë që vlera e tij ka qenë gjysmë për gjysmë në kohën e blerjes.
Me këtë lëvizje ka justifikuar blerjet e apartamenteve dhe garazheve ku ai jeton dhe i ka pronë të tij. Bëhet fjalë edhe për një shumë që do t’ia kalonte biznesit të djalit të tij, 400 mijë euro.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post