Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pohoi se nuk do të ketë shtet palestinez, në një video drejtuar udhëheqësve perëndimorë që e kanë njohur më parë atë.
“Kam një mesazh të qartë për udhëheqësit që njohin një shtet palestinez pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit: ju po ofroni një shpërblim të madh për terrorizmin”, tha Netanyahu në këtë video të publikuar nga zyra e tij.
“Kam një mesazh tjetër për ju: kjo nuk do të ndodhë. Asnjë shtet palestinez nuk do të shfaqet në perëndim të lumit Jordan”, shtoi ai.
Netanyahu theksoi se krijimi i një shteti palestinez do të rrezikonte ekzistencën e Izraelit dhe premtoi të luftonte thirrjet për njohjen e këtij shteti para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Ne duhet (…) të luftojmë në OKB dhe në të gjitha frontet e tjera kundër propagandës së rreme kundër nesh dhe kundër thirrjeve për krijimin e një shteti palestinez që do të rrezikonte ekzistencën tonë dhe do të përbënte një shpërblim absurd për terrorizmin”, deklaroi kryeministri izraelit para një mbledhjeje të kabinetit.
“Bashkësia ndërkombëtare do të na dëgjojë për këtë në ditët në vijim”, shtoi ai.
Kryeministri Keir Starmer njoftoi se Mbretëria e Bashkuar tani njeh zyrtarisht një shtet palestinez, sipas BBC.
“Sot, për të ringjallur shpresën për paqe dhe një zgjidhje me dy shtete, unë deklaroj qartë – si kryeministër i këtij vendi të madh – se Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës”, tha ai në një deklaratë video.
Më parë, Kanadaja u bë vendi i parë i G7-s, që bëri këtë veprim, e ndjekur nga afër nga Australia.
Zëvendësuesi i Starmer, David Lammy, më parë e mbrojti këtë veprim – duke i thënë BBC-së “tani është koha për të mbrojtur një zgjidhje me dy shtete”.
”Australia e ka njohur zyrtarisht Palestinën si shtet sovran”, tha sot kryeministri australian, Anthony Albanese, duke iu bashkuar Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë në marrjen e këtij vendimi historik.
“Australia njeh aspiratat legjitime dhe të hershme të popullit të Palestinës për një shtet të vetin”, tha Albanese në një deklaratë të përbashkët me ministren e Jashtme, Penny Wong.
“Akti i sotëm i njohjes pasqyron angazhimin e hershëm të Australisë për një zgjidhje me dy shtete, e cila ka qenë gjithmonë e vetmja rrugë për paqe dhe siguri të qëndrueshme për popullin izraelit dhe atë palestinez”, shtoi ai.
Deklarata vuri në dukje se Autoriteti Palestinez ka njohur të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe deklaroi se “organizata terroriste Hamas nuk duhet të ketë asnjë rol në Palestinë”.










Discussion about this post