Ramazan Kalia ose “Zani i 7 liqeneve të Lurës” ia ka gjetur anën Anuelës së Bashkisë Tiranë, ndërsa me Eimirianën e Bashkisë Durrës janë miq të vjetër tenderash! Por këtë radhë pazari ka qenë me të dyja njëherësh: Tender në Durrës dhe në Tiranë brenda ditës, në favor të kompanisë “LIQENI VII” shpk.
Po si ka mundësi që në datën 18 shtator 2025, edhe në Tiranë edhe në Durrës shpallet fitues i njëjti biznesmen. Duket sikur një dorë nga lart i rregullon këto punë. Ky mbase është kryeministri Rama, sepse Diella nuk ka nisur të merret me tenderat.
Dhe kështu, në tenderin e parë është kryetarja e komanduar, Anuela Ristani që nuk pyet për ligjin mbi prokurimet, por ia jep kontratën Ramazan Kalisë. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës vlerë më të ulët”, kështu është klasifikuar tenderi nga Open Data Albania. Procedura është shënuar nga një “Flamur i kuq” që është shenja që tregon riskun e korrupsionit.

Bëhet fjalë për tenderin e Bashkisë Tiranë me objekt “Rikonstruksioni i rrugës ”Ramazan Shushku””. Fondi Limit i miratuar për këtë projekt është 31 116 063,00 lekë pa TVSH, ndërsa si burim financimi janë të ardhurat e Bashkisë Tiranë për vitin 2025.
Prova për KLSH dhe SPAK për Anuela Ristanin!
Në tenderin e mbajtur më 10 korrik 2025 merrnin pjesë 8 operatorë ekonomikë dhe bashkime kompanish. Megjithatë pjesëmarrja e tyre është vetëm për statistikë, sepse në tender është favorizuar haptazi firma “LIQENI VII”. Fillimisht janë hequr nga rruga e Ramazanit dy ofertat më të ulëta duke i skualifikuar. Njëra nga kompanitë sipas komisionit të Anuelës, nuk përmbushte kriteret, ndërsa tjetra ishte ofertë “anomalisht e ulët”.

“Oferta e Bashkimit të Operatorëve Ekonomik “2 N” shpk & “BONUS” sh.p.k është me çmim Anomalisht të Ulët, për rrjedhojë bazuar ne ligjin 16/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin 162/2020 “Për prokurimin publik”, neni 27, që përcakton se: “Në procedurat e prokurimit me vlerë nën kufijtë e lartë monetarë, autoritetet ose entet kontraktore refuzojnë pa kërkuar shpjegime një ofertë, e cila është konstatuar anomalisht e ulët”, është e pavlefshme”, citojmë vendimin e komisionit të Bashkisë Tiranë.
Sipas dokumenteve Bashkimi i Operatorëve Ekonomik “2 N” shpk & “BONUS” sh.p.k kishte ofertën me vlerë 20,200,000.00 lekë pa TVSH. Ndërsa oferta fituese e Operatorit Ekonomik “LIQENI VII” është 20,843,973.90 lekë pa TVSH.
Duke qenë se këto oferta janë të ngjashme si dy pika uji, habitemi pse oferta fituese nuk është “anomalisht e ulët”?
Ndërkaq ofertat e tjera të vlefshme, përveç “LIQENI VII”, janë:
-“BE – IS” shpk, 22,338,677.00 lekë pa TVSH.
-“KLAJGER KONSTRUKSION” shpk, 22,623,650.00 lekë pa TVSH.
-“CURRI” shpk 26,862,512.90 lekë pa TVSH
– “BAMI HOLDING” shpk, 28,320,711.30 lekë pa TVSH
– “Company Riviera 2008” shpk & “ASI INVEST” shpk, 28,333,635.00 lekë pa TVSH.
Sipas ligjit, “oferta vlerësohet anomalisht e ulët, nëse vlera e saj do të jetë më e vogël se 85% e mesatares së ofertave të vlefshme”
Nga makina llogaritëse nxorëm se mesatarja e ofertave te vlefshme është 24,887,193.35 lekë dhe 85% e saj është 21,154,113 lekë. Pra, edhe oferta e kompanisë “LIQENI VII” është “anomalisht e ulët”.
Ky është një problem aritmetike që Anuela e ka mësuar qysh në shkollën fillore, por i janë errësuar sytë nga pazari me Ramazanin. Kjo lajthitje është një provë për auditimin e KLSH dhe për SPAK kur të hetojë kryesisht këtë tender.
Në Durrës askush nuk i del para Ramazanit!
Ndërsa tenderi tjetër i firmosur më 18 shtator 2025, është kryer në zyrat e bashkisë Durrës nga zëvendëskryetari, me urdhër delegim të Emiriana Sakos.
Më konkretisht po raportojmë tenderin e Bashkisë Durrës me objekti “Sistemim K.U.B në rrugën “Taulantia”, Lagjja Nr.1”. Është ajo rruga që del gjithmonë kronikat e përmbytjeve kur bie shi. Sa tendera janë bërë për këtë rrugë nuk numërohen! Këtë radhë Bashkia Durrës ka vendosur të hedhë për kanalizim fondin 36 476 292,00 lekë pa TVSH. Asnjë kompani nuk është afruar për këtë shumë lekësh, përveç kompanisë “LIQENI VII” të Ramazan Kalisë.
Kjo ndodh rëndom kur fituesi dihet se është i paracaktuar. Open Data Albania e ka shënuar këtë tender me “Flamur të kuq”, për të treguar riskun e korrupsionit.

Përplasja e dy oligarkëve nga Dibra për tenderin 1.2 miliardë lekë
Këto dy tendera mund të jenë kompensim për një prokurim 1.2 miliardë lekë që kryebashkiaku i Dibrës, Rahim Spahiu ia kishte dhënë Ramazan Kalisë, por Sadri Abazi me nipin e tij ia kanë bllokuar në KPP. Ky ishte shërbimi i fundit për shefin e tij, para se të shkarkohej ish-kryetari i KPP, Jonaid Myzyri. Shpjegojmë se vendimi i KPP është në konflikt interesi të ish-kryetarit Jonaid Myzyri, i cili deri në vitin 2014 ka qenë vartës i Abazit në “Alko Impex”.
Veprimet e KPP mund të përmblidhen në tri fjalë: Jepjani tenderin Abazit! Në mbledhjen e datës 28 maj 2025, Komisioni i Prokurimit Publik mori në shqyrtim për herë të dytë procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare Demir Gashi, Bashkia Dibër 2024”. Kryetar Myzyri ishte i pakënaqur nga moszbatimi i vendimit të KKP i datës 29 prill 2025 për tenderin e zhvilluar me datë 21 janar 2025 nga Bashkia Dibër.
Ankimues është biznesmeni Arbër Abazi i cili është paraqitur në tender me kompanitë e tij “Alko Impex Construction” SHPK & “Alko-Impex General Construction” SHPK.

KPP e kishte pranuar kërkesën e Abazit për shfuqizimin e vendimit të Spahiut që e kishte skualifikuar nga gara, Ndërkohë urdhërohej Bashkia Dibër “të rishikojë arsyet e skualifikimit të operatorit ekonomik BOE “Alko Impex Construction” & “Alko-Impex General Construcion” SHPK dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara”. Po ashtu u urdhërua Autoriteti kontraktor të anulonte procedurën e mësipërme të prokurimit.
Kur Spahiu e la jashtë garës për herë të dytë nipin e oligarkut Sadri Abazi, atëherë Myzyri nxori vendimin pasues që bllokon tenderin e Bashkisë Dibër.

Tashmë ky tender është rishpallur sërish dhe do të mbahet në datën 6 tetor 2025, ku do të zhvillohet raundi i fundit mes dy oligarkëve dibranë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post