Sot është mbajtur seanca e dytë parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, me qëllim konstituimin e komisioneve parlamentare,.
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së tij denoncoi se procesverbali që u hodh për votim ishte i manipuluar dhe nuk pasqyronte të vërtetën e asaj që ndodhi në seancën e kaluar.
Ai akuzoi drejtuesin e Kuvendit, Niko Peleshi, për shkelje flagrante të fjalës së dhënë dhe për përjashtimin e qëllimshëm të opozitës nga një prej seancave më të rëndësishme të katër viteve të fundit.
Deklarata:
Ju nuk mund ta kaloni këtë seancë sikur gjithçka është normale. Këtu jemi në një seancë rutine ku do të hedhim procesverbalin për votim dhe qytetarëve t’u shfaqim një situatë sikur këtu ka një demokraci funksionale, opozita ka ardhur dhe të gjithë jemi dakord.
Ndërkohë, procesverbali që doni të hidhni për votim dhe që po e përmendni, nuk reflekton aspak situatën e ndodhur javën e kaluar në këtë seancë. Ju vetë personalisht mund t’i ktheheni dhe pamjeve nëse dëshironi.
Në momentin që anuluat 5 minuta pushim në seancën e kaluar, i njoftuam zyrtarisht kësaj salle se kreu i grupit parlamentar i PD do të merrte fjalën menjëherë sapo të riniste seanca. Në shkelje të vetë premtimit që dhatë 5 minuta para pushimit, ju, në vend që t’i jepnit fjalën opozitës dhe kreut të grupit parlamentar të PD, i dhatë fjalën kreut të grupit parlamentar të PS.
Ajo që ndodhi javën e kaluar në këtë seancë është e paprecedentë. Që të kalojë seanca më e rëndësishme në katër vite në vetëm 25 minuta diskutim, pa dëgjuar asnjë nga qytetarët shqiptarë programin e qeverisë dhe fjalën e deputetëve të opozitës, të cilët ishin përgatitur me fjalën 10-minutëshe, kjo është një njollë turpi për këtë Kuvend dhe për ju personalisht si kryetare e këtij Kuvendi.
Ai procesverbal nuk reflekton aspak të vërtetën që kanë parë qytetarët, deputetët e opozitës, por edhe ju vetë.
Kështu që ju lutem, korrigjoni procesverbalin dhe mos u sillni në këtë sallë sikur ka dy palë që janë dakord me atë çka ka ndodhur javën e shkuar.










Discussion about this post