Pas mbledhjes së Kryesisë, kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se do të mbështesin kandidaturat e pavarura në zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë dhe në 5 bashkitë e tjera në vend. Në një deklaratë për mediat jashtë selisë së PD-së, Berisha tha se PD “ka kandidatura kalibri”, por shtoi se do të konsiderojnë kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderojnë të nevojshme për fitoren e tyre mbështetjen e PD-së.
“Patëm një diskutim të gjatë, të përgjegjshëm, të lirë. Ajo që predominoj dhe e konsideroj një hap të rëndësishëm në përpjekjen tonë, është se PD ndonëse ka padiskutim kandidatura kalibri për asnjëlloj krahasimi me organizatën kriminale në pushtet, do vlerësojë dhe çmojë shumë kandidaturat e pavarura.
Do konsiderojë me seriozitetin më të madh, kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderojnë të nevojshme për fitoren e tyre, mbështetjen e PD-së. Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë dhe forcat e tjera opozitare. Dhe kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por dhe në bashkitë e tjera”, tha Berisha.
Ai bëri të ditur se për këtë do të ketë një afat prej 2-ditor dhe në rast se nuk do të dalë asnjë kandidat i pavarur, atëherë do të konsiderohen propozimet e partive. Sërish bëhet fjalë për persona jashtë partive politike.
“Nëse nuk del asnjë janë të pavarurit e propozuar nga partitë. Kandidatura jashtë partiake të propozuara nga partitë. Kjo ka funksionuar. Praktika e propozimit të kandidatëve që nuk kanë qenë në PD, është e njohur si praktikë. Dy ditët e ardhshme do të ishte kohë e përshtatshme. Sot dhe nesër do të pritet. Unë ftoj personalitete e këtij vendi, e këtij qyteti të guxojnë sepse ne i mirëpresim”, theksoi Berisha.
Në mbledhjen e Kryesisë, Berisha, tha se deri më tani mbledhjet janë zhvilluar për të diskutuar mbi modelin që do të bashkonte më shumë spektrin opozitar dhe jo për kandidatura.
“Për Tiranën ngrita një delegacion për të eksploruar, jo kandidaturat, por me aleatët modelin ku ne mund të binim dakord, një model që të ishim të gjithë të bashkuar në opozitë, edhe me ata që ishim në koalicion edhe me të tjerë. Disa e kanë shprehur haptas që do preferonin një kandidat të pavarur dhe të mbështetur nga opozita në mënyrë që shanset, nëse e mbështet e gjithë opozita, të jenë më të mëdha. Përpjekja jonë për të arritur ujdi të gjerë me forcat e tjera opozitare, nuk ka asnjë lidhje me probleme me kandidatët tanë të shkëlqyer, por me Kodin Elektoral, tërësinë e votave si opozitë. Nuk janë bërë diskutime për kandidatura, për modelin që do bashkonte më shumë spektrin opozitar në kandidaturën e Tiranës”, tha Berisha.
Ai la të hapur mundësinë që opozita të garojë në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës me një kandidat jashtë strukturave të PD-së dhe partive të tjera politike. Edhe pse nuk dha një emër konkret, Berisha theksoi se një figurë e tillë do të kishte më shumë potencial për të fituar.
“Qindra mijëra militantë do donin një kandidat nga radhët tona, por të tjerë preferojnë një figurë jashtë nesh, jo për arsye negative, por për të qenë sa më afër fitores. Dalja jashtë modelit tradicional të PD-së shihet si një përfillje më e madhe për elektoratin dhe si një mundësi me më shumë shanse”, tha Berisha.
Ndalur te mundësia e bojkotit të zgjedhjeve, Berisha e hodhi poshtë atë, teksa theksoi se një zgjedhje e tillë “është provuar se ka efekt shkatërrimtar tek opozita”.
“Dhunimet e rënda të Kushtetutës nga njerëz të inkriminuar, të lidhur me përvetësime të mëdha të pronave publike si Edi Rama dhe kukulla e tij në Presidencë, seria e dhunimit të Kushtetutës me aktet e tyre, me të drejtë e bëjnë të debatueshëm, e bëjnë terrenin antikushtetues dhe të debatueshëm pjesëmarrjen tonë në këtë garë elektorale. Parimet e Kushtetutës janë të pavdekshme, janë thelbësore për një sistem demokratike, por në një narko-diktaturë janë të parespektuara. Një opozitë në regjimet autoritare, ka si mision përmbysjen e saj, por duke mos mashtruar veten se ajo përmbyset me votë. Por një opozitë duhet ët shfrytëzojë çdo hapësirë në luftën kundër regjimit autoritar. Bojkoti, i cili është një vendim që para çdo padrejtësie të vjen i pari në mendje, është provuar me një efekt destruktiv për opozitën, për ekzistencën e tyre. Në pamje të parë ti mendon se po e ndëshkon, por absolutisht ti i bën qejfin narko-diktatorit. Opozita nuk duhet të lëshojë pozicionet e saj”, theksoi ai.
Zgjedhjet në Tiranë, Vlorë, Berat, Cerrik, Mat dhe Tepelenë do të zhvillohen më 9 nëntor.










Discussion about this post