Pas ngjarjes së rëndë në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri në sallën e gjyqit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka dalë me një deklaratë të fortë për mediat, ku e cilëson ngjarjen si një akt terrorist të paprecedentë dhe një atentat ndaj shtetit të së drejtës dhe jetës publike në Shqipëri.
Blushi deklaron se krimi tashmë nuk vepron më në hije, por “vret në dritë të diellit, brenda ambienteve ku drejtësia duhet të jetë e shenjtë”, duke paralajmëruar se Shqipëria ndodhet përballë një kolapsi institucional, ku siguria e qytetarëve është në pikën më të ulët.
“Ekzekutimi i gjyqtarit Kalaja është dëshmia më tronditëse se krimi i organizuar ka depërtuar në zemër të institucioneve. Kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por rezultat i drejtpërdrejtë i një qeverisjeje që ka shpërbërë shtetin dhe ka toleruar krimin për vite me radhë,” – tha Blushi.
Ai shtoi se shteti është sot “i zhveshur nga autoriteti” dhe i kapur nga struktura kriminale, ndërsa ngjarje si kjo, sipas tij, nuk duhet të kalojnë pa pasoja politike.
“Në një vend normal, një atentat i tillë do të sillte tronditje politike dhe dorëheqje të menjëhershme. Partia e Lirisë kërkon largimin urgjent të Ministres së Brendshme Albana Koçiu, si akt i parë i përgjegjësisë institucionale për këtë dështim katastrofik në garantimin e sigurisë,” – u shpreh Blushi.
Në fund të deklaratës, ai shprehu ngushëllimet për familjen e gjyqtarit Kalaja dhe kolegët e tij, duke e cilësuar këtë ngjarje si një thirrje për zgjim kombëtar, për rikthimin e shtetit të së drejtës dhe për t’i dhënë fund kapjes së Shqipërisë nga mafia dhe korrupsioni.
“Sot është vrarë një gjyqtar. Nesër mund të jetë një qytetar, një mjek, një gazetar… Ky nuk është më thjesht një krim. Ky është një alarm kombëtar,” – përfundon deklarata.










Discussion about this post