Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare ka shënuar rritje prej 8.7% në vitin 2021, ndërsa do të vijojë rritjen drejt niveleve të zgjerimit potencial edhe në vitin 2022. Në një intervistë për “Monitor”, Banka Qendrore vlerëson se rreziqet kryesore që shtrohen për ekonominë shqiptare këtë vit mbeten pandemia dhe veçanërisht përhapja e variantit Omicron, por edhe një zgjatje përtej parashikimeve e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Si e vlerësoni ritmin e procesit të rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare nga efektet e pandemisë dhe në përgjithësi, ecurinë e ekonomisë reale në vitin 2021?
Ekonomia shqiptare u testua fort nga pandemia COVID-19. Mbyllja e plotë apo e pjesshme e sektorëve të tërë të ekonomisë, si në vend dhe në botë, si dhe pasiguria e stresi social i induktuar nga emergjenca shëndetësore, vuri në provë ekuilibrat ekonomikë dhe financiarë të vendit, shëndetin financiar dhe fleksibilitetin operacional të bizneseve shqiptare, si dhe qëndrueshmërinë e modelit dhe burimeve të rritjes.
Në tërësi, ekonomia shqiptare e kaloi me sukses këtë provë, në të tre dimensionet e saj: shkallën e ndikimit të pandemisë në prodhim e punësim, shpejtësinë e rikuperimit dhe ndikimin afatgjatë të pandemisë në potencialet e rritjes.
Procesi i rimëkëmbjes ishte pozitiv në disa drejtime: rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik ishte e shpejtë, me bazë të gjerë, dhe e qëndrueshme. Ajo u pasqyrua në ritmet e larta të rritjes ekonomike, në rimëkëmbjen e punësimit, dhe në përmirësimin e bilanceve financiare të sektorit privat. Zgjerimi i kërkesës mundësoi rikuperimin e shpejtë të prodhimit vendas, i cili qëndron pranë niveleve të para-krizës, çka sugjeron se potenciali prodhues i vendit ka mbetur relativisht i padëmtuar.
Në këtë ecuri, rol esencial patën politikat ekonomike stimuluese, të cilat mundësuan ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit, lehtësuan kostot e financimit për bizneset dhe familjet dhe mundësuan një shpërndarje të gjerë të humbjeve financiare të gjeneruara nga pandemia. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 11.7% gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, pas tkurrjes me 7% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky ritëm i shpejtë rritje shkon përtej efektit që prodhon baza e ulët krahasuese me vitin e shkuar.
Në këndvështrimin e kërkesës, ai tregon ecurinë rritëse të eksporteve të mallrave e shërbimeve, si dhe rritjen e konsumit dhe investimeve të brendshme. Në këndvështrimin sektorial, ai reflekton rritjen e vazhduar të sektorit ndërtues, rimëkëmbjen e sektorit të industrisë dhe atij të shërbimeve.
Ekonomia shqiptare u kontraktua me 4.0% në vitin 2020, si pasojë e efekteve negative nga pandemia. Ky zvogëlim i aktivitetit do të kishte qenë edhe më i fortë në mungesë të stimulit makroekonomik të injektuar. Politikat makroekonomike mbështetëse ndikuan në ruajtjen e balancave të shëndosha të ekonomisë dhe në minimizimin e efekteve negative të pandemisë.
Kështu, falimentimi masiv i bizneseve u mënjanua, impakti negativ në tregun e punës u minimizua, pasiguria në tregun financiar rezultoi e ulët, primet e rrezikut ruajtën trendin rënës, kreditë me probleme vijuan të ulen dhe kreditimi i ekonomisë vijoi i pandërprerë.
Këto ndihmuan në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend, si një parakusht i rëndësishëm për të siguruar një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë më tej. Për rrjedhojë, aktiviteti ekonomik filloi të rritej, duke nisur nga tremujori i tretë i vitit 2020, dhe rimëkëmbja ka vijuar me ritme të shpejta e të sigurta.
Në skenarin tonë bazë të parashikimeve afatmesme makroekonomike, ne parashikojmë që aktiviteti ekonomik të zgjerohet me rreth 8.7% në vitin 2021 e që më tej të afrohet gradualisht drejt potencialit të tij afatgjatë të rritjes, duke nisur nga viti 2022. Ne vlerësojmë që kjo rritje ekonomike të jetë gjithëpërfshirëse, duke reflektuar zgjerim të të gjithë sektorëve të ekonomisë dhe të të gjithë përbërësve të kërkesës agregate.
Ky skenar i parashikimeve afatmesme është i shoqëruar me rreziqe afatshkurtra dhe afatmesme. Përhapja e variantit të ri të virusit, Omicron, përbën një rrezik të kahut të poshtëm në afat të shkurtër, nëse shoqërohet me mbyllje të ekonomive në partnerët tanë tregtarë, apo me shtim të mëtejshëm të kufizimeve për lëvizjen e njerëzve.
Po ashtu, rritja e çmimeve në tregjet botërore – e cila vlerësohet dhe pritet të jetë e përkohshme nga pjesa më e madhe e analistëve – mund të provohet të jetë më e gjatë dhe e fortë se vlerësimet aktuale. Në këtë rast, ajo do të përbënte një burim presionesh inflacioniste, i cili duhet të merret në konsideratë nga politika monetare, në formën e një shtrëngimi të mëtejshëm të politikës monetare./Monitor/
Discussion about this post