Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha theksoi se për deputetët e rinj, raporti më i rëndësishëm është ai me zgjedhësit. Gjatë fjalës së tij në trajnimin e deputetëve të rinj, Berisha tha se ata nuk duhet të shkëputen kurrë nga lidhjet me qytetarët që i kanë zgjedhur.
Ai i përgëzoi deputetët për mundësinë e veçantë që kanë për të shërbyer si përfaqësues të qytetarëve dhe theksoi se ky është një mision fisnik, që kërkon përkushtim të madh ndaj punës në parlament dhe ndaj elektoratit. Berisha shtoi gjithashtu se takimet e vazhdueshme me zgjedhësit dhe mbrojtja e interesave të tyre janë thelbësore për çdo deputet, pasi ky është obligimi dhe angazhimi më i madh që ata kanë.
Fjala
Ju përgëzoj nga zemra për këtë ftesë t’u jap ju disa nga mendimet e mia në fillimet e misionit tuaj fisnik si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë.
Për çdo njeri që ka ambicien më të vogël politike, qenia deputet është realizimi i një ëndrre ndër më të bukurat e jetës së tij.
Shumë funksione mund të merrni gjatë jetës, por si ai i deputetit nuk është asnjë.
Ndaj dhe uroj që ky mision t’u frymëzojë dhe të bëhet një bazë e fuqishme për ndërtimin e një karriere të denjë politike.
Deputeti ka shansin e madh që në tempullin e parlamentit të formohet si një orator i shkëlqyer.
Nuk ka platformë më dinjitoze, më të bukur se ajo e parlamentit për të treguar oratorinë tuaj.
Në universin e veprimtarisë së tij, ligjeve dhe vendimeve që miraton, është pa dyshim dhe universiteti më i shkëlqyer politik i juaji.
Është mundësia e jetës suaj që me ligje dhe vendime, me nisma legjislative, ju të ndikoni në jetën, veprimtarinë e mijëra, mijëra, mijëra qytetarëve. Në jetën e vendit.
Pra, të ushtroni kështu, për mirë sigurisht është fjala, influencën më të madhe.
Por kjo kërkon përkushtimin tuaj.
Kërkon përkushtim të madh ndaj parlamentit, veprimtarisë së tij.
Angazhim të madh në komisione, në sallë dhe kudo.
Natyrisht një raport është më thelbësori.
Është raporti i të gjitha raporteve tuaja. Është raporti me zgjedhësit.
Ata njerëz u kanë besuar ju me çfarë kanë pasur mendimin e tyre se ju do i përfaqësoni ata, se ju do përfaqësoni interesat e tyre.
Është fatkeqësia më e madhe një deputeti është kur ai shkëput lidhjet nga zgjedhësit e tij, interesat e tyre.
Kur ai pushon së qenuri avokat i atyre që e kanë votuar.
Në këtë kuadër, takimet me zgjedhësit janë të pazëvendësueshme. Asgjë nuk duhet të shkëpusë deputetin nga takimi me elektoratin e tij.
Nga mbrojtja e interesave të elektoratit të tij.
Nga përcjellja në parlament të zërit të atyre që kanë për zë, zërin tuaj. U kanë sjellë ju në parlament.
Së fundmi, unë një sugjerim, një këshillë kam për ju.
Në çdo variant, kurrë nuk duhet të shkelmoni parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut duhet të jenë thelbi i ndërgjegjes njerëzore sot.
Sepse ndërgjegja njerëzore nuk është e tanishme, ajo është hershme që kur njeriu doli nga primitivizmi.
Kur dëgjoj ndonjëherë njerëz që shprehen ose mburren me armiqësira apo urrejtje ndaj besimit fetar të tjetrit, mua më kujtohet diktatori më mizor i kohërave, që ishte Genghis Khan.
Por ai ishte njeriu që respektonte në mënyrë të hekurt besimet fetare të njerëzve.
Dhe kjo nuk ishte një gjë e vogël në atë kohë.
Pushtimet ndodhnin, por besimet fetare ai i respektonte.
Ose bindjet politike.
Ose të drejtat themelore të njeriut.
Kurrë nuk duhet të pajtohemi ne me këtë.
Që në momentin që bëjmë kompromis me liritë dhe të drejtat themelore, ne bëhemi njerëz të rrezikshëm me pushtetin tonë.
Në çdo hap, në çdo veprim, në çdo votim, në çdo analizë, deputeti, dhe ai që merret me politikë, ato duhet t’i ketë linjat e shenjta, linjat e kuqe që nuk mund të preken, që nuk mund të kalohen.










Discussion about this post