Banorët fshatit Rrushkull të Durrësit u kënaqën para fushatës elektorale të 11 majit 2025, kur kandidati i PS-së u premtoi se do të bënte kanalizimet. Mbaruan zgjedhjet, kaloi vera dhe akoma nuk po duket ndonjë zyrtar u bashkisë t’u tregojë se si po shkon fati i projektit.
Në fakt, zyrtarët nuk e kanë harruar projektin, vetëm se kanë qenë të zënë me pazarin e lekëve (prokurimin).
Dhe nuk janë pak, por vlera totale përfundimtare e kontratës është 39,054,737.232 lekë.

Paratë do të derdhen në llogarinë e kompanisë “IDEAL CONSTRUCTION AND PROJECTION (I.C.P)” shpk. Kjo është pronë e vëllezërve Alban dhe Gerald Dautaj nga Durrësi. Me letra, pronari zyrtar është Alban Dautaj, por edhe Geraldi i jep një dorë biznesit.
Geraldi është një nga njerëzit e besuar të kryetares së Bashkisë, Emiriana Sako, ai mban postin e Koordinatorit të Lagjes Numër 10 të PS në Durrës. Përvec kësaj, Geraldi ka qenë krahu i djathtë i ish-drejtorit të disa institucioneve, Spartak Kovacit, duke mbajtur detyra si kryeinxhinier apo administrator sipas rastit. E thënë më shkoqur, Geraldi përmes ndikimit në organizatën e “Rilindjes” i ka siguruar tenderat qysh nga viti 2019 kur u krijua kompania.


E tillë është edhe kjo kontratë e hartuar më 21 tetor 2025 për llogari të Dautajve, nga Bashkia Durrës, e firmosur me urdhër dhe me delegim të kryebashkiakes Sako, nga një prej zëvendësve të saj.
Tender me flamur korrupsioni
Meqenëse porosia është që të fitojnë vëllezërit “rilindas”, komisioni i tenderit ka përdorur metodën ”Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërtim i Rrjetit të Kanalizimeve në Fshatin Rrushkull” me fond limit 32 959 439,00 lekë pa TVSH.
Procedura filloi me vrull para zgjedhjeve, më 4 prill 2025, por papritur u anulua. Sic mësuam më vonë, “nuk ishte paraqitur ndonjë ofertë e përshtatshme”. Megjithatë, vëllezërit Dautaj i kanë lëvizur gurët pranë Sakos dhe procedura u zhbllokua në 10 korrik 2025 dhe në fund erdhi një “rishpallje me njoftim fituesi” më 8 gusht 2025.

Procedura është shënuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.
Oferta e Dautajt e barabartë me fondin limit
Në tenderin e mbajtur formalisht më 25 korrik 2025 kanë marrë pjesë 4 operatorë ekonomikë, tre prej të cilëve u skualifikuan menjëherë duke u eliminuar konkurrenca ndaj vëllezërve.
Ofertat e mënjanuara duhej të merreshin në konsideratë, ose të anulohej sërish tenderi, sepse janë të gjitha më të ulëta se sa ajo fituese.
Konkretisht Operator Ekonomik Kontraktues “IDEAL CONSTRUCTION AND PROJECTION (I.C.P)” shpk kishte ofertën me vlerë 32 545 614,00 lekë pa TVSH. Mjafton kjo ofertë që është gati sa fondi limit, që komisioni ta anulonte tenderin.

Nga ana tjetër operatori “BE – IS” shpk ka propozuar ta bëjë punën me 20.805.303 lekë pa TVSH.
Në këtë nivel është edhe operatori “2 N” sh.p.k me vlerë 22.800.000 lekë. Ndërsa firma ASI-2A CO shpk ka dhënë oferën 29.000.000,20 lekë.
Pra, për komisonin nuk kishte problem vlera e ofertës, por porosia që duhet të kenë marrë për të favorizuar vëllezërit ”rilindas”. Vetëm kështu mund të shpjegohet logjika e këtij tenderi, ku oferta fituese është afro 130 milionë lekë më shumë se ajo më e ulëta.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post